REVOLUCIONI I KADIFENJTE NË ÇEKOSLLOVAKI
Çekosllovakia, për shumë arsye ka zënë një vend të veçantë mes vendeve socialiste të bllokut sovjetik. Dhe kjo për shumë arsye. Shteti i parë çekosllovak është krijuar në vitin 1918, menjëherë mbas Luftës Parë Botërore nga bashkimi i tokave çeke (pjesë e Perandorisë Austro-Hungareze dhe zona më e industrializuar e gjithë Perandorisë) dhe Sllovakisë (një vend agrar që i përkiste Kurorës Hungareze). Në Çekosllovaki, brenda kufijve të njohur nga Konferenca e Paqes e Parisit, jetonin 13.5 milionë banorë, nga të cilët, një e treta, të kombësive të tjera (3 milionë gjermanë, 750 mijë hungarezë, polakë, rusë etj) dhe që më vonë, do të sillnin probleme tepër të mprehta për ekzistencën e vetë Çekosllovakisë. Shteti i ri çekosllovak trashëgoi 2/3 e gjithë industrisë së Perandorisë Austro-Hungareze, që e bënte atë ndër dhjetë shtetet më të zhvilluara në botë.
Që në vitet 20-të Çekosllovakia është konsideruar ndër shtetet më demokratike dhe më sociale. Në fillim të viteve 20-të aty është vendosur sistemi 8 orësh i punës, sistemi i ndihmave, janë aprovuar ligjet e ndihmës sociale, të sigurimit social, të ndihmave për të papunët etj. Në vitin 1919 ka filluar Reforma Agrare, më e madhja në të gjitha vendet e Europës Qendrore dhe Lindore.
Pavarësisht nga krizat e njëpasnjëshme të viteve ‘20-30, ajo mbetej një ndër vendet më të zhvilluara (gjatë viteve 1918-1939 rreth 60 përqind e prodhimeve shkonte për eksport) dhe me nivel jetese ndër më të lartët në botë. Edhe jeta e brendshme politike ishte tepër e gjallë dhe mjaft demokratike. Në Çekosllovaki kishte rreth 50 parti të orientimeve nga më të ndryshmet, duke filluar nga ekstremi i majtë deri tek ai i djathti, e mbas vitit 1930, partia e gjermanëve sudetë, e orientimit nazist. Që me krijimin e shtetit çekosllovak, qeveritë e krijuara kanë qenë qeveri koalicioni. Madje sistemi proporcional i zgjedhjeve ka bërë që brenda 20 viteve të ndërroheshin 19 qeveri. Në vitet 1929-1939 qeveritë krijoheshin nëpërmjet “koalicionit të gjerë”, ku përfshiheshin përfaqësues të partive çeke, sllovake, gjermane. Çekosllovakia, në ndryshim me Hungarinë, Poloninë, Jugosllavinë, Rumaninë pa folur për Gjermaninë e Bashkimin Sovjetik ku ishin vendosur regjime autoritare ose diktatoriale, ka qenë i vetmi vend në Europën Qendrore dhe Lindore që i shpëtoi vendosjes së sistemit totalitar, duke u konsideruar një fenomen i llojit të veçantë, si i vetmi vend demokratik.
Në planin ndërkombëtar, që me krijimin si shtet i pavarur, Çekosllovakia u përfshi në orbitën e influencës franceze, madje ajo u lidh me një seri paktesh e marrëveshjesh ndërkombëtare, të krijuara apo të mbështetura nga Franca. Ardhja e Hitlerit në pushtet e komplikoi fort pozitën ndërkombëtare të saj madje që në vitin 1933, Hitleri i propozoi Çekosllovakisë rishqyrtimin e kufijve midis dy vendeve. Mbas pushtimit të Austrisë, Gjermania, me ndihmën e Anglisë, Francës dhe Italisë, që shitën interesat e Çekosllovakisë, organizuan marrëveshjen e Munihut, mbi bazën e së cilës Gjermania aneksoi krahinën e Sudetëve dhe disa rajone tjera. Mbas pak muajsh, Gjermania dhe Italia, nëpërmjet të ashtuquajturit “Arbitrazhi i Vjenës” i dhanë Hungarisë rajonet jugore të Sllovakisë dhe krahinën e Tejkarpateve. Në mars 1939 Gjermania pushtoi Çekinë dhe shpalli të ashtuquajturin shtet të pavarur të Sllovakisë. Në këto kushte, presidenti Benesh dha dorëheqjen dhe shkoi në Francë dhe, mbas kapitullimit të Francës, shkoi në Londër ku krijoi Qeverinë Kombëtare Çekosllovake në emigracion, nga ku u përpoq të organizonte rezistencën kundër pushtuesve gjermanë.
Çekosllovakia ishte vendi i fundit që u çlirua nga pushtuesit gjermanë, madje edhe data e përfundimit të Luftës Dytë Botërore, është përcaktuar nga çlirimi i Pragës. Kryetar shteti që nga viti 1940 vazhdonte të ishte Presidenti Benesh, i cili mbështetej nga të gjithë aleatët e Koalicionit Antifashist. Në vitin 1943 ai nënshkroi në Moskë Traktatin e Miqësisë dhe Marrëdhënieve Aleate me Bashkimin Sovjetik, që ishte shumë i rëndësishëm për kursin e orientimit të jashtëm të Çekosllovakisë. Në tetor 1945 parlamenti i përkohshëm aprovoi plotfuqishmërinë presidenciale të tij, ndërsa në korrik 1946, parlamenti i ri e rizgjodhi njëzëri Beneshin president të Çekosllovakisë.
Menjëherë mbas lufte, Çekosllovakia drejtohej nga një qeveri koalicioni e quajtur Qeveria e Koshices, që përfaqësonte Frontin Kombëtar. Ajo kishte hartuar një program të përkohshëm, që presidenti Benesh e kishte aprovuar. Në mungesë të parlamentit, të gjitha ligjet e vendimet nxirreshin në formë dekretesh, në emër të presidentit, që edhe sot njihen si Dekretet e Beneshit, madje disa prej tyre kanë mbetur në fuqi edhe në kohën e sotme. Që më 19 maj 1945 ai nxori dekretin e parë, sipas të cilit sekuestroheshin të gjitha pasuritë që u përkisnin bashkëpunëtorëve të pushtuesve. Më 12 qershor nxori dekretin tjetër, sipas të cilit konfiskoheshin të gjitha tokat që u përkisnin pronarëve gjermanë dhe hungarezë si dhe tokat e atyre pronarëve që kishin bashkëpunuar me pushtuesit gjermanë e hungarezë. Në thellim të Reformës Agrare, të filluar në 1919, u aprovua ligji i ri që ulte dukshëm kufirin e tokës private. Në tetor 1945 ai përcaktoi kushtet për shtetëzimin e minierave dhe ndërmarrjeve të mëdha, sipas të cilave, pronarët që nuk kishin bashkëpunuar me pushtuesin kompensoheshin. Në këtë mënyrë kaluan plotësisht në duart e shtetit energjetika, minierat, metalurgjia, industria kimike, ndërmarrjet e kompleksit ushtarak etj. U shtetëzuan gjithashtu bankat aksionare, të sigurimeve etj. Kështu 80 përqind e komplekseve prodhuese private u bënë pronë shtetërore. Programi i qeverisë së Koshices ishte në vetvete një përvojë makroekonomike e rregullimit ekonomik, i orientuar drejt tregut.
Që herët, lëvizja punëtore në Çekosllovaki ka qenë mjaft e fuqishme dhe, përfaqësues të së majtës, komunistë, socialistë, social-demokratë përfshiheshin në qeveritë e para Luftës së Dytë Botërore. Qëndrimi dhe rezistenca e komunistëve çekosllovakë gjatë Luftës (shifrat flasin për 25 mijë komunistë të vrarë) si dhe luftës së komunistëve kudo në Europë kundër pushtuesve, lufta dhe kontributi i jashtëzakonshëm i Bashkimit Sovjetik për shpartallimin e Gjermanisë Naziste etj. kishin rritur shumë simpatinë e respektin për komunistët edhe në radhët e popullit çekosllovak. Këto dhe të tjera bënë që në zgjedhjet e para mbas lufte, në maj 1946, komunistët të fitonin afro 40 përqind të votave. Megjithëse qeveri koalicioni, ku përveç komunistëve ku bënin pjesë përfaqësues të disa partive (Partia Çeke Socialiste-Kombëtare, Partia Çekosllovake Popullore, Partia Social-Demokratike Çekosllovake, Partia Demokratike Sllovake), ajo kryesohej nga komunisti K.Gotvald.
Ngjarje tepër interesante janë zhvilluar në shkurt 1948, ngjarje që sollën marrjen në dorë krejtësisht të pushtetit nga komunistët. Në historiografinë çekosllovake është quajtur herë “Shkurti fitimtar” herë “Grushti i shtetit i shkurtit”. Duke marrë shkas nga një ngjarje banale që lidhej me transferimin e disa oficerëve, 12 ministra (nga 26 gjithsej) të Partisë Socialiste Kombëtare dhe të Partisë Demokratike Sllovake, me shpresë se presidenti Benesh do të shpallte shpërndarjen e qeverisë, dhanë dorëheqjen. Presidenti Benesh nuk shpërndau qeverinë, por mbi bazën e Kushtetutës ngarkoi kryeministrin të plotësonte vendet vakante. Meqë partitë e tjera nuk pranuan të përfaqësoheshin në qeveri, kryeministri i zgjodhi të gjithë ministrat nga partia e tij, çka do të bënte që Çekosllovakia të kishte një qeveri krejtësisht komuniste. Sigurisht që zhvillimet e atyre ditëve nuk kanë qenë aq të thjeshta, mbasi ka pas edhe shumë shkaqe e arsye të tjera (problemet e diskutimet lidhur me pranimin e “planit Marshall” etj.). Në qershor të vitit 1948 Presidenti Benesh, për arsye shëndetësore dha dorëheqjen dhe mbas tre muajsh vdiq. Në vend të tij u zgjodh K Godvaldi, që ishte njëkohësisht dhe udhëheqësi i Partisë Komuniste.
Me të marrë pushtetin në duart e tyre, komunistët e orientuan Çekosllovakinë drejt ndërtimit të shoqërisë socialiste sipas modelit sovjetik, çka u zyrtarizua në Kongresin e IX të P.Komuniste në maj të vitit 1949. Por edhe në ndërtimin e socializmit, Çekosllovakia kishte veçoritë e veta. Si një vend i zhvilluar industrial, në ndryshim me vendet e tjera socialiste, ajo u orientua drejt ndryshimeve strukturore (sigurisht me përparësi grupi A). Në bujqësi ajo ndoqi të njëjtën rrugë si vendet e tjera socialist, atë të kolektivizimit, që e përfundoi në vitin 1960.
Në planin e brendshëm politik, vitet e para mbas çlirimit, Çekosllovakia ka qenë një ndër vendet ku lufta e klasave dhe persekutimi i kundërshtarëve politikë ka qenë ndër më të ashprit ndër vendet socialiste. Mbas vdekjes së Stalinit dhe veçanërisht mbas Kongresit të XX të PK të B.Sovjetik, udhëheqja çekosllovake e pranoi me vështirësi procesin e destalinizimit të jetës, dhe vetëm në vitet 1962-63 ajo pranoi të rehabilitonte të persekutuarit politikë.
Gjatë këtyre viteve, deri në mesin e viteve 60-të, Çekosllovakia ka arritur suksese të dukshme në fushën ekonomike dhe në rritjen e nivelit të jetesës, duke u radhitur ndër vendet e para në botë. Por duke filluar nga viti 1963, ekonomia nuk po ecte me ritmet e planifikuara. Rrugëdalja u kërkua në një reformë ekonomike, që e filluan në vitin 1965 dhe që parashikonte konkurrencën, zgjedhjen e lirë të ndërmarrjeve partnere, kredi tregtare, larmi në politikën e çmimeve etj. Kryerja e kësaj reforme solli aktivizimin e krahut reformator brenda udhëheqjes së partisë, i cili doli me kritika të rrepta ndaj politikës së ndjekur deri atëherë nga Novotni dhe udhëheqja çekosllovake.
Gjatë vjeshtës 1967 u organizuan disa demonstrata kundër kursit të qeverisë. Në janar 1968, në krye të Partisë Komuniste erdhi A.Dubçeku, një nga reformatorët e njohur. Që me ardhjen në pushtet ai i kushtoi vëmendje të posaçme politikës së kuadrit dhe sjelljes në pushtet të bashkëmendimtarëve të tij. Kështu u zëvendësuan kryeministri, kryetari i Parlamentit, disa anëtarë të Byrosë Politike etj. Në kuadrin e masave të marra ishte zbutja e censurës, u ngjallën diskutime për krijimin e sistemit shumëpartiak, u planifikuan masa e vendime për liri të plotë mendimi e fjale, mbledhje e lëvizje të lira, për lejimin e ndërmarrjeve private, u planifikua federalizmi i Çekosllovakisë etj. U hartua “Programi i veprimit” ku u shpall kursi i “Përtëritjes demokratike të socializmit” apo siç do shprehej Dubçeku më 18 korrik, të “Socializmit me fytyrë njeriu”. (Sipas këtij programi parashikohej: likuidimi i rolit udhëheqës të P.Komuniste, shkurtimi i aparatit administrativ, vendosja e sistemit federativ Çeki-Sllovaki dhe barazia midis çekëve dhe sllovakëve, vendosja e bazave të ekonomisë së tregut, bashkëpunimi me të gjitha vendet e botës).U lejua krijimi i klubeve politike, filloi botimi i shumë gazetave e revistave pa censurë, u krijua “Klubi i të angazhuarve pa parti” apo “Klubi -231” nga ish të dënuarit politikë mbas vitit 1948. Vetëm gjatë muajit qershor u regjistruan 70 organizata politike. Opozita e krijuar kërkoi sistem parlamentar shumëpartiak. U lejua të ringrihet Kisha Greko-Katolike e Sllovakisë etj. Liberalizimi i jetës u shoqërua me rritjen e antisovjetizmit. Të gjitha këto rritën besimin dhe shpresën e masave të gjëra, që i përkrahën e mbështetën deri në fund këto masa. Një studiues i huaj që kishte qenë dëshmitar i gjithë zhvillimeve gjatë “Pranverës së Pragës” (siç u quajt kjo periudhë) shkruan se “Për herë të parë dhe të fundit, unë pashë që politika e komunistëve kishte mbështetje popullore”.
Pavarësisht se Dubçeku dhe shokët e tij nuk dolën me teza e kërkesa për largimin e plotë të Çekosllovakisë nga linja e përgjithshme politike, siç kishte ndodhur në vitin 1956 në Hungari, udhëheqja sovjetike dhe e disa vendeve tjera (RDGJ, Polonia, Bullgaria) i shihnin këto masa si “kërcënim për sistemin socialist që lidhej me sigurinë e bllokut sovjetik”. Pavarësisht nga shumë kritika, kërcënime e takime të udhëheqësve të këtyre vendeve me Dubçekun, ai dhe shokët e tij nuk u tërhoqën nga rruga e nisur. Të ndodhur para kësaj situate, më 21 gusht 1968 , trupat e Traktatit të Varshavës ku kontingjentin kryesor e përbënin trupat sovjetike, pushtuan Çekosllovakinë.
Mbas pushtimit, grupin e reformatorëve e larguan nga skena politike dhe vendin e tyre e zunë njerëz besnikë ndaj Moskës dhe politikës së saj. Kështu filloi ajo që është quajtur “Periudha e normalizimit”. Gjatë viteve 70-të u ndoq kursi i ndërtimit të “Socializmit të zhvilluar”, gjë që në fushën ekonomike pati efekte pozitive në gjysmën e parë të viteve 70-të, por mbas kësaj periudhe, ritmet e zhvillimit ekonomik filluan të binin. Gjithë këto vite teknika dhe teknologjia nuk kishin ecur me ritmet e kohës, madje kishte mbetur mjaft mbrapa. Në vitin 1989 mosha mesatare e makinerive e pajisjeve prodhuese ishte mbi 25 vjeçare. Shifrat e mëposhtme janë mjaft kuptimplote. Në periudhën 1960-1975 ritmet e rritjes vjetore të “produktit të pastër material” (tregues që përdorej në Çekosllovaki) kanë qenë me 5 përqind, në vitet 1970-1980 kanë rënë me 3.7 përqind, ndërsa në vitet 1980-1989 më pak se 2 përqind. Gjatë gjithë këtyre viteve, i vetmi grupim opozitar ka qenë grupi i intelektualëve “Karta 77” , i cili, duke u bazuar në Deklaratën e Helsinkit, nëpërmjet një letre publike kërkoi nga udhëheqja çekosllovake zbatimin e Kushtetutës, lirimin e të burgosurve politikë, largimin e trupave sovjetike etj.
Në vitin 1988 filluan shfaqjet e para opozitare, në formën e manifestimeve në përkujtim të datave të shënuara historike të popullit çekosllovak (të viteve 1918, 1938, 1968). E para është regjistruar në Bratislavë, më 25 mars 1988, organizuar nga aktivistët katolikë. Në janar të viti 1989, nën pretekstin e përkujtimit të 20 vjetorit të vetëdjegies se studentit Jan Palah, si shenjë proteste ndaj pushtimit sovjetik, u organizuan disa manifestime e protesta.
Realisht procesi i çmontimit të sistemit socialist ka filluar në vjeshtë 1989 dhe gjithçka është zhvilluar brenda pak javëve. Më 16 nëntor rreth 300 studentë organizuan një demonstratë në Bratislavë, me pretekstin kundër një projektligji për arsimin e lartë, por që u kthye në kërkesa politike për lirimin e një të burgosuri politik, për demokraci të vërtetë, për lëvizje të lirë etj. “Revolucioni i Kadifenjtë” i vërtetë ka filluar me demonstratën e studentëve, organizuar më 17 nëntor në përvjetorin e varrimit të studentit Jan Opetalla, vrarë nga nazistët gjermanë. Fillimisht protesta ishte e qetë, por më vonë mori karakter politik. Si nxitës i qëndrimeve hapur antiqeveritare u bënë fjalët e përhapura të nesërmen e demonstratës për vrasjen e një studenti. Megjithëse sot tregohet si një histori banale, ajo ngjarje ka luajtur një rol tepër të rëndësishëm. “Viktimë” u bë studenti Martin Shmid, i cili gjoja u vra nga policia gjatë demonstratës. Kjo ngjarje kyçe për “Revolucionin e Kadifenjtë” që bëri bujë në të gjithë botën, siç del nga shumë dokumente të botuara e dëshmi të aktorëve të ngjarjes, ishte inskenuar nga shërbimi i fshehtë çekosllovak me porosi të udhëheqjes më të lartë. Siç ka dëshmuar më vonë togeri i organeve të sigurimit Ludvik Zifçak, i cili ka luajtur rolin e studentit “të vrarë”, këtë e ka bërë me porosi të gjeneralit të Sigurimit të Shtetit A.Lorenc (disa burime thonë me dijeni të Sekretarit të KQ të PK të Bashkimit Sovjetik Jakovlev. Tërheqë vëmendjen fakti se më 14 nëntor kishte shkuar në Pragë zv/kryetari i KGB-së sovjetike V.Grushko i cili ishte takuar me gjeneralin Lorenc…).
Lajmi i përhapur mbi vrasjen e studentit u bënë detonatori i shpërthimit të lëvizjes masive antiqeveritare. Në demonstratën e 18 nëntorit u bashkuan një pjesë e inteligjencës së Pragës. Më 20 nëntor grevën e studentëve të Pragës e mbështetën studentët e të gjitha shkollave të larta të Çekosllovakisë. Me ta u bashkuan shumë të tjerë, aq sa në rrugët e Pragës dolën mbi 250 mijë vetë. Ata u mbështetën edhe nga Kardinali i Çekisë, F.Tomashek. Në Çeki dhe Moravi liderët e grupimeve jo zyrtare formuan “Forumin Qytetar”, ndërsa në Sllovaki ata formuan “Opinionin shoqëror kundër dhunës”. Në ndryshim me vitin 1968, Moska heshti, madje Gorbaçovi nuk u ndje fare. Më 24 nëntor udhëheqja e Partisë Komuniste dha dorëheqjen dhe u zëvendësua me të rinj. Udhëheqja e re i propozoi opozitës të merrte pjesë në qeveri dhe të kishte një të katërtën e portofolave, por drejtuesit e saj nuk pranuan, mbasi ajo kërkonte të formonte e vetme qeverinë. Si kundërpërgjigje ndaj qëndrimit të qeverisë së re, opozita kaloi në aktin tjetër të revolucionit. Më 26 nëntor u mblodhën në Pragë rreth një milion njerëz, ndërsa më 27 ajo shpalli grevë të përgjithshme. Më 28 nëntor në takimin midis qeverisë dhe përfaqësuesve të Frontit Kombëtar me përfaqësuesit e “Forumit qytetar’ u ra dakord për heqjen e rolit udhëheqës të Partisë Komuniste, gjë që të nesërmen, më 29 nëntor, u sanksionua edhe në Kushtetutën e Çekosllovakisë.
Ky ishte hapi i parë dhe kryesori për çmontimin e sistemit, sepse më vonë ngjarjet rrodhën krejt natyrshëm. Kështu më 10 dhjetor u ra dakord për krijimin e “Qeverisë së Harmonisë Kombëtare”, që do të thoshte qeveri pluraliste, e para që nga viti i largët 1948. Mbas pak ditësh presidenti Husak, njëlloj siç kishte bërë presidenti Benesh në vitin 1948, dha dorëheqjen. Në vend të tij, si Presidenti i Çekosllovakisë u zgjodh disidenti i njohur dhe mbrojtësi i të drejtave të njeriut, dramaturgu Vaclav Havel. Në të njëjtën ditë, u zgjodh në postin e Kryetarit të Parlamentit Çekosllovak, reformatori i njohur i “Socializmit me fytyrë njeriu” apo i “Pranverës së Pragës” Aleksandër Dubçeku.
REVOLUCIONI ‘DELIKAT’ BULLGAR
Pavarësisht nga lidhjet e hershme historike e shpirtërore me Rusinë dhe faktit se Bullgaria ishte çliruar nga sundimi osman me ndihmën e saj, ajo, mbas shpalljes së pavarësisë u orientua nga Gjermania dhe mbeti aleate e saj deri në kryengritjen e 9 shtatorit të vitit 1944. Mbas Lufte, qeveria si përfaqësuese e Frontit Kombëtar ishte qeveri koalicioni ku përfaqësoheshin Partia Komuniste, Partia Bullgare Fshatare, Partia Social Demokrate etj. Nëpërmjet referendumit të organizuar në shtator 1946, Bullgaria u shpall Republikë, duke i dhënë fund epokës së Monarkisë.
Bullgaria ishte një vend i prapambetur agrar, ku para luftës Dytë Botërore 79.9 përqind e fuqisë punëtore aktive merrej me bujqësi dhe vetëm 8 përqind punonte në industri dhe artizanat. Mbas nënshkrimit të Marrëveshjes së Paqes (1947) Bullgaria u fut menjëherë në rrugën e ndërtimit të sistemit socialist. Edhe në Bullgari u ndoq pothuajse i njëjti skenar si në vendet e tjera që u futën në këtë rrugë: industrializimi i vendit, kolektivizimi i bujqësisë etj. Sukseset e viteve të para ishin të dukshme. Kështu në vitin 1955, prodhimi i përgjithshëm industrial u rrit 6 herë në krahasim me vitin 1939, buxheti i shtetit u rrit mbi dy herë, shpenzimet për shëndetësinë u rritën 6 herë etj. Suksese të dukshme u arritën edhe në sektorin e bujqësisë.
Ritmet e larta të zhvillimit në Bullgari kanë vazhduar deri në fund të viteve 70-të, pavarësisht se me rënie të vogël nga viti në vit. Kështu ritmet e rritjes mesatare vjetore të prodhimit industrial kanë qenë; në vitet 1961-1966 – 11.7 përqind, në vitet 1966-1970- 10.9 përqind, në vitet 1971-1975 – 9.1 përqind, në vitet 1976-1980 – më pak se 9 përqind. Ndryshe ka ndodhur në bujqësi. Nëse deri në vitet 1970-të ritmet e zhvillimit të bujqësisë nuk janë ulur, mbas kësaj periudhe, si rezultat i uljes së investimeve në bujqësi me rreth 2 herë si dhe i përqendrimit të prodhimit dhe krijimit të komplekseve të mëdha bujqësore, ato janë ulur në mënyrë të dukshme, aq sa kontributi i bujqësisë në ekonominë bullgare, në vitet 1970-1980, ra nga 19 përqind në 11 përqind.
Gjatë periudhës 1945-1985, Bullgaria ka qenë vendi më i afërt ndër vendet socialiste me B.Sovjetik, aq sa thuhej se Bullgaria ka kërkuar të bëhej republika e 16-të e Bashkimit Sovjetik, por Moska nuk e ka pranuar me pretekstin se nuk “kemi kufij të përbashkët”. Aq afër janë ndjerë këta dy vende, sa në B.Sovjetik thuhej se kur sovjetikët shkonin në Bullgari nuk konsiderohej dalje jashtë shtetit. Zhivkovi erdhi në pushtet në vitin 1954 me ndihmën dhe mbështetjen e Moskës dhe qëndroi në pushtet deri në vitin 1989. Si rezultat i lidhjeve të veçanta që kishte Bullgaria me B.Sovjetik, çdo vit e me shumë rritej “integrimi ekonomik socialist” përndryshe vartësia e Bullgarisë nga B.Sovjetik. Kështu rreth 80 përqind e eksportit bullgar shkonte në vendet e KNER-it kryesisht në B.Sovjetik. Nga ana tjetër, zhvillimi i shumë degëve të ekonomisë bullgare (metalurgji, energjetikë, industri kimike etj.) varej nga lëndët e para sovjetike, gjë që më vonë do të sillte pasoja shumë negative për ekonominë bullgare.
Në fillim të viteve 80-të filloi realisht tatëpjeta e ekonomisë bullgare. Gabimet e së kaluarës filluan të ndjehen dukshëm në këtë periudhë. Ekonomia e planifikuar e kishte arritur kufirin e efektivitetit dhe kishte filluar rënia e ritmeve të rritjes së prodhimit, rënie që vazhdonte nga viti në vit. Kështu në vitin 1989 ritmet e rritjes ranë me 13 përqind në krahasim me vitin paraardhës. Dhe këto me gjithë borxhet e mëdha që kishin arritur në 11 miliard dollarë. Kjo periudhë shënon krizën e plotë të shtetit dhe shoqërisë bullgare.
Krahas problemeve ekonomike që u bënë shumë të dukshme, kriza bullgare është shoqëruar me ashpërsimin e problemit nacional. Udhëheqja bullgare e shqetësuar nga situata e rëndë demografike që vinte, në radhë të parë nga plakja e shoqërisë bullgare dhe shtesa natyrale e popullsisë turke dhe myslimane (në Bullgari jetonin mbi një milion myslimanë, nga të cilët mbi 800 mijë turq, mbi 200 mijë bullgarë të myslimanizuar si dhe rreth 100 mijë ciganë myslimanë) ndërmori një fushatë të paparë për krijimin e “tërësisë etnike bullgare”, nëpërmjet ndërrimit të emrave, masave “lehtësuese” për shpërnguljen e turqve në Turqi, masave administrative për shkombëtarizimin e turqve etj. që, krahas prishjes së ekuilibrave të brendshme, sollën shumë probleme në marrëdhëniet me Turqinë dhe fqinjët e tjerë.
Ndërrimi i sistemit në Bullgari u bë më butë se në asnjë vend tjetër socialist, prandaj edhe e kanë quajtur me emra të tillë si “Revolucioni delikat”, “Varianti bullgar i daljes nga socializmi”, “Grusht shteti brenda oborrit” etj. Në ndryshim me shumicën e vendeve socialiste, në Bullgari nuk ka ekzistuar disidencë e organizuar politike. Disidentët ishin me gishta. Në vitin 1982 Zhivkovi deklaronte se “Në Bullgari nuk ka forca të organizuara që janë kundër rrugës socialiste…Armiqtë e socializmit nuk kanë baza klasore, nuk kanë baza sociale. Ata janë me gishta, ata janë të izoluar dhe presin në vetmi fundin e tyre”. Dokumentet e publikuara së fundi (veçanërisht nga Komisioni i Kontrollit organizuar nga parlamenti bullgar, organet e Shërbimeve Sekrete Bullgare dhe të KGB-së sovjetike) tregojnë se ai ka pasur të drejtë… Në radhët e atyre pak disidentëve, disa kanë qenë bashkëpunëtorë të organeve të specializuara bullgare apo sovjetike.
Goditja më e rëndë kundër regjimit të Zhivkovit ka qenë Perestrojka që kishte filluar në Bashkimin Sovjetik. Deri në mesin e viteve 80-të Bullgaria, ndër të gjitha vendet e bllokut sovjetik, ka qenë më e privilegjuara politikisht, ekonomikisht, ushtarakisht dhe ideologjikisht nga Bashkimi Sovjetik. Sipas një marrëveshjeje të hershme midis Zhivkovit dhe Brezhnjevit, në vitet 1973-1985 Bullgaria merrte çdo vit nga Bashkimi Sovjetik, 600 milionë dollarë në formë ndihme. Ndër të gjitha vendet e bllokut sovjetik Bullgaria ka qenë aleati më i afërt i B.Sovjetik dhe për çdo problem përfshirë edhe krizat brenda vendeve të këtij blloku, Bullgaria mbështeste me të gjitha mënyrat politikën sovjetike (kriza në marrëdhëniet sovjeto-jugosllave, në krizat e RD Gjermane në vitin 1953, në Poloni dhe Hungari në vitin 1956, në Çekosllovaki në vitin 1968 etj.). Është vendi të theksojmë se Bashkimi Sovjetik e përdorte Bullgarinë sa herë ai kishte probleme me vendet kufitare të saj. Kështu kur ja donte interesi Moskës për t’i bërë presion Çausheskut, Bullgaria ngrinte problemin e kufirit me Rumaninë. Shumë më e dukshme ka qenë kjo në qëndrimin ndaj Jugosllavisë, lidhur me problemin maqedonas. Megjithëse problemi maqedonas kishte mbi 100 vjet që ishte mollë sherri midis Bullgarisë e Serbisë (më vonë Jugosllavisë), ai shfaqej, acarohej ose zbutej në vartësi të marrëdhënieve të Moskës me Beogradin…
Mbështetja që Rusia i kishte dhënë historikisht Bullgarisë (sigurisht për interesat e veta), lidhjet shekullore në të gjitha fushat midis popujve rus dhe bullgar, ndihmat që i kishte dhënë Rusia e më vonë Bashkimi Sovjetik, kishin rritur dashurinë e bullgarëve ndaj rusëve, dhe në ndryshim me vendet e tjera lindore, brenda shoqërisë bullgare, me ndonjë përjashtim të rrallë, nuk kishte shfaqje rusofobie apo antisovjetizmi. Kisha nuk kishte ndonjë influencë të dukshme në radhët e shoqërisë bullgare. Deri në mesin e viteve 80-të Bullgaria konsiderohej si vend i më i stabilizuar politikisht ndër të gjitha vendet e bllokut sovjetik dhe as që bëhej fjalë për opozitë të organizuar.
Numrin e fundit të kësaj serie do të lexoni:
-Përkeqësimi i gjendjes politike në Bullgari
-Historiku i Gjermanisë Lindore
-Detajet e bashkimit të dy Gjermanive
