Blloku Lindor, lindja komuniste, shkëlqimi dhe rënia

redaktor

Megjithëse ka kaluar më shumë se një çerek shekulli nga përmbysja e sistemit socialist në Europë, studiues të fushave të ndryshme vazhdojnë t’i kushtojnë analiza e studime nga më të ndryshmet problemeve të socializmit, që nga lindja e deri tek përmbysja e tij në Europë, shkaqet e përmbysjes, rrugët e mënyrat që u përdorën etj.

Socializmi si rend shoqëror u vendos për herë të parë në vitin 1917 në Rusi, nëpërmjet Revolucionit Socialist të Tetorit. Janë shprehur mendime të ndryshme mbi arsyet, rrugët dhe mënyrat e vendosjes së sistemit socialist në vende të ndryshme të Europës. Disa studiues shkruajnë se ky sistem u instalua në ato vende që u çliruan nga Ushtria e Kuqe, tezë që qëndron, por jo krejtësisht sepse kishte edhe vende si Austria apo Finlanda, ku u fut Ushtria e Kuqe, por që nuk u bënë socialiste, ashtu siç kishte vende si Shqipëria apo Jugosllavia që e zgjodhën vetë këtë sistem, pa “ndihmën” e Ushtrisë së Kuqe.

Ka autorë që mbështesin tezën se sistemi socialist u vendos në saj të Luftës që bënë popujt e disa vendeve kundër pushtuesve nazifashistë, ku në krye ishin komunistët dhe përmendin Shqipërinë, Jugosllavinë apo vende si Polonia, ku lufta e polakëve, pa dallime partiake, kundër pushtuesve ishte mjaft e ashpër, por çlirimi u arrit në saj të Ushtrisë së Kuqe. Kësaj teze i bie ndesh shembulli i Greqisë, ku, megjithëse Lufta antifashiste e udhëhequr nga komunistët ishte shumë e fuqishme, ajo përsëri mbeti   ashtu siç ishte para lufte.

Pavarësisht nga mendime e teza që mbrohen nga autorë të ndryshëm, do të shtoja se krahas këtyre, ekziston një e vërtetë e madhe, se për vendosjen e sistemit socialist në vendet europiane vendosën Tre të Mëdhenjtë (Ruzvelti, Stalini e Çërcilli) në Konferencat e takimet e tyre, ku caktuan kufijtë e Europës e më gjerë, të botës dhe ndanë zonat e influencës. Shumë domethënëse ka qenë marrëveshja midis Stalinit e Çërçillit në Moskë, në tetor të vitit 1944, ku ata ndanë Ballkanin, duke caktuar edhe influencat në përqindje që ata (BS, Anglia dhe ShBA) do të kishin mbas lufte, që praktikisht do të thoshte përcaktimi që atëherë i sistemeve politike për këto vende. Shembulli më i qartë janë Hungaria, Rumania dhe Bullgaria, që mbetën aleate të Gjermanisë naziste pothuajse deri në përfundim të Luftës dhe ku, rezistenca e armatosur ndaj nazifashizmit ka qenë relativisht e vogël, por që Treshja e Madhe kishte vendosur që ato do të mbeteshin nën influencën sovjetike. Edhe më kuptimplotë është shembulli i Greqisë, ku u desh ndërhyrja ushtarake e anglezëve për të vënë në jetë marrëveshjen e arritur në Moskë….

Një fakt tepër interesant që dua të vë në dukje është se të gjithë vendet dhe popujt sllavë pa përjashtim, u futën në rrugën e socializmit. Në kuadrin e pansllavizmit, me kohë ishte hedhur ideja e krijimit të një Federate Socialiste të përbërë nga popuj sllavë, ide që nxirrte krye herë pas here. Me afrimin e Luftës së Dytë Botërore e veçanërisht kur fatet e saj ishin vendosur, në Kremlin përpunoheshin lloj-lloj variantesh për ndërtimin e botës së mbas luftës. Sipas llogarive të Moskës në të gjitha vendet sllave duhej të krijoheshin qeveri të orientimit socialist, gjë që ajo e arriti, pavarësisht nga format e përdorura, ku një ndihmë të madhe dhanë Rusvelti dhe Çërçilli. Kështu rusët, ukrainasit dhe bjellorusët, në kuadrin e Bashkimit Sovjetik i ishin futur kësaj rruge me kohë, ndërsa polakët, çekosllovakët (çekët e sllovakët), bullgarët, si dhe sllavët e Jugut, në përbërje të Jugosllavisë (serbët, kroatët, sllovenët, boshnjakët, malazezët, maqedonasit) u futën mbas Luftës Dytë Botërore.

Megjithatë, vendosja e sistemit socialist në vendet e Azisë (Kinë, Vietnam, Kore) dhe në Kubë nuk flet në favor të këtyre tezave. Sistemi socialist u vendos në saj të Luftës Çlirimtare dhe Revolucioneve Socialiste që u bënë në këto vende. Pavarësisht nga mënyrat dhe rrugët e ndryshme që sollën instalimin e këtij sistemi, në fund të viteve ’80 të shekullit të kaluar, sistemi socialist ishte vendosur në 15 vende të botës dhe ishte shtrirë në 26.2 për qind të sipërfaqes së globit tokësor, ku jetonte 32.2 për qind e popullsisë së botës.

Pa pretenduar për një studim të thelluar, do të përpiqem të jap disa tablo e mendime për përmbysjen e sistemit socialist në vendet e bllokut sovjetik në Europë dhe, si u arrit, që në mënyrë paqësore, pa gjak e dhunë ( me përjashtim të Rumanisë) të përmbysej ai rend që për shumëkënd dukej i përjetshëm, mënyrat dhe rrugët që u ndoqën në këto vende, rolin e faktorit të brendshëm e të jashtëm.

Në vitet 1944-1945 vendet e Europës Jug-Lindore u çliruan nga nazifashizmi dhe para popujve të këtyre vendeve u krijuan mundësi për zhvillim demokratik. Duhet vënë në dukje se për nga niveli i zhvillimit ekonomik, social dhe kulturor, me përjashtim të Çekosllovakisë dhe Gjermanisë Lindore, këto vende nuk bënin pjesë në vendet e zhvilluara të Europës Perëndimore. Hungaria dhe Polonia konsideroheshin si gjysmë të zhvilluara, ndërsa Rumania dhe Bullgaria vlerësoheshin si të prapambetura. Për kujtesë, tre nga këto vende Hungaria, Rumania dhe Bullgaria, si ish aleatë të Gjermanisë Naziste, trajtoheshin si vende të mundura, ndaj të cilëve, Aleatët vendosën sanksione e reparacione dhe, menjëherë mbas lufte, u vendos që deri në nënshkrimin e Marrëveshjes së Paqes, ato të administroheshin nga Komisione Ndërkombëtare ose siç quheshin atëherë, nga Komisionet e Kontrollit.

WAR & CONFLICT BOOK ERA:  WORLD WAR II/PERSONALITIESPërvoja e krijuar gjatë Luftës për krijimin e unitetit midis partive dhe shtresave të ndryshme të popullsisë nëpërmjet krijimit të Fronteve Popullore apo Fronteve Kombëtare, për t’ju kundërvënë nazifashizmit, u vu në jetë menjëherë mbas lufte nëpërmjet krijimit të Qeverive të Koalicionit, ku nuk kryesonin komunistët (Çekosllovaki, Bullgari, Rumani). Në këto qeveri, krahas komunistëve kishte përfaqësues nga Partitë Social-Demokrate, Partitë Fshatare, përfaqësuesit e borgjezisë së vogël, të emigracionit etj. Në to nuk u pranuan shumica e partive të djathta, si dhe ajo pjesë e borgjezisë, inteligjencies apo nëpunësve që e kishin komprometuar veten si bashkëpunëtorë të nazifashizmit.

Menjëherë mbas lufte, qeveritë e këtyre vendeve filluan punën për demokratizimin e jetës së brendshme. U ndalua veprimtaria e partive dhe organizatave fashiste, u rivendosën parlamentet, u hartuan kushtetuta demokratike, u krijuan organe vetëqeverisëse etj. Në ato vende ku sistemi ishte monarkik (Bullgari, Rumani), monarkitë u eliminuan.

Por raporti i forcave politike të krijuara menjëherë mbas lufte nuk u ruajt gjatë. Në fund të viteve 1945-1946 në zgjedhjet e para të organizuara mbas lufte, komunistët fituan shumicën në parlamente dhe u ngarkuan për kryesimin e qeverive të koalicionit. (Partitë Komuniste ishin forcuar shumë, si nga numri i anëtarëve ashtu dhe autoriteti që kishin fituar në luftën kundër nazifashizmit). Në vitin 1945 në Hungari Partia Komuniste numëronte 500 mijë anëtarë, në Çekosllovaki në 1948 Partia Komuniste numëronte 1.5 milionë anëtarë, ndërsa po këtë vit, në Rumani kishte 1 milionë komunistë). Këto qeveri, në programet e tyre nuk kishin kërkesa për zhdukjen e kapitalizmit (të pronës private, borgjezisë si klasë etj.) por parashikonin kryerjen e reformave të thella social-ekonomike, si konfiskimi i pasurisë së bashkëpunëtorëve të nazifashizmit, krijimi i sektorit shtetëror, eliminimi i pronarëve të mëdhenj të tokave në fshat dhe kryerja e reformës agrare etj.

Rëndësi të jashtëzakonshme për këto vende pati reforma agrare e cila ngushtoi shumë marrëdhëniet kapitaliste në fshat, reformë që u krye sipas parimit “toka i takon atij që e punon”. Në këtë kuadër u morën dhe u shtetëzuan tokat e pronarëve gjermanë si dhe gjermanëve të dëbuar (vëmë në dukje se sipas vendimit të Treshes së Madhe, nga Polonia, Çekosllovakia, Bashkimi Sovjetik dhe vendet tjera u dëbuan drejt Gjermanisë rreth 10-12 milionë gjermanë që jetonin në këto vende dhe që konsideroheshin kolonë, apo të vendosur gjatë sundimit nazist) si dhe të bashkëpunëtorëve të nazifashizmit. Sipas ligjeve të asaj kohe, u vendosën kufij për tokën e dhënë nga reforma agrare ose të trashëguar (nga 20 ha në Bullgari deri në 100 ha në Poloni). Me ligj u përcaktua që pronarët e rinj të tokave nuk kishin të drejtë për shit-blerjen e tokës. Krahas këtyre masave filloi gradualisht dhe kolektivizimi në fshat.

Në këtë periudhë u krijua sektori shtetëror i ekonomisë, fillimisht nga shtetëzimi i pasurisë që i përkiste kapitalit gjerman dhe asaj pjese të pasurisë së borgjezisë që kishte bashkëpunuar me nazifashizmin, e më vonë, vazhdoi me shtetëzimin e kapitalit të madh e të mesëm vendas (ndërmarrje industriale, banka, transport, mjete ndërlidhje etj.). Reformat e ndërmarra në fushën politike, ekonomike, sociale etj., çuan në krijimin e një organizimi të ri shoqëror që u quajt “Sistemi i Demokracisë Popullore”, karakteristikat kryesore të të cilit ishin: sistemi shumë partiak, ku rolin kryesor e kishin komunistët, krijimi i sektorit shtetëror, duke ruajtur ekonominë private dhe kooperativiste, likuidimi i klasës së shfrytëzuesve, dobësimi i pozitave ekonomike të borgjezisë së madhe dhe rritja e rolit të klasës punëtore.

Sistemi i demokracisë popullore në Europë, u krijua në një hapësirë që fillonte në kufijtë e Bashkimit Sovjetik dhe përfshinte Poloninë, RD Gjermane, Çekosllovakinë, Rumaninë, Hungarinë, Bullgarinë, Jugosllavinë dhe Shqipërinë, pra në vazhdimësi territoriale nga deti Baltik në Detin e Zi e deri në detin Adriatik. Formimi i këtij sistemi të ri shoqëror, nuk do të arrihej pa ndikimin direkt dhe ndihmën politike, ekonomike, ushtarake, kulturore e sociale të Bashkimit Sovjetik. Së pari, në këto vende, me përjashtim të Shqipërisë (më vonë të Jugosllavisë) ndodhej Ushtria e Kuqe. Perëndimi e kishte pranuar rolin e Bashkimit Sovjetik në këto vende, që ishte zyrtarizuar në konferencat e sipërpërmendura të Treshes së Madhe, rol që tani po materializohej në shumë fusha të jetës. Menjëherë mbas lufte u ligjërua përparësia e Fronteve Kombëtare ndaj emigracionit dhe qeverive që kishte krijuar ky emigracion. Po ashtu, Bashkimi Sovjetik ishte në pozita më të fuqishme në Komisionet e Kontrollit, që në fakt realizonin drejtimin dhe administrimin e shtetit në vendet ish aleate të Gjermanisë Naziste (Hungari, Rumani, Bullgari).

Midis të gjitha vendeve të demokracisë popullore dhe Bashkimit Sovjetik u nënshkruan Traktate Miqësie, Bashkëpunimi dhe Ndihme Reciproke. Si rezultat, në këtë pjesë të Europës u krijua një sistem i ri marrëdhëniesh ndërkombëtare, që bazohej në bashkëpunimin politiko-ushtarako-ekonomik të këtyre vendeve me Bashkimin Sovjetik. Marrëveshje të tilla, ose të përafërta, u nënshkruan pothuajse midis të gjitha këtyre vendeve. Për lidhje më të ngushta ekonomike midis tyre, në vitin 1949 u formua Këshilli i Bashkëpunimit Ekonomik (KNER).

—-

E veçanta e periudhës 1947-1948 ishte vendosja e monopolit të plotë të partive komuniste, pavarësisht se në disa vende (Poloni, Çekosllovaki, RD Gjermane, Bullgari) kjo ishte e maskuar me sistemin shumëpartiak në qeverisje. Partitë komuniste u shkrinë me aparatin shtetëror dhe u vunë në komandë të tij, ku ato përcaktonin dhe drejtonin gjithë politikën shtetërore. Në shumë prej këtyre shteteve, kryetari i partisë ishte njëkohësisht kryetar i qeverisë,komandant i forcave ushtarake etj.

Konflikti sovjeto-jugosllav i vitit 1948, pati pasoja mjaft të rënda edhe për vendet e tjera të demokracisë popullore, sepse, në radhë të parë, këtyre vendeve ju ndalua në mënyrë kategorike e drejta e aplikimit të veçorive kombëtare në ndërtimin e socializmit, gjë që do të thoshte se ndërtimi i socializmit, do të bëhej vetëm sipas modelit sovjetik. Po ashtu, udhëheqjeve të këtyre vendeve iu imponua nga Moska koncepti stalinist i ashpërsimit të luftës së klasave (që edhe në Jugosllavi kishte qenë shumë e ashpër) që u shoqërua me reprezalje masive, jo vetëm kundër atyre që kishin bashkëpunuar me nazifashizmin, apo atyre që quheshin klasa të përmbysura, por edhe kundër njerëzve të thjeshtë e deri ndaj personaliteteve politike e udhëheqësve të vetë partive komuniste (Sllanski në Çekosllovaki, Kostovi në Bullgari, Gomulka në Poloni, Rajku në Hungari , Lluka e Pauker në Rumani etj.)

tito-stalinNë përputhje me modelin sovjetik, (që u centralizua nëpërmjet Byrosë Informative që u krijua në vitin 1947) për ndërtimin e bazave të socializmit ishte e domosdoshme kryerja e disa reformave, si shtetëzimi i industrisë, tregtisë, bankave, kolektivizimi i bujqësisë, revolucioni kultural si dhe industrializimi i vendit. Industrializimi konsiderohej i domosdoshëm për këto vende, me përjashtim të Çekosllovakisë dhe RD Gjermane (që vlerësoheshin si vende të industrializuara). Shembulli i B.Sovjetik për krijimin e industrisë së rëndë, solli si pasojë shpërpjesëtime dhe prapambetje të disa degëve tradicionale, siç ishin industria e lehtë apo ushqimore, ajo e prodhimit të mallrave të konsumit të gjerë etj. Ne këtë kuadër, në këto vende u krijuan degë të reja të industrisë, kryesisht ajo nxjerrëse e përpunuese, e prodhimit të makinerive të rënda, e ndërtimit të anijeve të tonazheve të mëdha, makinerive metal-prerëse, lokomotivave e shumë të tjera.

Në këtë periudhë, ritmet e zhvillimit ekonomik ishin tepër të larta, në ndonjë rast me rritje deri në 30 përqind në vit. Është fakt se në mesin e viteve 50-të ishte krijuar një potencial i fuqishëm ekonomik, por me shpërpjesëtime të dukshme, ku dominonte industria e rëndë dhe ku, industria e lehtë dhe prodhimi i materialeve të konsumit të gjerë dhe bujqësia, nuk po ecnin me të njëjtat ritme. Sipas të dhënave zyrtare, në këtë periudhë, ritmet e rritjes mesatare të prodhimit industrial ishin rreth 10 përqind në vit, gjë që solli kthimin e tyre, nga vende agraro-industriale në industrialo-agrare. Kështu në vitin 1953, në krahasim me paraluftën, prodhimi industrial u rrit: në Poloni 3,6 herë, në Hungari 3.5 herë, në Çekosllovaki 2.2 herë, në Bullgari 4.4 herë, në Rumani 2.5 herë. Por nuk ndodhi kështu me bujqësinë, ku ritmet e rritjes ishin të ultë në krahasim me industrinë. Kështu për periudhën 1950-1953, prodhimi bujqësor në Poloni 10 u rrit përqind, në Çekosllovaki 12.5 perqind etj.

Njëlloj si në Bashkimin Sovjetik, në këto vende u bë kolektivizimi i bujqësisë, që në mjaft raste u shoqërua me dhunë, proces që u realizua në vitet 1950-1960. Por pati vende si Polonia ku fshatarësia, në masë nuk pranoi të kolektivizohej.

Kjo periudhë karakterizohej nga reforma sociale dhe ritme të larta në zhvillimin e arsimit, kulturës, shëndetësisë, sportit etj. Kështu për shembull në fushën e arsimit, në Rumani, numri i nxënësve, në krahasim me vitet 1938-1939 u rrit me 4.7 herë, numri i studentëve u rrit me 2.2 herë, në Poloni numri i studentëve u rrit me 2.8 herë, në Hungari numri i nxënësve u rrit me 3 herë, ndërsa i studentëve me 5 herë etj.

Vdekja e Stalinit nuk solli ndryshime të dukshme në këto vende. Megjithatë çlirimi nga frika që kishte përfshirë shumë njerëz në këto vende, nxori në pah kontradiktat e socializmit totalitar që përditë e më shumë po bëhej mbizotërues, si dhe pakënaqësinë e masave nga kufizimet në shumë fusha të jetës, nga ritmet e ultë të rritjes së nivelit të jetesës, nga lufta e klasave, mungesa e lirisë së mendimit dhe fjalës së lirë etj. Si pasojë, në RD Gjermane (1953), në Poloni(1956) e Hungari (1956) u shfaqen dukshëm kriza politike, të cilat, në RD Gjermane dhe Hungari u kapërcyen me “ndihmën” e Ushtrisë së Kuqe…..

Në RD Gjermane, në qershor të vitit 1953 filloi një demonstratë spontane e punëtorëve të ndërtimit, të cilët dolën në rrugët e Berlinit kundër uljes së pagave. Të tilla demonstrata, në mbështetje të kërkesave të punëtorëve të Berlinit, u zhvilluan edhe në disa qytete të tjera, gjë që solli paralizimin e qeverisë. Udhëheqësit e RD Gjermane me ndihmën e Ushtrisë sovjetike arritën të “stabilizojnë” situatën.

(Në vitin 1955 u krijua Traktati i Varshavës që rriti edhe më shumë vartësinë politiko-ushtarako-ekonomike të këtyre vendeve nga Moska).

Ne Poloni, në vitin 1955 volumi i prodhimit industrial ishte katër herë më i madhe se ai i para luftës, por industria e lehtë dhe ushqimore dhe prodhimi bujqësor kishin mbetur prapa, e për pasojë furnizimi i popullsisë linte për të dëshiruar. Në mars të vitit 1956 në Poznan e në disa qytete tjera filluan demonstrata masive kundër qeverisë, me kërkesa për rrëzimin e saj, si e paaftë për të kapërcyer vështirësitë dhe për të ndërmarrë reforma. Kriza u zgjidh në mënyrë paqësore duke shkarkuar udhëheqjen e mëparshme dhe duke sjellë në krye V.Gomulkën (që deri atëherë ndodhej në burg). Në këto kushte u formulua koncepti i ri i ndërtimit të socializmit në kushtet polake, çka do të thoshte hapa pozitive drejt demokratizimit të jetës në vend. Kështu, në fushën politike, sipas ligjit të ri të zgjedhjeve u lejua paraqitja e shumë kandidatëve, pra edhe nga parti të tjera dhe jo vetëm nga ajo komuniste, u lejua feja në shkolla, u rregulluan disa probleme në marrëdhëniet polako-sovjetike, u ruajt prona private mbi tokën bujqësore etj. Sidoqoftë kriza polake u kalua në mënyrë paqësore.

Në Hungari ngjarjet u zhvilluan sipas një skenari tjetër, por që pati pasoja tragjike. Gjithçka filloi si lëvizje e studentëve dhe e intelektualëve, ku fillimisht kërkoheshin reforma demokratike, ndalimi i represioneve politike, largimi i Rakoshit nga posti i Sekretarit të Parë i KQ të PK Hungareze, rehabilitimi i Imre Nagit (ish anëtar i Byrosë Politike, i dënuar me burg) etj. por që më vonë u kthye në një bllok me kërkesa politike që kishte si qëllim likuidimin e sistemit ekzistues politiko-shoqëror. Situata u ashpërsua shumë dhe doli jashtë kontrollit, çka solli përdorimin e armëve. Në këto kushte ndërhyri Ushtria Sovjetike (gjatë përleshjeve të armatosura u vranë mbi 4000 hungarezë dhe 660 ushtarë sovjetikë). Ai që ka hy në histori si Revolucioni Hungarez u shtyp me dhunë nga ushtria sovjetike. HuH HSi rezultat, Moska e “stabilizoi situatën” dhe solli në pushtet Janosh Kadarin (ish kuadër i lartë i P Komuniste, i dënuar me burg).

Pavarësisht nga mënyra si u shmangen këto kriza, në këto vende filloi një kurs i ri, i cili shmangte disi (përkohësisht) shkaqet kryesore të pakënaqësive. Kështu u ulën ndjeshëm represionet politike si dhe filloi rehabilitimi i viktimave të dënuara politikisht. U rishikuan dhe u ndalën ritmet e larta të industrializimit, u zbutën format e kolektivizimit (në Poloni ato u ndërprenë), u hoqën pjesërisht masat që kufizonin biznesin privat etj. Më vonë, u ndërmorën disa reforma ekonomike, po ashtu u ndryshuan disa nga mënyrat e rrugët e bashkëpunimit midis BRSS dhe vendeve aleate, të paktën në formë, ato u kthyen në forma bashkëpunimi mbi baza barazie etj.

Mbas Kongresit të XX të Partisë Komuniste të BS (1956), ku u dënua kulti i individit i Stalinit, pothuajse në të gjitha këto vende erdhën në udhëheqje njerëz të rinj, të cilët premtuan eliminimin e kultit të individit dhe zgjerimin e demokracisë socialiste. U minimizuan represionet, u rehabilituan pothuajse të gjithë të dënuarit politikë, u zgjerua pjesëmarrja e partive jo komuniste në jetën politike të Çekosllovakisë, Polonisë, Bullgarisë dhe RD Gjermane. U rrit roli i parlamenteve dhe organeve të pushtetit vendor etj. Por roli udhëheqës dhe drejtues i partive komuniste mbeti i pandryshuar. Në fushën ekonomike u bënë disa korrigjime. Kështu ndërmarrjet ekonomike fituan një lloj pavarësie. Megjithëse vazhdonte industrializimi, u rriten investimet për prodhimin e mallrave të konsumit të gjerë dhe të prodhimeve bujqësore për popullsinë. U rrit buxheti dhe investimet për arsimin, shëndetësinë, sigurinë sociale etj. Në disa vende (Hungari, RD Gjermane, Poloni) u lejua sipërmarrja private, megjithëse me kufizime. Në fushën e bujqësisë kolektivizimi kishte përfunduar (me përjashtim të Polonisë), por u zbutën format e dhunës dhe u zëvendësuan me metoda ekonomike, u hoq sistemi i furnizimit të detyruar për shtetin, u vendosën pensionet për kooperativistët etj.

Sipas të dhënave zyrtare, deri në mesin e viteve 60-të, në të gjitha këto vende ka pas rritje të dukshme ekonomike, motori i së cilës ishte industrializimi. Por ritmet e rritjes së industrisë në këto vende nuk krahasoheshin me bumin ekonomik të disa vendeve perëndimore. Në këtë periudhë pati rritje të nivelit të jetesës. Organizatat e masave, (frontet, sindikatat e madje edhe kisha) deklaroheshin në mbështetje të masave social-ekonomike dhe kursit të ri të partive komuniste. Shumica e këtyre vendeve deklaruan ndërtimin e bazave të socializmit.

Realiteti dhe faktet e viteve 1960-1965-të tregonin se, pavarësisht nga masat e marra dhe një lloj demokratizimi i jetës, sistemi politik i instaluar ishte konservator dhe i pa aftë për ndryshime të thella. Madje edhe ato reforma që u ndërmorën dhe, që u reklamuan me të madhe gjatë kësaj “pranvere” të shkurtër u ndërprenë nga mesi i viteve 60-të. Në fushën ekonomike, u ngadalësuan ritmet e zhvillimit, u ruajt, madje u thellua drejtimi i komanduar administrativ që pengonte intensifikimin e ekonomisë, zhvillimin e revolucionit tekniko-shkencor dhe shfrytëzimin e rezultateve të tij që ishin arritur në vendet e zhvilluara perëndimore. Më qartë se kudo këto pasqyroheshin në treguesit ekonomikë, e në radhë të parë në rendimentin e ultë në punë, në koston e lartë të prodhimit, në cilësinë e ultë të mallrave, të pa afta për të konkurruar në tregjet perëndimore etj.

Problemet ekonomike që u shfaqën gjatë kësaj periudhe, më së shumti sollën lindjen dhe zhvillimin e krizave të reja të socializmit, ku më dukshëm se kudo u shfaqën në vitin 1968 në Çekosllovaki. Në udhëheqjen e P.Komuniste çekosllovake ishte krijuar dhe po forcohej krahu reformator, i cili fillimisht doli me kërkesa për rehabilitimin e viktimave të represioneve politike, më vonë për domosdoshmërinë e reformave të thella ekonomike dhe përsëri, më vonë, në vitin 1968, kur arriti të dalë në krye të partisë, ky grupim u shpreh hapur për reformimin e partisë dhe shoqërisë dhe, kryesorja, për ndërtimin e një shoqërie ndryshe, të quajtur “socializmi me fytyrë njeriu”. Për herë të parë në vendet socialiste, udhëheqja e një partie komuniste, kërkonte heqjen dorë nga monopoli i partisë mbi pushtetin, ndarjen e funksioneve të partisë nga ato të shtetit, realizimin e detyrave të partisë vetëm nëpërmjet punës me masat, lirinë e mendimit në parti, heqjen e censurës, heqjen dorë nga përndjekja ndaj atyre që kanë mendime të ndryshme nga ato të udhëheqjes, kryerja e reformave radikale ekonomike etj.

 

Numrin e ardhshëm do të lexoni

-Qetësimi i gjendjes në vitet 70-të

-Arsyet përse u gangrenizua Lindja komuniste

-Kriza e dukshme e viteve 80-të

 

Share This Article
8 Comments
  • Analiza e Shaqir Vukaj është e saktë , jam në një mëndje me të .
    Ç’do shqipëtar nën moshën 40 vjeç bën mirë të njihet me mendimet e këtij burri të ndershëm që i ka trutë në kokë dhe këmbët në tokë !
    Të falënderoj , Shaqir Vukaj !

  • kjo nuk asht analiz e Shaqirit ,ai e ka kopjue para nji muejit e kan dhan edhe tjer ,po si gjitmon shiptart kopjojn,ashtu si kopjoj Shaqiri komunizmin.

  • Teme interesante qe diskutohet ende sot, madje edhe ne vendet perendimore. Do te shohim si do ta trajtoje zoti Vukaj. Per vete mendoj se ai sistem u shkaterrua vetem per nje arsye madhore: I mungoi kryekeput demokracia. Qe andej rrodhen te gjitha te keqijat e tjera. Por sido qe te ishte komunizmi nuk luftonte dot me kapitalizmin, i cili eshte shume me efikas. Krushovi ne vitet ’60 pat deklaruar se ne garen midis kampeve socialiste dhe kapitaliste do te fitoje ai sistem qe ka rendimentin me te larte. Dhe fitoi kapitalizmi. Kapitalizmi eshte nje sistem i padrejte dhe i pameshirshem, por pikerisht per keto shkaqe eshte edhe me efikas. Ndersa komunistet shqiptare apo sovjetike “humben rrugen” duke ecur “shtigjeve te pashkelura”. Si perfundim jam i kenaqur qe komunizmi enverian e pesoi ashtu si e pesoi dhe mendoj se sistemi me i mire ekonomik, (por jo i persosur edhe ai) mbetet kapitalizmi shteteror qe ka ekzistuar ne Europen Perendimore deri ne vitet ’80 dhe vazhdon edhe sot ne Kine, Rusi, Turqi, Indi, Brazil etj. Pra nje perzierje midis kapitalizmit dhe socializmit.

  • ç’FARE ESHTE euro e Europa ?

    Eshte nje Urdher i ri social e Totalitarist ,
    programuar shume kohe me pare ,
    Ne periudhen ndermjet Dy luftrave ,duke perfunduar
    gjate rruges se Regjimit Mitterand ,
    Ne kete Urdher te ri nuk do te kete shtete te Pa varura
    Shtetet do te zhduken ,
    dhe aq me shume ato shtete qe gjejne Origjinen e Demokracise .

    Tek urdheri i Ri ,
    Fuqia do te jete Transferuar Plotesisht tek Elitat ,
    tek Klasa Kapitaliste Teknokratesh qe i pelqen
    Fuqia e Kontrollit apsolut ..

    Alain Pargues
    prof -of economi University France .

  • CDO LLOJ SISTEM KA PATUR NJE PERIUDHE “TE SHNDRITSHME”,KUR QYTETARET E VET KANE PROSPERUAR.

    E PRA, O SHOKU SHAQIR, DUHET TA DISH ME MIRE SE TE GJITHE SE SISTEMI KOMUNIST NUK PATI ASNJEHERE NJE PERIUDHE TI DHURONTE POPULLIT

    PUNE, PAGESA TE MIRA DHE JETESE TE MIRE.

    KETE DUHET TA DISH, SEPSE KE JETUAR VETE NE ATE SISTEM.

    VETEM NESE TI KONSIDERON SI “SHKELQIM” FAKTIN QE NJE GRUP KRIMINELASH KRIJUAN KUSHTET PER NJE JETE LUKSOZE PER VETEN E TYRE.

  • nuk e di se cdo te thote autori me kete shkrim por nji gje me pelqeu qe thote qe keto shtete u ndihmuan nga BRSS si nga ana teorike edhe materiale..Po te vijm ne ditet tona keto ish shtete
    socjaliste perfshi dhe shqiperine jo vetem nuk u ndihmuan por u shkateruan dhe ato zona industriale qe paten duke ngelur ne meshire te fatit nga industrite kapitaliste evropjane per ekspansion konsumi.Nji gabim fatal per diplomacine amerikane ishte nji plaan marshall pas 90,per ish vendet socjaliste.U mjaftua vetem me asistence teorike ,kurse ate materjale e la ne doren e barbarve te evropes se vjeter ..kjo do te thote qe evropa nuk ka zen mend edhe pas dy luftrave boterore qe humben pushtetin ekonomik dhe ushtarak duke ja dhene SHBA dhe federates Ruse ..vendet barbare te evropes plake i jane kthyer serish endrrave te tyre
    te vjetra ..dhe SHBA e pafuqishme ndjek ngjarjet si spektator.
    NJi shprehje e Galeve kur hyne ne Rome 100 vjet para se ti pushtone Cezari..
    MJERE TE MUNDURIT..si duket nuk kan zene mend..
    Ndersa
    per sistemin komunist ishte i destinuar te deshtonte ,sps eshte ne kundershtim me natyren e njeriut.edhe pse reforma e dhunshme e Stalinit e ndryshoi Rusine feudale ne industri agrare..ishte nji frut i pjekur nga jasht qe ju servir me zor ta hanin ,nga ana morale ishte i bukur por ne praktike ishte e pamundur per shoqerine sidomos per nji shoqeri si ajo shqiptare qe e ka der ne qelizen me te vogel pervetsimin e pasurise personale.
    T ani mbyllja e ciklit ekonomik te KEJNESIT ne vitet 80 dhe ardhja e teorise ne praktike e VON HAYEKUT,solli Liman bradhersin , duke e vene ne udhekryq serish ekonomine kapitaliste..per te gjetur rruge tjeter ..Fantazmat e Marksit dhe Leninit po shfaqen ne horizont akoma me shume si kunderpergjigje per kapitalin..

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *