Blok: Holanda, e angazhuar për perspektivën evropiane të Shqipërisë

Ornela

Ministri i Jashtëm Holandës, një prej vendeve më skeptike për kushtet e plotësuara nga Shqipëria në rrugën drejt hapjes së negociatave, tha nga Tirana se Amsterdami mbështet perspektivën evropiane të Shqipërisë.

Stef Blok, në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun Bushati, tha se “Holanda është e angazhuar dhe e përkushtuar për perspektivën evropiane të Shqipërisë. Shteti ligjor dhe demokracia qëndrojnë si vlera themelore të BE-së dhe ne shikojmë se qeveria e Shqipërisë është fuqimisht e dedikuar në këtë fushë dhe po kryen hapa seriozë.”

Ai tha se Holanda dhe Shqipëria po punonin sëbashku edhe për të luftuar migrimin e paligjshëm në BE dhe dekurajimin e shqiptarëve për të kërkuar azil në këto shtete.

Blok tha se raporti i Komisionit Europian për progresin e Shqipërisë në reformat e kërkuara para hapjes së negociatave do të jetë vendimtar për votën e Holandës në Qershorin e vitit 2019.

“Pa pasur këtë raport në dorë nuk mund të them asgjë për qëndrimin tonë përfundimtar”, tha ai. “Ne jemi të angazhuar dhe të përkushtuar për perspektivën evropiane të Shqipërisë, por në bazë të progresit të dukshëm dhe konkret. Të njëjtin mesazh u kam dhënë edhe vendeve të tjera aspiruese”,  tha ai.

Ndërsa Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, u shpreh shpresëplotë për një vendim pozitiv të KE-së dhe vendeve anëtare në Qershor.

“KE ka bërë rekomandimin, këshilli ka vendosur një kalendar të qartë, detyrat po ashtu janë të qarta. Besoj është bërë një progres i madh për sa i përket reformave të sundimit të së drejtës dhe në ekonomi. Jam shpresëplotë se KE dhe vendet anëtare do t’i japin dritën e gjelbër nisjes së negociatave për anëtarësim Shqipërisë”.

o.j/dita

Share This Article
1 Comment
  • Boll me keto genjshtra se na e shpifet. Nuk ka minister te jashtem te botes qe te mos jete shprehur se eshte ne favor te integrimit te Shqiperise ne BE. Por…. se ka gjithmone nje “por”, duhen plotesuar keto dhe ato kushte. Llafe te bukura dhe gure ne traste, – thoshin te vjetrit. Ndersa keta qeveritaret duan t’i hedhin hi syve njerezve. Kemi 20 vjet qe i degjojme keto fjale te bukura dhe premtime boshe te diplomateve te huaj. Zgjidhja nuk vjen nga i ashtuquajturi integrim i Shqiperise ne BE, por nga rindertimi i shtetit shqiptar. Shqiptaret jane perkrahesit me te medhenj te anetaresimit ne BE, per te emigruar. Njelloj si studentet qe kerkojne diploma qyl per te ikur ne Kanada apo Gjermani.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *