Dërguar me email
në adresën e redaksisë
Një egocentrik ekstremist shikon veç atë që i intereson, fshin tek tjetri çdo gjë të mirë dhe të keqen e zmadhon. Me dashje a pa dashje, Blushi tregon se nihilizmin e tij kundër Ramës e ka kthyer në një predispozicion. Bën dy gabime njëherësh. Së pari, Rama me qeverisjen e tij nuk është vetëm i mirë, as vetëm i keq. Së dyti, Blushi bëhet një Hamlet virtual që i drejtohet partisë së vet: “O prapësi, o dreq, paskam lindur të të ndreq!”. Duke kaluar gjithçka nëpër sitën e kritikës, Blushi qëndron brenda së ligës kundër së mirës me keqdashje duke renditur vetëm të këqijat si të vërteta, kur disa institucione monitoruese të specializuara rendisin edhe përpjekjet, edhe rezultate të mira në disa aspekte të qeverisjes Rama-Meta. Gjithkush ka të drejtë të mendoje si të dojë, por liria e shprehjes nuk mundet të kontribuojë kur fillon të spekulojë, sepse duke i shqyrtuar me vëmendje një për një pyetje-akuzat e Blushit, shumë prej tyre janë përtej qeverisjes Rama-Meta edhe si shkak edhe si pasojë. Këto pyetje-akuza të Blushit që nuk kanë asnjë lloj dashamirësie, janë simptoma dashakeqësie që tregojnë viruse armiqësie të primitivizmit të politikës sonë.
