Neglizhenca në sigurimin e krediteve nëpërmjet frekuentimit të aktiviteteve të edukimit në vazhdim rrezikon vendet e punës për qindra mjekë, farmacistë dhe stomatologë. Që të gjithë këta profesionistë duhet t’i nënshtrohen provimit për të konfirmuar përditësimin e njohurive profesionale, në të kundërt rrezikojnë të largohen nga vendet e tyre të punës. Drejtuesit e Qendrës së Edukimit në Vazhdim, bëjnë me dije se këtyre profesionistëve të shëndetit u është lënë në dispozicion një javë për të bërë regjistrimin, si kusht i domosdoshëm i hyrjes në provimin e certifikimit.
Afatet e regjistrimit për provimin
Po sipas burimeve zyrtare të këtij institucioni, që të gjithë këta profesionistë që do t’i nënshtrohen provimit të certifikimit, duhet të regjistrohen pranë Qendrës Kombëtare të Edukimit në Vazhdim brenda datës 30 nëntor 2017. Për regjistrimin, këta profesionistë duhet të paraqesin një kërkesë me shkrim për t’u pranuar në provim, e cila duhet të dorëzohet në afatet e përcaktuara.
Ndërkohë që kësaj kërkese duhet t’i bashkëngjiten edhe një fotokopje të kartës së identitetit, lejes së ushtrimit të profesionit dhe fatura e pagesës së provimit. Dokumentacioni dorëzohet vetëm në regjistrimin e parë dhe shërben edhe për regjistrimin pasardhës në rast përsëritjeje të provimit për mbetësit. Gjatë ditëve në vijim Ministria e Shëndetësisë do të zbardhë edhe listën zyrtare të të gjithë profesionistëve që janë në mungesë me kreditet, e që duhet të testohen për të mbrojtur vendet e tyre të punës.
Çfarë është provimi i certifikimit?
Provimi kryhet për të vlerësuar nivelin e njohurive dhe të kompetencave për të gjithë punonjësit që nuk janë angazhuar plotësisht në edukimin e tyre në vazhdim, sipas programit të përcaktuar. Përmbajtja e provimit hartohet nga Komisioni i Provimit të Certifikimit në përputhje me veprimtarinë profesionale të profilit të punonjësit dhe zhvillimeve të reja shkencore të ndodhura në këtë fushë. Pas kalimit me sukses të provimit, çdo pjesëmarrës merr dëshminë përkatëse nga Bordi i Edukimit në Vazhdim, e nëpërmjet dorëzimit të saj në organet e urdhrave profesionalë konfirmohet edhe vlefshmëria e kontratës së punës.
Testimi me shkrim
Në rastet kur numri i pjesëmarrësve me mungesë kreditesh për një specialitet të caktuar është më i vogël se 50 kandidatë, atëherë provimi do të zhvillohet me shkrim pranë Komisionit të Provimit të Certifikimit. Pyetjet hartohen po nga ekspertët e këtij komisioni, testimi në këtë rast do të jetë me zhvillim. Sa i takon testimit me shkrim, komisioni duhet të ketë përgatitur jo më pak se 7 teza për çdo specialitet. Çdo tezë do të ketë në përmbajtje nga tre pyetje me zhvillim.
Në çdo rast përmbajtja e këtyre pyetjeve duhet të jetë brenda programit orientues të specialitetit përkatës dhe në përputhje me zhvillimet e reja shkencore në këtë fushë. Teza vlerësohet në total me 100 pikë. Shpallja e rezultateve do të bëhet sipas numrit të lejes së ushtrimit të profesionit dhe jo sipas emrave të personelit. Sikundër ndodh me provimet e shtetit edhe për testimin e certifikimit, çdo pjesëmarrës ka të drejtë që të hyjë në testim deri në 5 herë, ndërkohë që i nënshtrohet edhe tarifave të përcaktuara tashmë për secilën nga tentativat e dhënies së provimit.
Pranvera Kola/DITA
