Ish-ministri i Financave, Ridvan Bode thotë se në buxhetin e shtetit mungojnë 430 milionë dollarë taksa që u janë shtuar qytetarëve. Gjatë fjalës së mbajtur në Parlament, tha se 90% e shumës është taksë që merret direkt nga qytetarët.
“Qeveria vendosi 430 milionë dollarë taksa shtesë për qytetarët. Por çfarë ndodhi? Nga këto taksa që kjo qeveri gostiti shqiptarët, 90 përqind e tyre janë taksa që paguhen nga qytetarët dhe vetëm 10 përqind taksa të shtuara për bizneset. Kemi të bëjmë jo thjeshtë me një pamundësi për të paguar taksat, por edhe me rritje të evazionit fiskal. Duhet të kishim edhe 160 milionë dollarë taksa të reja, por efekti i tyre do të jetë i shuar pasi në fund të 2015 në buxhet do të ketë të njëjtin vëllim të ardhurash. Ne në korrik ulëm programin e të ardhurave të qeverisë me 230 mln dollarë dhe tani vijmë që kemi edhe 200 mln dollarë deri në fund të vitit taksa më pak që duhet të vinin nga rritja ekonomike. Edhe për vitin 2016 programohet që të ketë një rritje taksash dhe të ardhurash që nuk do të vijë”, tha Bode.
Deputeti demokrat tha se masat e ndërmarra nga qeveria për mbledhjen e taksave do të kenë efekt të kundërt nga ajo që parashikohet. “Qeveria, në vend që të aplikonte një politikë më miqësore dhe jo me fushata policore, vijon të këmbëngulë përmes dhunës dhe rritjes së taksave dhe presionit se do t’ia dalë të mbledhë në 2016 ato që humbën në për këtë vit. Rritja e presionit dhe dhunës mbi biznesin dhe qytetarët nuk do të sjellë gjë tjetër veçse humbje të mëtejshme të kapaciteteve që ka vendi për të investuar dhe punësuar”, u shpreh ai.
Lidhur me projektbuxhetin, Bode tha se investimet publike të qeverisë parashikohen në minimumin historik dhe se gjysma e buxhetit, sipas tij, shkon për shpenzime luksi.
“4 për qind nuk ka ndodhur asnjëherë më parë në qeverisjen qendrore. Asnjëherë nuk kanë qenë në këto nivele, ndërkohë 50 për qind, si asnjëherë tjetër shkojnë për shpenzime administrative”, deklaroi Bode.
