Kreu i Financave shqiptare ka zgjedhur rrjetin social Facebook për tju thënë ish të përndjekurve se është miratuar listëpagesa për këstin e dytë të dëmshpërblimeve për mbi 700 dosje. Nëpërmjet këtij komunikimi virtual, Bode ka deklaruar gjithashtu se brenda dy muajve do të përfundojë i gjithë procesi i shpërndarjes së këstit të dytë. Vështirë se ndonjë nga ish të përndjekurit ka mundësi të përdorë këtë rrjet social për përgjigje, pasi një pjesë e tyre edhe janë ndarë nga jeta pa mundur të marrin dëmshpërblimin për vitet e tyre të burgut, por bijtë e tyre i kanë kthyer përgjigje Ministrit Bode, duke i thënë se ky dëmshpërblim nuk erdhi kurrë për ta. “Ah more Bode ne të persekutuarit vertet votojmë PD, por për paratë mos gënje, se babai im i bëri një thes me letra dhe vdiq pa marr gjë”, thuhet në një koment në këtë rrjet duke kërkuar të mos tallen me eshtrat e të parëve të tyre. Vështirësitë financiare më të cilat është përballur vitet e fundit dhe formula e shpërndarjes së dëmshpërblimeve për ish-të përndjekurit politikë ka sjellë jo pak pakënaqësi tek këta të fundit, që në dalje të herëpashershme publike kanë shfaqur kritika lidhur me vonesën e procesit. Megjithatë, referuar të dhënave zyrtare të publikuara nga ministri Bode, nga këshilli i ministrave janë miratuar gjithsej 11 mijë e 729 dosje për ish të dënuarit politikë. Për këstin e parë janë paguar gjithsej 10 mijë e 594 dosje ndërsa janë edhe 1135 dosje të tjera në procesin e shpërndarjes së këstit të parë. Ndërkohë, pagesa e këstit të dytë është kryer për 3885 dosje ndërsa 6397 dosje janë në proces pagese.
