Pirro Loli
Këto shënime desha t’i përcillja si protestë, kundër të gjithëve, partive, pushteteve, shtetit, kishave e xhamive, por,… Së pari duhet të bindja veten. Unë universitari, dhe pedagogët e mi, tërë jetën me libra në duar, kishim kaluar aq përciptas para Pjetër Bogdanit, para këtij personaliteti të rëndë e të ditur me vlera kombëtare. Ai shkroi tri vepra monumentale : Çeta e profetëve (Cuneus prophetarum), Jeta e Jezu Krishtit, shëlbuesit të botës (De vita Iesu Christi, salvatoris mundi) dhe Këngët e Sibilave, vepra këto, që mund t’i bënin nder çdo vendi evropian e gjuhe të zhvilluar. Pjetër Bogdani vazhdon të eci nëpër shekuj “me qiri të ndezur në dorë” (shprehje e tij) për të ndriçuar mendjet tona). Por Grigjat e arkipeshkvit të Shkupit e Shkodrës si në të gjitha kazatë e Shqipërisë, rënkonin nën zgjedhën e armikut më të egër të kohës. Kombi i tij kërkonte dhe ushtarin dhe komandantin. Dhe Pjetër Bogdani iu bë ushtar e komandant. Më 1639, ai mblodhi mijëra luftëtarë nga trevat e tij dhe në krye të tyre, me armë në dorë u bashkua me forcat Austro-hungareze kundër barbarisë turke. Pjetër Bogdani ishte një intelektual me penë të hollë në dorë. E, rrallë si ky burrë, bëhet bashkë kleriku, studjuesi, poeti, ushtari e komandanti. I dhimbej populli për gjendjen e mjeruar nën robërinë otomane, i dhimbej gjuha shqipe dhe kisha dhe u dha atyre të gjithë dashurinë si shenjtor. Dhe jetën si dijetar. Dhe shpirtin si misionar e poet. Dhe eshtrat si dëshmi e patretur shekujve kundër barbarisë osmane. Ai komandoi Çetën e trimave në aleancë me Austro hungarezët kundër hordhive turke. Pikërisht ky shembull, drejtimi perëndimor, synim i fesë apostolike kristiane, do ishte dhe busulla permanente e Shqipërisë shekujve të ardhshëm. Çakordimi i kësaj busulle do shkaktonte drama e akte tragjike tepër të rënda kombëtare.
NJË PROBLEM
Që në vitin 1919 (te “Dituria” ), Lumo Skendo do shkruante: “S’ka dalë Akoma njeriu që të analizojë Bogdanin, të bëjë gramatikën dhe kritikën e tij”… Kaloi shumë kohë, shekuj që, personalitete të kulturës përmes e kanë ngritur lart figurën e tij, kryesisht si lëvrues i shquar i gjuhës së shenjtë shqipe. Duhet të përulemi me respekt ndaj figurave të shquara duke filluar që nga Eqrem Çabej, Faik Konica, dhjetëra të tjerëve të vendit e të huaja , deri te Dr. Ibrahim Rugova që unë do të veçoja si studiuesin më të spikatur që e ka parë Bogdanin (botim i vitit 1982), jo vetëm në kompleksitetin e tij shkencor, fetar e artistik si krenari të kulturës shqiptare, por dhe model metodik të punimeve shkencore. E vi tek më e reja, Prof. Dr. Anila Omari që botoi (2006) një studim të plotë të “Çeta e profetëve” të Pjetër Bogdanit me 950 faqe, duke spikatur në një studim filologjik të veprës së autorit.
***
… Por problemi qëndron shtrirë: Këto botime nuk janë bërë pronë e dijeve dhe e edukimit tonë. As të inteligjencës. Njihen në mjedise tepër të ngushta e heshtin nëpër biblioteka, librari e arkiva. Ushqimi me këto vlera mungon, mungojnë programet; edukimi çalon në të gjitha instancat e shkollës, klasa e auditorë, universitete e deri në institute shkencore e akademi. E dihet, jo vetëm për këtë rast, krenaria jonë kombëtare, kërcet në boshllëk pa burrat e vërtetë të kombit, të kombit të pabërë. Ata nuk janë bërë mish dhe gjak i kulturës dhe psikologjisë shoqërore. Jo vetëm Bogdani, por dhe shumë e shumë të tjerë fushave të ndryshme të dijes, të fesë, shkencës, artit, letërsisë, politikës, mbrojtjes, luftës, shtetit, ( që nuk na kanë munguar). Na ndodh që kur vjen rasti i pëmendim me epitete e superlativa, si – heronj e heroizma – e në darkë harrohen, e brezi i ri kur u dëgjon emrin, i duken sikur janë nga Honoluluja. Epitetomania artificiale e mbulon thelbin deri në mohim. Kemi heshtur shumë. Dhe me shekuj. Po na thahet kujtesa. Deri në mosqenie. Edhe tani në lirinë e shprehjes, kështu po veprojmë me të shpërfillurit e mëdhenj si Fishta, Camaj, Nënë Tereza… Për të mos u hedhur në lashtësi e në mesjetë si fjala vjen, te Niketë Dardani, (340 – 414), autori i “Te Deum”, hymnit bazë dhe simboli i krishtërimit, artistit nga Dardania, një nga emrat e parë të historisë kulturore të krishtërimit dhe një nga themeluesit e kësaj kulture…e, keshtu, për Shjefën Gjeçovin… U bë 90 vjet që na i vranë, atë themeluesin e arkeologjisë shqiptare, shkrimtarin, etnografin, humanistin; atë burrë që ngriti më këmbë burrin tjretër të kombit Lekë Dukagjinin, me kanunin e tij të famshëm përkthyer në disa gjuhë….; Po heshtim dhe për për Pal Zogajn, autorin e parë të gramatikës të gjuhës shqipe, po po, të parën në këto 2000 vjet…,(Gramatika e Bogdanit, fatkeqwsisht ka humbur)…Ja kështu, shprishur gjaku ynë metropoleve të botës, shpërfillur, harruar e mohuar . Si Bogdani plot e plot të tjerë…Dhe më tej dhe atyre që na bënë Shqipërinë dhe gjuhën dhe shkollwn shqipe, rlindasve të ndritur lehtësisht u kemi vënë bishta e u kemi hedhur pluhur. E Naimi, s’është plotësisht Naim. As De Rada. As Migjeni, Migjen, as Ismaili Ismail, apo Moikomi Moikom.. E të huajt, që mund të kenë më shumë se ne, zgjatin duart për të na rrëmbyer dhe Aleksandrin dhe Skëndërbeun dhe Nënë Terezën dhe perandorë, kryeministra e gjeneralë. Sot dhe të rinj të talentuar përhapur e strukur emigrimeve si zogjtë e korbit, – punëtorë a jeniçerë, poetë a shkencëtarë që rrezikohen të humbasin si vesa…
ÇETA E PROFETËVE
Kryevepra e ipeshkvit Pjetër Bogdani “Çeta e profetëve” (Cuneus prophetarum) fillimisht u botua më 1685 në Padovë, e më 1691 dhe 1702 në Venedik. Është e para vepër origjinale në gjuhën shqipe; monument vlerash larë me diell në kulturën shqiptre; Me atë tematikën rrahur aq gjerësisht në fe, filozofi, historiografi, shkencë, gjuhësi, eseistikë, art, natyrshëm, e bën një gur të rëndë në themelet e gjuhës sonë, të historisë të autoktonisë, fesë, zakoneve. Kjo tematikë kaq e larmishme, i diktoi atij shumë stile, fjalor, të pasur, figuracion artistik, alfabetin latin e sintaksë të pasur origjinale në shumë fusha. Ai, mjeshtërsisht, i spërkati me yje duke synuar të ndriçonte mendjet e njerëzve. Dija, dëshira, qëndresa, misioni i tij “ buron nga Bariu i Mirë, Shëlbuesi i botës, Jezu Krishti. Ky është ideali që e frymëzoi imzot Pjetër Bogdanin gjatë veprimtarisë së tij në shërbim të Popullit,kishës dhe kombit”. Ky libër u bë bazë themeli për liturgjinë në gjuhën shqipe, por edhe objkt studimesh nga albanologë të ndryshëm, për njohjen, lëvrimin dhe përhapjen e gjuhës shqipe. E, pse jo, thirrje për çlirim e liri në gjurmët e Motit të Madh të Gjergjit tonë.. Vepra u botua disa herë në shqip, latinisht, italisht, sllavisht; u shoqërua edhe me poezi, ku spikati talenti i rrallë për kohën.
SIBILAT
Sibilat janë vasheza fort të mira e fort të bukura; i gjejmë në krye të këngëve e valleve, të profecive e bamirësive, shëruese dhe misionare për ta mbushur shpirtin e njeriut me dashuri dhe dhimbje “me shpirtin e tin zot”. Nuk ishin nga i njejti vend as i përkisnin një të së njejtes kohe; jetuan sipas ligjeve të natyres. Ishin dhjetë me emra të ndryshëm si: Kume, Libika, Deltika, Persika, Eritrea, Sammia, Kumana, Elesponita etj. Njihen që prej shek, V-të para erës dhe gjat shekujve u janë atribuar e u atribohen mrekulli të ndryshme. Disa i përmend dhe Platoni, Aristofani, Virgjili etj; sipas Ovidit sibilat jetonin 1000 vjet. Ato gjerësisht u bënë objekt i fantazisë së Renesansës; Mikelaxhelo, psh, fantazoi e pikturoi disa prej tyre. Një libër për to e ka shkruar dhe Shën Agustini. Poeti Pjetër Bogdani u kushtoi nga një poemë secilës. Ato jetonin dhe shkruanin mrekullitë e Krishtit, qeshnin e këndonin, hidhnin valle, bekonin e luteshin, shkruanin libra e poezi, profetizonin. Sibilat, këto zana të bukura përtej zanave, kanë ardhur në kulturën njerëzore, zë pas zëri, plot bukuri e bëma dhe kanë mbetur në shpirtin e njeriut, në poezi , muzikë e në pikturë. Ato janë zëdhënëse të jetës dhe bëmave të Jesu Krishtit, dhe frymëzoheshin nga Zoti. Shtete të ndryshme nxitonin t’i bënin të tyre sibilat në nga Azia dhe Evropa. Secili i donte për vete. Ato nuk i përkasin asnjë vendi e kohe. Si Zoti që nuk ka pasaportë. P. Bogdani, që e konceptonte poezinë art të hyjnishëm, sibilave të tij u dha lëndën, formën, e psikologjinë kristiane shqiptare. Ai “i rrëmbeu” për vendin e vet, i pruri në trojet tona, këtu , ku “dil prej gurit bukuria”, i mori e i përshtati, i bëri të flisnin shqip në trojet e tij shqiptare me misione të shenjta. Studjuesit thonë se poezitë e Bogdanit qenë me të mirat e më origjinalet krahasuar me simotrat evropiane. Sibilat bogdaniane aq poetike, qëndrojnë pa dyshim në themelin e artë të poezisë shqipe, të krahasuara denjësisht me poezinë më të mirë evropiane. Figuracioni poetik i Bogdanit, te poezia e Libikës, psh, e bën atë një poezi antologjike, jo vetëm në poezinë tonë si një gur themeli zbukuruar me rubinë metaforash krejt origjinale, por dhe të mesjetës në përgjithësi. “Me dielli veshun e mbathun me hanë /Me yj kryet rreth ngjeshun kunorë /Vajza Mri , e bukura ma fort se Zanë/Djalin Jesu kërthi mbaj ngrykë ndorë”…Ose …sa dheu s’ka me përzanë/ Kje ujku, delja , e kingji haj bashkë; Kërthini Djalë, e kulshedra lanë vetëm; pa dro, pa lot, as fjal, as vaj..Në kompleks, këto vargje (Vajza Mari, e bukura ma fort se zanë)tregojnë, së paku ,rrafshin e ngritur të shqipes në një stad poetik supelartë.
Një perlë tjetër afër Bogdanit e poezisë kulmore të tij ( në 20 strofa ) do thoshte “Duel prej gurit bukuria/Zana si një Sut e naltë/që kish brenba Venetia /Të Pashtrikut muer Maltë/”
E pra, e bukura – metafora duel prej gurit – dhe jo prej gurit të çfardoshëm gjetiu – jo – është Guri i Hasit ,,(Hasi i Gurit), është vendlindja e burrit të kombit, që ka emrin e një shenjti – “Shën” Pjetër Bogdani. Sibilat, të dhjeta, në poemat e tij duket sikur janë produkt i shqisave ku në pyllin e madh e misterioz të natyrës kishin gjetur vendin e duhur – në trojet e perëndive, në Pashtrikun majë naltë, në Tomorr, në Dodonë a në Olimb dhe, jo rastësisht, takoheshin pas njëmijë vjetësh në Gur të Hasit, e, çuditërisht në shtëpinë e Bogdanit.. Ishin vajza të bukura. Përtej zanave, thashë.. E këndonin e vallëzonin me mall. Ninullonin rreth djepeve me foshnja, e luanin me bebet. E ua lanin faqet e bardha me ujë trëndafili. E me sytë e shpirtit e gojën e shenjtë u mësonin aromwn dhe ritmet e shpirtit, alfabetin e gjuhës së nënës. Që gjuha e shenjtë të mos dvarej…E ato këngë u ndriçon bebeve ballin. E dheu arbëror ndrit në diell…
KRIMI BARBAR
Ai vdiq nga murtaja më 6 dhjetor 1689. U varros në katedralen e Prishtinës me nderime si Aarqipeshkv. Po krimi u bë pas varrimit. Ai vdiq nga murtaja. Ai u vra nga… po, po u vra!… Mbi varrin e tij mbritën barbarët. 20 dhjetor 1689, pas dy javësh. “Mbas vdekjes, – siç shprehet Dr. Mark Palnikaj, – sipas rregullave të asaj kohe, mbasi ishte Arqipeshkëv i Arqipeshkvisë së Shkupit, u varros në kishën katedrale në qytetin e Prishtinës. Urrejtja patologjike kundër komandantit dhe klerikut të lartë, verbëria kanibaleske – me thika e me thonj, e zhvarrosin, ia bënë trupin copa copa dhe ua hodhën qenve rrugëve të Prishtinës. Ky akt së pari, varrosi thellë e më thellë varrit barbarët turq. Së dyti, ky akt kaq kanibalesk, kaq makabër, I paparë dhe ndër barbarë, është frikë dhe tmerr për ta. Ajo Perandori e shpatës kaq përdhunshëm shkeli të gjitha normat morale e fetare për të gjitha religjionet dhe fiset e shpellave e të xhunglave…. Dhe më tej, vrasja tjetër poshtëruese për të gjithë: Katedralja ku u varros ky prelat lavdimadh, u shndërrua në xhami. Dhe ashtu vazhdon të jetë edhe sot e kësaj dite…Pas 330 vjetësh kështu.
***
Dhe protesta ime nisi këtu për t’u bashkuar me të gjithë ata inteklektualë (solidar jo vetëm me Dr. M. Palnikaj si shkas) që kanë shkruar e kanë ngritur zërin që gurët e mëdhenj të zënë vend në themelet e historisë dhe kulturës sonë. Këta gurë themeli nuk mund të mbulohen nëpër xhamira e të poshtërohen kësisoj, barbarisht nga pushtuesit. Kemi luftuar shumë. Kemi heshtur shumë. Kemi humbur shumw. 330 vjet që nga ai akt kanibalesk deri sot e kësaj dite.. 330 vjet.(!).
EPILOG
Jam i sigurt se kjo heshtje e rëndë mal mbi burrat e kombit na rëndon , na poshtëron të gjithëve pavarësisht partive që venë e vinë, pavarësisht nga krahinat dhe religjionet e sektetet e shumta, që më tepër na përçajnë se na bashkojnë. Kombi është një organizëm i gjallë që, dhe një gjemb t’i hujë në këmbë e ndjejnë dhimbjen të gjithë. Shpreh besimin se populli i qytetit të Prishtinës, atëherë në kohë të barbarëve, është drithëruar me këtë akt barbar, dhe jam i bindur që dhe sot mbas 330 vjetësh, pasardhësit e tyre shqiptarë, edhe pse të besimit islam, nuk i honepsin këto veprime. Të atyre, ish pushtuesve që me dhunë , gjak, shpatë, helm, bakshish, intrigë, përçarje, na lanë shkatërrimin fizik e shpirtëror.
…Por, në tre shekuj e ca, mor vëlla, nuk pati një rast për ta ngritur më këmbë këtë burrë?! Atje në varrin bosh të këtij burri shumëdimensional të shqiptarizmit, duhet të ishte ngritur shtatorja e tij, monument i dijes dhe i patriotizmit; të shpallej monument kulture nga shteti, të kthehet xhami-kisha në një vend i shenjtë pelegrinazhi i përhershëm; T’i lartësojmë këta burra viganë që t’i rriten supet atdheut dhe njeriut shqiptar.
***
Pjetrin mund ta derdhim në bronc, le të jetë pak përkulur; në gjoks, me një dorë mund të shtrëngojë një libër, në dorën tjetër – një qiri të ndezur . Si diell. O zot, ndihmomë! Kam 330 vjet që hesht.
Top of Form

Eshte me vlere te ndergjegjesosh shqiptaret per rrenjet e kultures se tyre,por pa mbeshtetjen e Shtetit,eshte pothuaj e pamundur.
Kam ne dore”Pjeter Bogdani dhe Vepra e tij”,botim i 1991,ku botohen ne nje forme te plote referatet dhe kumtesat qe u mbajten
ne Konferencen shkencore perkujtimore me teme”Pjeter Bogdani dhe Vepra e tij”,organizuar me 6 dhjetor 1989 nga Akademia e
shkencave me rastin e 300 vjetorit te vdekjes se personalitetit te madh te kultures shqiptare,Pjeter Bogdanit.Më duket sikur
komunikoj me stergjysherit e mi,nje ndjesi e pashpjegueshme me terheq si magnet.Fatale qe kam pasur nje boshllek per kete gjigand
te kombit shqiptare,qe neper Shkolla kalohet lehte,kur duhet te ndodhte e kunderta.
…”E VERTETA, te ben te lire…” Po , kjo e vertete historike, per tragjedine qe ky komb ka kaluar nen KOLEREN ,me ne krye ate turke, duhet te shpallet boterisht…! Kjo e VERTETE, duhet te cliroje njehere e pergjithmone, shqiptaret nga makthi i IDENTITETIT te DYZUAR, dhe inferioriteti urrejtes ndaj vlerave IDENTITARE europiane te kombit shqiptar…! BOGDANI, BUDI, BARDHI, BUZUKU, etj, etj, jane shtylla kurrizore e kombit, qe ky te mos humbiste ne terrin e KOLERES…! Pa RIKTHIM ne IDENTITET, ky komb nuk ka te ardhme…!!!
Z.Pirro ! nuk di si me te falnderue,per kete shkrim kaq te nevojshem, plot dituri e ndjesina te ambla e revoltuese Faleminderit! po keshtu pergezoj edhe dy komentuesit e me poshtem.Jam larg ,por afer me mendjen e guximin tuaj.Edhenje here F.L.M.
Ne kushtet e sotme kur gjendemi te ndare ne Veri dhe Jug, ne toske dhe gegë, ne katolike, sunitë, ortodoksë dhe bektashinj, – gjeja më e mire qe mund te bejme eshte te forcojme laicizmin. Ose ndryshe te forcojme ndjenjen kombetare duke dobesuar perkatesine fetare. Sa më tê forta fetë, aq mê i madh rreziku i perçarjes dhe ndarjes ndermjet shqiptareve. Kush eshte mysliman le tê mbetet mysliman, kush eshte i krishter le të mbetet i krishter. por te gjithe duhet të veme Gjuhen, Flamurin dhe Skenderbeun nê baze te identitetit tone kombetar. Pra vellazer me njeri tjetrin dhe dyshues dhe të larget me fqinjet tanë sllave, greke dhe turq. Eshte e tmerrshme dhe shume e rrezikshme në rast se shqiptari mysliman e ndjen veten më afer me turkun sesa me shqiptarin ortodoks. ose kur shqiptari ortodoks e ndjen veten më afer me grekun se shqiptarin mysliman. Me nje fjale fenë ose fetë duhet t’i largojmë gjithmonë e me shumë nga identiteti yne kombetar. Jemi se pari të gjithe shqiptarë dhe pastaj mund tê jemi katolik, sunit, bektashi apo ortodoks.