DITA – Skënder, si e sheh bojkotin e PD ndaj zyrtarit kyc te integrimit në BE? Ka domethënie të vecantë kjo sjellje, shihni dicka më shumë se inati i zakonshem i “të pakontrollueshmit” Berisha?
Tashmë Stefan Fyle konsiderohet një armik i vërtetë në PD. Ai shihet si një farë “komunisti çekosllovak, i lidhur me CEZ”, një amalgamë konceptesh që vetëm mendjet e sëmura mund ta prodhojnë. Çeshtja është se Fyle, me deklarimet e tij, ka treguar rrugën reale të afrimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian, duke relativizuar dhe duke ja hequr rëndësinë artificiale tre ligjeve të famshme, të cilat qeveria po i përdorte si gjethe fiku para shqiptarëve.
Më tej akoma, kritikat e tij parimore kanë qenë një këmbanë alarmi për Berishën, pasi janë për të një indikator i qartë i ndryshimit të qëndrimit të europianëve ndaj krizës shqiptare dhe shkaktarëve të saj të vërtetë. Kjo është frika e madhe që ka kryeministri, sa herë lexon në Tuiterin e zotit Fyle.
Qeveria ka dështuar për marrjen e statusit për tre herë rresht. U quajt “qeveria e integrimit”, tani bojkoton zyrtarët e integrimit e megjithatë kërkon një mandat të tretë…
Maxhoranca nuk ka asnjë justifikim në fund të këtij mandati, sa i takon integrimit. Por ajo duket se e ka gjetur alibinë, megjithëse një alibi të keqe: nuk na la opozita të integrohemi. Me këtë taktikë, qeveria po sillet de facto si opozitë. Jo vetëm në fushën e integrimit, por edhe në ato sektorë ku rezultatet kanë qenë dëshpëruese. Gjithmonë del diku një votim kundër i opozitës, që paska hedhur në erë të gjithë malin e sukseseve të qeverisë. Qeveria që sillet si opozitë, meriton vërtetë të dalë në opozitë. Jo vetëm për integrimin, po për gjithçka ka pasur në dorë të bëjë dhe e ka bërë keq, ose nuk e ka bërë fare.
*Kryeredaktor i revistës JAVA
