Bojkoti i paravendosur i PD-së

anazapta

Sipas një deklarate të djeshme nga selia blu, zgjedhjet e ardhshme vendore janë të rrezikuara nga një bojkot i mundshëm i opozitës. Këtë e bëri të ditur kreu i grupit kuvendor të demokratëve Edi Paloka. Ai tha se “ndarja e re nuk është tjetër veçse një hartë e orekseve politike dhe ekonomike të Ramës dhe Metës, që sipas tij nuk lejon mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme lokale”. Pas një arsyetimi për anshmëri të hartës zgjedhore, Paloka e tha shkoqur se me këtë hartë, jo se nuk do hyjë PD në zgjedhje, por me këtë hartë nuk do të ketë zgjedhje. Më qartë nuk ka si thuhet. Kjo nuk është iniciativë e Palokës dhe nuk ka të ngjarë që ai ta ketë thënë nga koka e vet këtë idenë e bojkotimit të zgjedhjeve. Pavarësisht se kjo deklaratë bëhet shumë herët, rreth 10 muaj para mbajtjes së zgjedhjeve të ardhshme, ajo duhet marrë në konsideratë për frymën që mbart dhe mesazhet që përcjell.

Në radhë të parë ky paralajmërim i opozitës nuk befason askënd. Pse? Sepse jo vetëm opozita e mbylli me bojkot sesionin e kaluar, por është në natyrën e saj të kundërshtojë çdo nismë, çdo projektligj apo reformë të mazhorancës. Për shembull, reforma për ndarjen e re territoriale ka mbi gjashtë muaj që ka nisur. Opozita, përkundër ofertave të përsëritura të shumicës, vendosi të mos bëhet pjesë e diskutimeve dhe e komisionit përkatës parlamentar për ndarjen e re. Dhe i qëndroi me kokëfortësi këtij vendimi anti-reformë deri në ditën e fundit kur ajo edhe u miratua më 31 korrik. Dihet se për këtë reformë janë bërë diskutime të gjata në komisionin e kryesuar nga Bashkim Fino dhe për të cilin punuan ekspertë me përvojë. Ata përgatitën disa variante, para se të vendosnin për atë që u quajt më i miri dhe që kënaqte pjesën më të madhe të shqiptarëve. A është e përkryer ndarja e re? Padyshim që jo. Koha do ta tregojë. Por të arsyetosh apriori dhe ta hedhësh në kosh një reformë pa u njohur fare me ndarjen që propozohet, kjo do të thotë se ke të paramenduar me keqdashje qëndrimin kundër saj. Ndaj dhe bojkoti i paralajmëruar nga opozita për të mos marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme nuk duket se është serioz dhe si i tillë i ngjan më tepër një shantazhi të radhës. Ky paralajmërim nxjerr zbuluar krerët e opozitës aktuale të cilët mendojnë vetëm e vetëm për t’i vënë gurë nën rrota reformave dhe punës së qeverisë së re. Në këtë këndvështrim duhet parë edhe kërcënimi që erdhi dje (në sinkron me deklaratën e Palokës) nga pjesa demokrate e vendorëve të Lezhës se do të fillojnë të mbledhin firmat për të bërë referendum për ndarjen e re territoriale. Kryebashkiaku i Shëngjinit, Salvador Kaçaj tha se është një padrejtësi e madhe dhe se Shëngjini po fshihet nga harta e Shqipërisë, ndaj dhe po kërkojnë referendum. Nga këto deklarata dhe qëndrime të demokratëve në qendër dhe në bazë shihet qartë se ata po punojnë qysh tani kundër ndarjes së re që sapo është miratuar. Me siguri në të ardhmen këto qëndrime do të thellohen e ashpërsohen, përderisa Paloka kërcënoi me mospjesëmarrje të opozitës në zgjedhjet e ardhshme.

 

Share This Article
1 Comment
  • Po Salvadori nuk eshte socialist,apo u be demokrat kur ishte Berisha?Besoj se do kthehet perseri socialist se do ta kete kuptuar gabimin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *