Letër e nënshkruar
Ylli Përmeti
E dashur “Dita”. Mendoj që bojkoti do të jetë më i madh në zgjedhjet e ardhshme parlamentare: sepse në njërën anë gjendja e përgjithshme do të përkeqësohet dhe në anën tjetër një “vizion” i ri është në ngjizje në mendjet e aktivistëve politikë dhe, një pjesë e mirë e atyre që votuan në këto zgjedhje do të zhgënjehen.
Të zhgënjyerit më të mëdhenj do të jenë anëtarët dhe mbështetësit e opozitës, sepse në bashkitë që ajo fitoi do të ketë më pak investime. Duhet thënë se këto zgjedhje, njëlloj si zgjedhjet pararendëse, i karakterizon pragmatizmi, sesa një vizion i qartë demokratik dhe shkencor.
Kësisoj shqiptarët u përballën me dy lloj “pragmatizmash”; të fushatës zgjedhore, përgjatë së cilës shumë u përpoqën të “zhdapnin” ndonjë shumë në këmbim të votës dhe pas zgjedhjeve, ku shumë shpresojnë se do të punësohen diku.
Por, ngaqë pragmatizmi s’ka asnjë lidhje me kuptimin e sistemit, se ku çon ai dhe përse, të gjithë pragmatistët do të zhgënjehen, rrjedhimisht, një shuplakë përfundimtare e pret klasën politike shqiptare në zgjedhjet e ardhshme. Për të njëjtën arsye do të ishte mirë që përgjatë kësaj kohe çdokush të ndihmonte në promovim e alternativave vërtetë demokratike dhe shkencore, me qëllim që të bënim të mundur organizimin politik të popullit sa s’është vonë…
