Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Bolivi, teksa disa punëtorë minierash të cilët kanë protestuar përgjatë javëve të fundit kanë rrahur për vdekje zv/Ministrin e Brendshëm, Rodolfo Illanes. Lajmi është komunikuar nga zyrtarët e Qeverisë, teksa raportohet gjithashtu se gjatë përplasjeve mes protestuesve dhe policisë kanë humbur jetën dy minatorë. Autoritetet thanë se po mundohen që të gjejnë trupin e pajetë të zv/Ministrit të Brendshëm, i cili u rrëmbye ditën e enjte.
Punëtorët e minierave në Bolivi, të cilët përgjatë javëve të fundit kanë organizuar protesta të shumta, kanë rrahur për vdekje zv/Ministrin e Brendshëm, Rodolfo Illanes si dhe truprojën e tij, pas një pengmarrjeje që ndodhi mbrëmjen e së enjtes.
Të paktën kështu kanë raportuar zyrtarët e Qeverisë të cilët e cilësuan aktin një veprim frikacakësh dhe një ngjarje tragjike.
Në një prononcim për mediat, Ministri i Brendshëm, Carlos Romero, u shpreh se të gjitha shenjat e deritanishme tregojnë se ky është edhe skenari më i mundshëm.
Ai shtoi se rimarrja e trupit në këtë moment është thuajse e pamundur, por nënvizoi se autoritetet do të mundohen që t’a realizojnë diçka të tillë brenda ditëve të ardhshme.
Ndërkohë, ngjarja u dënua edhe nga Presidenti i vendit, Evo Morales, i cili u shpreh se ishte mjaft i prekur nga ky incident fatal.
Gjatë pengmarrjes, zv/Ministri Illanes tha për radion boliviane se kushti i protestuesve për lirimin e tij ishte nisja e negociatave për të diskutuar ndryshime në legjislacionin e minierave.
Megjithatë, duke parë refuzimin e Qeverisë për të bërë një gjë të tillë, protestuesit mund të kenë kryer edhe aktin fatal.
Përgjatë javëve të fundit, punëtorët e minierave kanë kërkuar ndryshime në legjislacion, përfshirë shtimin e konçesioneve, të drejtën për të punuar për kompani private, një prezantim më të gjerë të sindikatave të tyre.
Ata kanë qëlluar me gurë dhe sende të forta në drejtim të policisë, ndërkohë që autoritetet janë kundërpërgjigjur me mjete të ndryshme, përfshirë armët e zjarrit.
Vetëm gjatë orëve të fundit, janë arrestuar afro 100 protestues, ndërkohë që dy prej tyre janë vrarë në demonstratë.
