Projekti i miliarderit Bill Gates, për të dhuruar 100 mijë pula në uljen e varfërisë nëpër botë, përfshirë Bolivinë, ka zemëruar qeverinë e La Pazit, e cila është ndierë e fyer dhe i ka refuzuar ato.
“Ai nuk e njeh realitetin në Bolivi dhe nëse mendon se ne jetojmë si 500 vite më parë, në mes të një xhungle, atëherë e ka gabim”, tha Ministri i Zhvillimit në qeverinë e Evo Moralesit, Cesar Coca Rico.
Filantropi Gates shpalli pak ditë më parë planet për të dhuruar 100 mijë pula për vendet e varfra, për të përmirësuar ekonominë e tyre. Por ky plan hasi në kundërshtime të forta, përfshirë Burkina Fason dhe Bolivinë. Për këtë projekt, babai i “Microsoft”-it tha se ai po punon me kompaninë filantropiste “Bill dhe Melinda Gates Foundation” dhe organizatën ndërkombëtare humanitare “Heifer International”.
Bolivia i kërkoi Gates që të kërkojë edhe ndjesë, duke i nxjerrë përpara edhe shifrat se industria e tyre e blegtorisë prodhon 197 milionë kafshë çdo vit dhe eksporton 36 milionë.
Në fakt, që kur Morales erdhi në pushtet, rritja e ekonomisë së vendit është trefishuar. Afro 2.6 milionë njerëz kanë bërë kapërcimin e madh në shtresën e mesme dhe ekspertët ndërkombëtare presin që trendi i rritjes të vazhdojë.
