Në fushatën e 2009-ës, Edi Rama ndoqi qartazi shembullin e idhullit të tij politik, Obamës. Fushata e Ramës kishte në epiqendër “bombardimin ajror” me kronika telvizive që e tregonin atë në takime të ngrohta me përkrahësit anembanë vendit dhe me reklama televizive që jepnin mesazhe optimiste për të ardhmen, të ngjashme me të Obamës së 2008-ës, si “T’i hapim rrugë politikës së re (ndryshe nga ajo e vjetra e Berishës dhe Nanos)” dhe “Të shohim përtej së majtës e të djathtës”.
Në përfundim të asaj fushate, koalicioni i udhëhequr nga Rama mori 124 mijë vota më shumë se në 2005-ën (kur udhëhiqej nga Nano), edhe pse numri i partive përbërëse të tij nuk u shtua. Ndërkohë, rritja e numrit të zgjedhësve në listat e votuesve mund të shpiegojë vetëm një rritje prej rreth 50 mijë votash për koalicionin e Ramës. Ndërsa 74 mijë të tjera mund t’i atribuohen fushatës së udhëhequr nga ai. Por megjithë atë rritje meteorike votash, koalicioni i udhëhequr nga Rama nuk arriti të marrë mandatet e mjaftueshme për të krijuar qeverinë…
Mund të jenë të shumta arsyet që shpiegojnë se përse rritja meteorike e votve të koalicionit të udhëhequr nga Rama u tejkalua nga rritja e votave të koalicionit të udhëhequr nga Berisha (për shembull, shtimi i numrit të partive përbërëse të këtij të fundit nga 6 në 17, rritja e votimit fiktiv, parregullsitë në numërimin e votave etj.). Sidoqoftë, arsyeja kryesore duhet të ketë qënë “këmbësoria” e dobët elektorale e koalicionit të majtë.
Ja dy shembuj që e mbështesin këtë argument.
Në qarkun Fier, koalicioni i majtë pati një rritje të numrit të votave që e tejkaloi rritjen e numrit të votave të koalicionit të djathtë, krahasimisht me vitin 2005. Si rezultat, PS-ja mori në Fier 9 mandate ndaj 6 të PD-së. Dhe “këmbësorinë” elektorale të PS-së në qarkun Fier e drejtonte Gramoz Ruçi, politikani socialist më me eksperiencë në organizimin në terren të partisë…
Në Bashkinë e Kamzës, në vitin 2009, koalicioni i udhëhequr nga Rama mori rreth 8 mijë vota më pak se koalicioni i udhëhequr nga Berisha. Në këtë territor, “këmbësorinë” elektorale të PS-së e drejtonte Besnik Bare, një intelektual i nderuar, por pa eksperiencë të gjatë në organizimin në terren të partisë dhe pa lidhje të forta lokale. Pas dy vjetësh, si kandidat i PS-së për Bashkinë e Kamzës u zgjodh një njeri nga ajo zone, me lidhje të forta lokale. Si rezultat, diferenca e votave u ngushtua dramatikisht nga 8 mijë në 1 mijë e ca vota.
Shembuj të ngjashëm ka plot, duke filluar nga Kavaja e Laçi, e duke mbaruar në Velipojë. Dhe ndoshta duke nxjerrë mësime nga këta shembuj, duket se Rama po ndërton një strategji elektorale që kombinon “bombardimin ajror” me “këmbësorinë” elektorale. Përveç fushatës mediatike, e cila mund të etiketohet “Për një Rilindje të Re”, PS-ja ka filluar edhe një fushatë në terren, e cila mund të etiketohet “Censusi i votuesve”.
Nga njoftimet në media të ndryshme, mësohet se anëtarëve të Asamblesë Kombëtare të PS-së u janë caktuar qendra votimi ku duhet të shkojnë dhe, me ndihmën e vullnetarëve, të regjistrojnë të dhëna sa më të hollësishme për votuesit, në mënyrë që ditën e zgjedhjeve të shkojnë shtëpi më shtëpi dhe të inkurajojnë ose ndihmojnë përkrahësit e majtë për të shkuar në qendrat përkatëse të votimit. Ndërkohë, në qoftë se, për shembull, ka një mijë votues të majtë që banojnë në Tiranë, por që janë të regjistruar në Korçë, t’i çojnë ata me autobuzë atje ditën e votimit. Dhe një mijë vota në Korçë mund të përcaktojnë se cili koalicion merr një mandat më shumë në qark…
Edhe me këtë strategji “tokësore”, duket se Rama po ndjek shembullin e Obamës – të 2012-ës kësaj rradhe. Obama kësaj rradhe e humbi betejën ajrore me kundërshtarin, qoftë në debatet publike (sidomos në të parin), e qoftë në shpenzimet për reklamat radiotelevizive. Por ai pati një epërsi të ndjeshme në “këmbësorinë” elektorale. Kështu, Obama pati 3000 punonjës elektoralë me pagesë dhe rreth 400 mijë vullnetarë të shpërndarë në të gjithë vendin, të cilët bënin telefonata dhe shkonin derë më derë për të inkurajuar ose ndihmuar përkrahësit e majtë për të shkuar në qendrat përkatëse të votimit. Ndërsa kundërshtari i tij kishte vetëm 500 punonjës elektoralë me pagesë dhe rreth 100 mijë vullnetarë si pjesë e “këmbësorisë” së tij elektorale.
Në fakt, shembullin e “këmbësorisë” elektorale të Obamës (kuptohet në përmasa shumë më modeste) bëjnë mirë ta ndjekin edhe dy partitë e reja, AK-ja dhe FRD-ja, të cilat duket se i kanë vënë më shumë rëndësi “bombardimit ajror”. Ky i fundit, nga ato pak sondazhe që janë publikuar deri më sot, duket se u ka dhënë fryte në përkrahje. Por do të jetë “këmbësoria” elektorale ajo që do ta përkthejë këtë përkrahje në vota. Përndryshe, do ta pësojnë si G-99-ta…