Bonot, rritet kërkesa, interesat të pandryshuara

anazapta

Banka e Shqipërisë ka shitur dje për llogari të Ministrisë së Financave një shumë totale prej 15.2 miliardë lekësh, me afate maturimi 12 muaj dhe 6 muaj, duke plotësuar në këtë mënyrë të gjithë kërkesën e financav. Sipas informacionit të publikuar nga Banka e Shqipërisë, për bonot 12 mujore shuma e shpallur për shitje është 10.9 miliardë lekë, nga e cila 3.2 miliardë lekë i takon Bankës së Shqipërisë. Në këtë mënyrë tregu i bonove shfaqi ecuri të qëndrueshme në ankandet e para të muajit Shkurt dhe qeveria siguroi tërë borxhin e kërkuar në vlerën e 15.2 miliardë lekëve. Interesi mesatar për bonot 12 mujore nuk ndryshoi në krahasim me Janarin dhe qëndroi në nivelin 3.8%, ndërsa për bonot me maturim 6 mujor interesi ra në 3.52%, nga 3.71% që kishte qenë në ankandin e fundit. Oferta e lartë e investitorëve për të financuar borxhin, por edhe kërkesa e kufizuar nga qeveria për borxh të ri ka bërë që interesat në këtë fillim viti të stabilizohen. Në mungesë të zhvillimeve të rëndësishme në tregun e kredisë, bankat vazhdojnë të shohin te bonot qeveritare mjetin kryesor të investimeve në lekë. Përkundrejt kërkesës së shpallur prej 15.2 miliardë lekësh, ofertat për të blerë bono arritën vlerën e 21.3 miliardë lekëve. Gjendja e mirë e likuiditetit e sistemit bankar dhe alternativat e pakta të investimit besohet se do t’i mbajnë interesat e bonove të qëndrueshme edhe gjatë ankandeve të ardhshme. Interesat e ulëta, përveç qeverisë, favorizojnë edhe kredimarrësit ekzistues në lekë, që e kanë interesin e kredisë të ndërtuar mbi ecurinë e yield-it të bonove. Ata që nuk përfitojnë në këtë situatë janë depozituesit. Ulja e normës bazë dhe e interesit të bonove ka bërë që interesat e paguara nga bankat për kursimet të bien në nivelet më të ulëta historike.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *