Presidenti i Prishtinës takohet me krerët e kampionëve të Gjermanisë, të cilët i premtojnë bashkëpunim
Presidenti i FC Prishtinës, Remzi Ejupi, njëkohësisht edhe sponsor i kombëtares së Shqipërisë, fundjavën e shkuar ishte mik i Borusias së Dortmundit, ku është takuar me drejtuesit më të lartë të kampionëve të Gjermanisë. Ejupi ka ndjekur ndeshjen midis verdhezinjve dhe Greuther Furth, ku luajnë dy futbollistë kosovarë, mbrojtësi kuqezi Mërgim Mavraj dhe sulmuesi Ilir Azemi, kandidat për kombëtaren e Shqipërisë. Ai është takuar me presidentin e Dormundit, Reinhard Rauball, si dhe me përgjegjësin për të rinjtë, Heinz Keppman. “Ishte një takim mjaft i ngrohtë dhe miqësor, gjatë të cilit patëm mundësi të bisedojmë për mënyrat e bashkëpunimit në të ardhmen. Është me rëndësi se te krerët e Borusias gjeta mirëkuptim dhe gatishmëri për ndihmë”, është shprehur Ejupi. Presidenti i Prishtinës shton se ka mbetur i habitur me njohurinë që kishin zyrtarët e Dortmundit për futbollin kosovar. “Presidenti Rauball më premtoi se do të lobojë në njohjen e futbollit kosovar, duke thënë se i di brengat dhe nevojat tona dhe në këtë drejtim do të ndihmojë me projekte të ndryshme”.
Rauball ka ndikim të madh në futbollin gjerman, jo vetëm si president i Dortmundit, por edhe si i pari i Shoqatës së Klubeve Gjermane, dhe kjo sipas Ejupit, këtij takimi i jep një peshë më të madhe. “Bëhet fjalë për një njeri të respektuar në futbollin gjerman dhe me gjerë, dhe aspak nuk dyshoj se ai do të bëjë gjithçka për të na ndihmuar”. Ejupi tha se ndikim të madh të sensibilizimin e futbollit kosovar në botë kanë bërë lojtarët që aktualisht nëpër klubet me të njohura të Evropës, si Lorik Cana, Xherdan Shaqiri, Mergim Mavraj, Granit Xhaka, Samir Ujkani e shumë të tjerë. “Është ndjenjë e mirë kur në takime të tilla, me njerëz të njohur të futbollit, përmenden emrat e futbollistëve kosovarë që luajnë nëpër Evropë. Kjo bën që të rritet edhe interesi i tyre që t’i dalin në ndihmë Kosovës dhe sportit kosovar”. Numri një i klubit kosovar tha se është marrë vesh me homologun e tij në realizimin e shumë projekteve. “Do të ketë shumë projekte të përbashkëta në të ardhmen. I pari do të jetë vizita e presidentit Rauball në Prishtinë”. Hap konkret i kësaj vizite është se lojtarët me perspektivë të Prishtinës do të jenë pjesë e turneut të njohur për kategoritë e reja, deri në 19 vjeç, që do të mbahet në qershor të vitit të ardhshëm në Dortmund. “Jemi marrë vesh që disa talente të ftohen në turneun që e organizon Dortmundi, e që llogaritet si njëri ndër më të mëdhenjtë në Evropë, në të cilin marrin pjesë klubet me më tepër emër. Ky do të jetë rast i mirë që edhe talentet e Prishtinës të tregojnë vlerat e tyre në arenën ndërkombëtare”, tha Ejupi. Në këtë turne, përveç klubit pritës, pritet të marrin pjesë edhe Arsenal, Inter, Borusia M’gladbah, Hamburg, Shalke, Guadalajara e Meksikës, Zenit, Ajaks, Real Madrid dhe kombëtarja U-19 e Kinës.