Fitore me shijen Mario Götze!
Pikërisht një të tillë festoi sot Borussia Dortmund në Japoni, aty ku zhvilloi ndeshjen e dytë parasezonale. Nënkampionët e Gjermanisë mposhtën 3-2 Urawa Red Diamonds-in para 60 mijë tifozëve, duke i dhuruar trajnerit Peter Bosz fitoren e tij të parë si verdhezi.
Pas 167 ditësh, kampioni i botës më në fund u rikthye në fushë. Mesfushorit iu thërrit emri pas 61 minutash lojë dhe tabela elektrike thuajse ra përtokë nga duartrokitjet e japonezëve.
25-vjeçari ka shumë kohë që vuan nga problemet metabolike, por kjo gjë e rrallë për një futbollist u kuptua vetëm në janarin e shkuar. Götze, megjithatë, duket se tashmë i ka kaluar problemet dhe është gati për nisjen e sezonit të ri futbollistik.
Japonezët, duke festuar golin e tyre të parë
Për triumfin e Dortmundit mjaftuan Emre Mor (dygolësh) dhe André Schürrle, të cilët bindën me lojën e tyre, ndryshe nga shumë prej shokëve të skuadrës, ende të dehur nga pushimet e qershorit. Bosz e nisi ndeshjen me sistemin 4-3-3, por më pas e ndryshoi në 3-4-3, duke eksperimentuar po aq sa paraardhësi i tij, Thomas Tuchel.
