Një burim shumë i besuar (një anëtare e Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë) kumtoi dy ditë më parë se ishim katandisur të merrnim hua për të paguar njerëzit që punojnë për shtetin. E thotë këtë një specialiste e njohur e financave dhe statistikave shqiptare, që ka në duar informacione të bollshme për të gjykuar për shëndetin e ekonomisë shqiptare dhe veprimet e qeverisë. Ky lajm se po marrim hua si qeveri, për të përballuar fondin e pagave dhe pensioneve, ekonomistëve u ra si bombë. Njëlloj si me situatën e një sipërmarrjeje private, e cila, në mungesë të theksuar parash, merr borxh ku të mundet për të paguar punëtorët e saj. Dhe për këtë kompani themi se i ka të numeruara ditët, pse s’paguan dot as punonjësit e vet. Për financat shtetërore është gjendja prag i teposjes së madhe, prag krize shumë të thellë. Pa rritjen ekonomike, pa rritjen e të ardhurave është e pamundur rritja e mirëqënies, pra rritje e dukshme e pagave dhe pensioneve. Dhe sidomos, rritja e mundësive për të shlyer borxhet e marra. Heqja e tavanit të borxhit në fund të vitit të kaluar ka sjellë një situatë të rrezikshme për ekonominë, ku borxhi po rritet pa fre. Kriza e financave publike pasqyron tkurrjen e konsumit, por dhe të investimeve publike e private. Për herë të parë, pas shumë vitesh rritjeje, ekonomia jonë po përballet edhe më rënie të kredisë. Vitin e kaluar ekonomia shqiptare shënoi rritjen më të ulët ekonomike që nga viti 1997, me vetëm 1.6 për qind, ndërkohë që edhe për këtë vit parashikimet e FMN dhe Bankës Botërore janë edhe më pesimiste. Të ardhurat e munguara, asfiksimi i shpenzimeve dhe rënia e cilësisë së tyre, po e thellojnë më tej krizën e financave publike. Banka Botërore paralajmëron qeverinë shqiptare se ulja e taksave, e pashoqëruar me ndryshimet kompensuese në buxhet, mund të ketë pasoja të dëmshme për ekonominë. Borxhi publik ka tejkaluar vijën e rrezikut prej 60% të GDP duke arritur në 63.8% (po t’i shtojmë dhe zinxhirin e borxhit mes kompanive me njëra-tjetrën, shtetit dhe kompanive, vendimet gjyqësore të paekzekutuara etj., përkeqësimi është shumë më i madh rreth 100 perqind). Zëri të ardhura ne Buxhetin e Shtetit ka pësuar rënie jo vetëm për qeverinë. Me fitime të pakësuara apo në shumë raste edhe humbje dalin sipërmarrjet private tek ne në pjesën dërrmuese të tyre. Ky shëndet e i mangët reflektohet tek taksat që mblidhen. Asnjë prej zërave të të ardhurave në buxhet nuk ka arritur në kufinjtë e parashkikuar nga qeveria në tre muajt e parë të këtij viti. Kështu, të ardhurat nga tatim fitimi kanë rënë me 22.3 për qind, duke theksuar tendencën e muajve të mëparshem mbyllës të vitit 2012 dhe duke dëshmuar se fitimet e bizneseve janë tkurrur ndjeshëm. Ndërkohë, të ardhurat nga akcizat kanë rënë edhe ato, që dëshmon se nëpër rrugët e vendit qarkullohet përherë e më pak automjete. Si dhe konsumi i mallrave të tjera të akcizës (cigaret, alkoli, etj.) është ulur ndjeshëm. Ndërkohë, nga tatimi mbi të ardhurat personale janë grumbulluar 12.1 për qind më pak para krahasuar me tre muajt e parë të vitit të kaluar. Për të mbajtur në ekuilibër financat publike qeveria ose duhet të rrudhë fort dorën në shpenzime, ose të kërkojë si e dëshpëruar hua djathtas e majtas. Po bën këtë të fundit. Madje po merr kredi për të paguar rrogat e buxhetorëve (128 mijë vetë) dhe të pensionistëve (640 mijë vetë). Realisht të vjen të thuash me plot gojën : ku jemi katandisur ! Ndërkohë edhe sistemi bankar ka filluar të lëkundet. Kreditimi i ekonomisë ka ardhur duke u tkurrur dhe ritmi i rritjes së kredisë ka rënë me gati 3.5 herë në krahasim me vitin e kaluar. Ndërsa kreditë e këqija vazhdojnë që të jenë një nga problemet kryesore të fillimit të një bllokimi të sistemit. Nëse bllokohet kreditimi i ekonomisë nga bankat private, ndodh realisht asfiksimi i veprimtarisë investuese tek ne. Nuk ka para, realisht ato mungojnë, për investime publike të reja, apo madje edhe për të përfunduar ato të nisurat. Varemi nga kreditë me përqindje të ulët interesi që kemi marrë nga fonde islamike, por ato duan kohën e tyre të vijnë. Njëlloj si me tramvajin apo bulevardin e ri të Tiranës që njoftohen me bujë nga mediat pro qeverisë për shumë herë gjatë këtyre dy viteve, por që nuk nisin kurrë. Tablo më shqetësuese për këto muaj të parë të këtij viti nuk mund të përshkruhej. E keqja më e madhe është se janë të gjitha gjasat që kjo gjendje të rëndohet edhe më tej, sidomos pas zgjedhjeve të 23 qershorit. Dhe askush nga vendim-marrësit publikë deri tani nuk është ndjerë përgjegjës.
Kjo nenkupton qe shteti ka ike per lesh.Ne ’97 la Shqiperine
te djegur dhe me arken bosh.Ne 2013 do ta lere me borxhe
deri ne fyt dhe me krimin qe sundon ne ¢do qelize te jetes
tone.I ka hallall keto vargje
Hija e kombit qe ti vrave
Hap mbas hapit ka me t’ndjeke
Namt e zemrave qe ti thave
Eshtnat n’vorr kane me ti djege.
Po keta dy fshatare me kollare e shkretuan vendin ne 1997!Dhe so tpo te dy e futen ekonomine ne nje gremine ku nuk shifet drita .Zoti na ruajte !