Cili është ky lloj borxhi qeveritar? Pse qenka i fshehur? Ai përbëhet nga fatura dhe shërbime të kryera nga kompani private për llogari të Buxhetit të Shtetit dhe kontratave përkatëse të lidhura, por të papaguara nga qeveria jonë. Dihet dëshira e biznesit për të marrë punë publike. Nganjëherë ai nuk pret t’í qartësohen fondet që duhet ta paguajnë. Pastaj vihet në situatën kur ka kryer ndërtimin apo shërbimin, e ka bërë tërësisht me paratë e veta dhe qeveria refuzon ta paguajë në kohë. Biznesi shqiptar, sidomos Shoqata e Ndërtuesve e ka ngritur prej kohësh zërin me forcë për këto detyrime të pashlyera. Madje një herë, një vit më parë, e detyroi qeverinë të merrte një vendim të shpejtë brënda 48 orëve e t’i paguante rreth 30 milionë euro. Por tani shuma vetëm për ndërtuesit duket se është të paktën katër herë më e madhe se aq. Sipas vetë raportimeve të Ministrisë sonë të Financave tek institucionet ndërkombëtare, ky borxh është diku tek 200 milionë euro. Ai nuk figuron në stokun e borxhit tonë publik.
Është i fshehur, si një minë lundruese, gati të shpërthejë me përplasjen e parë. Nga këto para, qeveria u detyrohet vetëm kompanive të ndërtimit 120 milionë euro. Institucionet ndërkombetare, në rradhë të parë Banka Botërore kanë shprehur prej disa kohësh shqetësim për këtë detyrim të ri. “Një nga shqetësimet që ne kemi në Shqipëri është një rritje e konsiderueshme e detyrimeve të pagesave të prapambetura të sektorit publik, si në lidhje me rimbursimin e tyre, ashtu edhe për pagesat për punime ndërtimi apo shërbime, të cilat janë kryer për sektorin publik”, – tha dy javë më parë Drejtoresha Rajonale e Bankes Boterore, Jane Armitage gjatë një vizite në Tiranë. Sipas saj, këto detyrime besohet se arrijnë midis 1-2 përqind të Produktit të Brendshëm Bruto (GDP) të vendit. Arësyet e akumulimit të këtij borxhi janë të ndryshme, nga kontrata të paqarta me biznesin, në përllogaritje të gabuara fondesh shtetërore, apo në premtime kontraktuale të bëra me shpresë se një porosi e caktuar publike do të merrte fonde të reja apo shtesë më vonë. Kriza, ulja e forte e arkëtimeve nga taksat dhe tatimet bënë që këto fonde të shteronin, apo të mos jepeshin në sasinë e duhur. Prej këtej rritja si ortek e borxhit të fshehur. Nëse ky borxh do të njihej, menjëherë borxhi publik i vendit do të arrinte në 62 përqind të GDP-së, ose aq sa do që ta rrisë për vitin e ardhshëm borxhin qeveria.
Kjo është arësyeja pse zyrtaret tanë nuk e njohin këtë detyrim. Zv/ministri i Transporteve, Ernest Noka gjatë diskutimeve për projektbuxhetin e vitit 2013, deklaroi se “janë shlyer të gjitha detyrimet ndaj kompanive të kontraktuara dhe pretendimet janë për punët e kryera jashtë parashikimeve të afateve kohore. Prej kohësh, kompanitë ndërtuese pretendojnë se qeveria u detyrohet rreth 120 milionë euro. Unë po deklaroj këtu që s’u kemi asnjë borxh kompanive. Kjo sepse po të shikoni vetëm planin e vitit 2012, shikoni vlerën e projekteve, ajo ka qenë e deklaruar edhe në dy vitet e mëparshme”. Sipas tij, borxhet e pretenduara rrjedhin nga fakti se kompanitë realizojnë punime shumë më tepër sesa është plani. Mirëpo për qeverinë, të kapet pas pagesave sipas planit është njëlloj si për të mbyturin që kërkon të shpëtojë duke u kapur pas flokëve të veta. Ky borxh i fshehur qeveritar vjen një ditë e shpejtë dhe maturohet dhe duhet paguar. Shumica e këtyre punimeve shtesë duhen paguar gjatë vitit 2013. E ndërkohë qeveria jonë nuk ka fare para për ta paguar, pse për periudhën janar-maj 2013 duhet të shtrojë me qindra milionë euro asfalt elektoral dhe ato janë punime të reja. Janë kërkesa urgjente dhe imperative të politikanëve tanë për të blerë vota me menaxhim të papërgjegjshëm të fondeve publike dhe interesave të taksapaguesve shqiptarë.