Borxhi i jashtëm, Ministria e Financave shpjegon arsyet e rritjes

redaktor

Borxhi i jashtëm është rritur në tre muajt e parë të vitit 2015. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave stoku i borxhit të jashtëm vlerësohet në rreth 441.1 miliardë lekë ose 29.57% e PBB. Krahasuar me fundin e vitit 2014 borxhi i jashtëm ka pësuar një rritje prej 28.7 miliardë lekë. Për të gjithë këtë dje financat shqiptare kanë sjellë disa argumente pse ka patur një rritje të këtij borxhi, duke analizuar dhe risqet e tij dhe masat që ky borxh të mos jetë një rrezik potencial për ekonominë tonë.

Pse është rritur stoku i borxhit?

Sipas të dhënave të detajuara të Ministrisë, efekti shtesë në stok nga disbursimet është 10.2 miliardë lekë ose 2.5% e totalit të fundit të vitit 2014, ndërsa shtesa, e cila vjen si rezultat i luhatjeve të kurseve të këmbimit, është 18.6 miliardë lekë ose 4.5%. Efekti i shtesës si rezultat i ndryshimit të kursit të këmbimit do të thotë që kemi të bëjmë me një nënvlerësim të monedhës vendase kundrejt monedhave që kompozojnë stokun e borxhit të jashtëm. Por financat sqarojnë se kjo shtesë ndikon mbi nivelin e borxhit gjatë raportimeve, por jo domosdoshmërisht ka efekte financiare për buxhetin e shtetit, pasi kjo varet nga kurset e këmbimit të monedhës vendase kundrejt monedhave të tjera në periudhën kohore të disbursimit dhe periudhën kohore të likuidimit të ripagesave. Për sa i përket kursit të këmbimit me monedhëm Euro, që zë edhe peshën kryesore në portofol, ai ka qëndruar pothuajse në të njëjtat nivele me fundin e vitit 2014, duke dhënë një efekt shtesë relativisht të ulët në stok prej 339.3 milionë lekë.

Kursi i këmbimit dhe borxhi  

Në tremujorin e parë të vitit 2015, pjesa dërrmuese e portofolit të borxhit të jashtëm është e kompozuar nga tre monedha kryesore (Euro, USD, YEN), ku peshën më të madhe e mban monedha Euro me 65.35% të portofolit. Krahasuar me fundin e vitit të kaluar ka një ulje të peshës së monedhës Euro rreth 230 pikë bazë. Nga ana tjetër ka një rritje të peshës së monedhës USD, YEN dhe monedhave të tjera, përkatësisht me 153; 36 dhe 40 pikë bazë. Megjithëse gjatë dy viteve të fundit ka pasur një tendencë për diversifikimin e portofolit të borxhit të jashtëm, përqindja e stokut të borxhit në Euro është e lartë dhe bën që portofoli të jetë i ndjeshëm ndaj luhatjeve të kursit të këmbimit. “Gjithsesi, përqindja e lartë e stokut në Euro është në përputhje me objektivat strategjikë për të marrë hua në monedhën Euro”, sqarojnë financat. Politikat monetare dhe dinamikat e ekonomisë vendase aktualisht kanë arritur të sigurojnë një qëndrueshmëri dhe stabilitet të kursit të këmbimit të monedhës vendase ndaj monedhës Euro. Kjo bën që borxhi i jashtëm të jetë i ekspozuar ndaj riskut të kursit të këmbimit në terma afatshkurtër dhe terma afatmesëm, ndërkohë që ekspozimi do të mund të eliminohet ndjeshëm në terma afatgjatë. Sipas argumentit të financave kontraktimi i borxhit të jashtëm me terma tregtare ndër vite ka ardhur duke u rritur. Kjo për vetë faktin se Shqipëria nuk klasifikohet më si një vend me të ardhura të ulëta.

Risqet e borxhit të jashtëm

Së pari, po bëhet kujdes me riskun e kursit të këmbimit, pasi borxhi i jashtëm është i ekspozuar ndaj monedhës Euro dhe USD.

Së dyti, po merret në konsideratë niveli i kredive të angazhuara, por ende të padisbursuara, pasi ecuria e shpejtë e disbursimit të tyre mund të krijojë ulje të financimit të brendshëm, duke krijuar në këtë mënyrë probleme me menaxhimin e likuiditetit.

Së treti, ekspozimi i lartë ndaj borxhit të jashtëm mund të bjerë ndesh me politikat monetare dhe të krijojë çrregullime të treguesve makroekonomikë.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *