Ministria e Financave po vijon lojën me shifrat statistikore makroekonomike, me një rrezik të konsiderueshëm për fatet e vendit, po të mbahet parasysh se çfarë i ndodhi Greqisë fqinje me fshehjen e situatës reale, duke manipuluar këto shifra. Borxhi publik i vendit ka kaluar të 60 përqindët në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, sido që ta kapësh, por një gjë e tillë vijon të mohohet me kokëfortësi nga ana e zyrtarëve më të lartë qeveritarë, duke qenë se, veç të tjerash, zbulon edhe shkelje ligjore të ligjot organi të buxhetit të shtetit që nuk lejon një borxh më të lartë se ky nivel.
Drejtoria e Përgjithshme e Menaxhimit të Borxhit pranë këtij dikasteri ka publikuar dje shifrat e detyrimeve të brendshme e të jashtme të shtetit shqiptar, që shënojnë sërish rritje, duke mos iu ndarë një tendence negative, tremujor pas tremujori, me pasoja që kanë filluar të ndihen dhe do të ndihen sidomos nga qeveri të ardhshme dhe nga qytetarët e këtij vendi në të ardhmen e afërt.
Sipas këtyre shifrave zyrtare, borxhi i përgjithshëm publik ka arritur në 814.1 miliardë lekë në fund të shtatorit të vitit 2012, duke shënuar kështu një rritje prej 41.3 miliardë lekësh nga fundi i vitit të kaluar, kur shifra shënonte kuotën 772.8 miliardë lekë. E konvertuar në valutë, tani borxhi publik shqiptar llogaritet në 7.6 miliardë dollarë amerikanë, me një rritje prej 382 milionë USD brenda një periudhe 9-mujore. Në këtë shifër, ka rritje si borxhi i brendshëm, ashtu edhe ai i jashtmi. Detyrimi i shtetit ndaj faktorëve të ndryshëm brenda vendit është 457 miliardë lekë, ndërkohë që ka qenë 439 miliardë lekë, në një kohë që borxhi ndaj subjekteve të jashtem ka arritur në 357 miliardë lekë, nga 334 miliardë që ishte në fund të dhjetorit të vitit të kaluar.
Le të vimë në analizën e llogaritjes së këtij borxhi, për të cilin as vetë qeveritarët nuk e fshehin se ka arritur në pragjet e kufirit, që lejon ligji organik. Në prag, por pa kaluar atë, sipas Berishës, Bodes dhe zyrtarëve të tjerë. Në fakt, nuk është ashtu. Ky kufi ka lidhje me totalin e borxhit publik, nga njera anë dhe nga ana tjetër me totalin e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ky i fundit nuk llogaritet asnjëherë shpejt, madje duhen disa vite që të korrigjohet e të zyrtarizohet. Megjithatë, prej disa vitesh tashmë statistikat zyrtare, me kërkesë të institucioneve ndërkonbëtare financiare, po përdorin statistikat afatshkurtëra provizore, për të patur një orjentim më të shpejtë lidhur me situatën makroekonomike në të cilën ndodhet vendi dhe perspektivat e saj. Në këtë kuadër, ka një PBB provizore për vitin 2011 dhe një PBB referuese për vitin 2012,k i cili nuk është mbyllur ende. Ky i fundit është llogaritur, sipas disa objektivave optimiste deri në absurd nga ana e Berishës e rrethit të këshilltarëve të tij ekonomikë, me një rritje prej 4.5 përqindësh, në një kohë kur të githa ekonomitë e botës, me përjashtime të rralla, shënojnë shenja negative.
Me këtë llogaritje hipotetike, aspak realiste, ministria e Financave arrin me zor ta mbajë borxhin publik në nivelin e 59.8 për qindëve, sërish duke pranuar një rritje nga llogaritja e kaluar. Por, theksojmë, kjo ka të bëjë me varjantin kur PBB-ja e këtij viti do të rritej me shifrën 4.5 për qind, që nuk ka kurrsesi gjasa të ndodhë. Ndërkohë, janë disa varjante, veç 4.5 përqindëshit, që janë ravijëzuar tashmë publikisht nga ndërkombëtarët dhe qeveritarët lidhur me PBB-në, të gjitha shumë larg këtij optimizmi.
2 për qind
Në rast se PBB-ja e pranuar për vitin e kaluar është diku rreth 1.301 miliardë lekëve, një rritje kjo prej dy përqindësh e kësaj shifre do ta çonte nivelin aktual të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë në kuotën e 1.327 miliardë lekëve. Kjo shifër është rritja e pranuar nga ana e Institutit të Statistikave (INSTAT), në projeksionin më të fundit që ka bërë për këtë parametër lidhur me situatën në fund të tremujorit të dytë të vitit. Në raport me këtë shifër, raporti borxh publik/PBB del 61.34 për qind, pra me shkelje të ligjit organik të buxhetit të shtetit.
1 për qind
Shifra prej 1 përqindësh është referuar si rritje maksimale e PBB-së shqiptare për këtë vit nga drejtoresha rajonale e Bankës Botërore për Ballkanin Jane Armitage. Në rast se rritja do të jetë në këtë përmasë, raporti i boxhit publik me shifrën totale të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit tonë do të ishte në rritje nga varjanti i parë, duke arritur në 61.9 për qind. Sërish, mbi “stekën” e 60 përqindëshit.
0.5 për qind
Varjanti më i dobët për rritjen shqiptare është ai që është ofruar nga ekspertët e Fondit Monetar Ndërkombëtar, sipas të cilëve ekonomia vendase pritet të rritet vetëm në masën e gjysëm pike përqindjeje. Në këtë rast, totali i PBB-së do të rezultonte në 1.308 miliardë lekë, dhe në këtë rast do të arrihej shkelja më e madhe e ligjit organik buxhetor, pasi raporti do të ishte 62.24 për qind (borxh publik/PBB).
Në këto kushte, mund të kuptohet qartë se pse disa deputetë të mazhorancës kanë hedhur idenë se nuk ka pse t’i qendrohet shumë besnik kërkesës së ligjit, “në interes të vendit”.