« Buxheti i tejfryrë është ballona më e rrezikshme e varur në qafë të një kombi », Franco Modigliani, çmim Nobel për Ekonominë
Festa e Pavarësisë kaloi shpejt dhe shqetësimi për borxhin publik tejet mase të rritur të vendit është i pranishëm jo vetëm te ekonomistët. Zv/ministri i Financave, Nezir Haldeda pak ditë më parë pranoi se kriza energjetike po kërcënon ekonominë dhe pohoi një shifër të cilën qeveria nuk e kishte thënë më parë. Deklaroi se niveli i borxhit publik në fund të këtij viti shkon 60.5% të prodhimit të brendshëm bruto të vendit(GDP). Dhe menjëherë Komisioni parlamentar i Ekonomisë kaloi vetëm me votat e mazhorancës draftin për heqjen e kufirit të borxhit publik, i cili sanksionohej ligjërisht në Ligjin për Sistemin e Buxhetit të Shtetit që të mos kalonte përtej 60%. Kësaj i thonë t’i heqësh frerat një kali shumë të rrezikshëm dhe të hazdisur, që është borxhi sovran dhe që sot ka frenuar rritjen e mbarë Eurozonës. Nuk ka rëndësi nëse flitet për një kufi të ri, 62.6 përqind të GDP-së. Derisa u prek kufiri i parë i konsideruar tabu(60 përqindëshi), shumë lehtë mund të preken të tjerët më të lartë. Dhe vrapimi pa frena do të vijojë.
Niveli i borxhit të Shqipërisë ka shqetësuar edhe institucionet financiare ndërkombëtare. Në shumë raste FMN dhe Banka Botërore kanë bërë thirrje që qeveria të synojë uljen dhe jo rritjen e tij. E fundit ishte intervista e 6 nëntorit 2012 e Koordinatores rajonale të Bankes Botërore, Jane Armitage. Ajo u shpreh : “Borxhi në Malin e Zi, Serbi dhe Shqipëri është në nivele shumë të rrezikshme, veçanërisht në Shqipëri në 60 për qind të prodhimit të brendshëm bruto». Por duket një këmbanë e kotë, pse ajo nuk po dëgjohet nga vendim-marrësit tanë publikë.
Të bën përshtypje një fakt në këtë situatë problematike. Përse qeveria dhe shumica politike lëvizën pikërisht tani për të rritur kufirin e borxhit? Shifrat e tij kanë qenë në duar të tyre që dy-tre muaj më parë. Ata mund të lëviznin dhe lirshëm që atëhere, pse numrat i kishin. Por me sa duket, qeveria ka shpresuar se mos vijnë para nga privatizimi i deklaruar i Albpetrol. Të paktën të kishin ardhur ato 170 milionë euro të pagesës 20 përqind të vlerës së shitjes, në momentin e nënshkrimit të kontratës. Kanë pritur 2 muaj se mos paratë vinin dhe tani e kanë humbur shpresën. Ministri i Financave ka të drejtë të mos presë më, pse me borxhin mbi 60 përqind të GDP-së praktikisht është jashtë ligjit. Kjo duhet të ketë qenë arësyeja për këtë lëvizje.
Duhet theksuar se borxhi ynë publik, pas atij të Greqisë, është më i larti në rajon. Ndërkohë pas Shqipërisë (60.5%) renditen Turqia (45.5%), Mali i Zi (38.25%), Serbia (35.6%), Kroacia (35.41%), Bosnja dhe Hercegovina (35.37%) dhe Maqedonia (23.48%). Tek ne eksportet kanë ulur ritmin e tyre të rritjes, po ashtu edhe investimet e huaja janë reduktuar për shkak të krizës së borxheve në zonën Euro. Banka e Shqiperise thotë në daljen e fundit publike të Guvernatorit të saj se konsumi ka rënë dhe ekonomia po funksionon nën kapacitetet e saj.
Ndërkohë, një krizë që ne e njohim shumë mirë, kriza energjetike duket në horizont. Nëse ajo vjen e plotë (madje edhe me sezon shirash për dy muajt e ardhshëm), financave publike të vendit mund t’u krijohet një vrimë edhe 60 milionë euro borxh i ri për të përballuar importin e energjisë. Nga ana tjetër, qeveria e ka të dosmosdoshme të nxjerrë fonde investimesh publike, për të shtruar asfalt zgjedhor vitin e ardhshëm. Zgjedhjet e qershorit 2013 janë tek porta dhe do të duhen të paktën 300-400 milionë euro borxhe të reja që punët e reja publike të japin një rezultat pozitiv për qeverinë. Kjo shumë është e barabartë me rritjen prej 2 përqind të GDP-së stokut të borxhit tonë sovran. Po ku do të gjenden këto para?
Me nivelin e sotëm të arketimeve nga taksat dhe doganat, nuk ka asnjë mundësi tjetër, veçse të merren borxhe me kredi të buta apo tregtare. Sido që kreditë e reja të merren, ato do të rëndojnë stokun e tanishëm të borxhit. Kjo rëndesë do të përkthehet në pikë të ulura për ekonominë shqiptare nga vlerësimet e agjensive si “Standards & Poors” apo “Moody’s”. Me një vlerësim në rënie nga këto agjensi shumë të rëndësishme për besimin e investuesve të huaj, vendi ynë do të jetë më pak tërheqës për investime të reja. Dhe rritja ekonomike për vitin 2013 do të vihet krejtësisht në pikëpyetje.