Heqja e tavanit të borxhit publik me vendim të vecantë të Këshillit të Ministrave në fillim të këtij viti i ka dhënë rezultatet negative të tij. Shpërdorimi i papërgjegjshëm nga qeveria e djadhtë e ka rritur borxhin publik vetëm në gjashtë muajt e parë të vitit në afërsisht 62.4 për qind të tij, aq sa ishte parashikimi i tij për të gjithë vitin fiskal. Këto janë të dhënat sipas smonitor.al që ju referohet burimeve zyrtare të Ministrisë së Financave. Kjo rritje është tej parashikimeve që vetë ministria kishte në fillim të vitit për rritjen e borxhit, pasi niveli I parashikuar ishte që do të arrinte në 62.6 për qind të PBB-së vetëm në fund të vitit dhe për më tepër duke planifikuar një rritje ekonomike vjetore prej 3 për qind. Ndërkohë, për tremujorin e parë të vitit, rritja ekonomike ishte vetëm 1.7 për qind.
Situata me deficitin buxhetor sa vjen e bëhet më shqetësuese, si rrjedhojë e performancës së dobët të të ardhurave dhe rritjen e lartë të shpenzimeve në pjesën e parë të vitit. Në pesë muajt e parë të 2013-s, të ardhurat totale ranë me 0.2 për qind me bazë vjetore, teksa të ardhurat nga taksat zbritën me 2.7 për qind. Të ardhurat e kombinuara nga taksat indirekte ranë me 5.2 për qind me bazë vjetore. TVSH, të ardhurat nga doganat dhe taksa e akcizës regjistruan të gjitha tkurrje të rëndësishme, duke reflektuar kërkesën e brishtë të brendshme, importet më të ulëta dhe efektin nga përjashtimi i TVSH-së i disa makinerive dhe lëndëve të para. Kjo nuk u arrit të kompensohej nga të ardhura më të ulëta nga taksa e të ardhurave personale, me rritje 8.7 për qind me bazë vjetore dhe një zgjerim prej 1.4 për qind në kontributet e sigurimeve shoqërore. Shpenzimet totale në janar-maj u rritën me 13.3 për qind me bazë vjetore, duke tejkaluar planet buxhetore me 6.1 për qind. Shpenzimet kapitale u rritën me 7.1 për qind me bazë vjetore, ndërsa ato kapitale u zgjeruan me 41.4 për qind dhe e kaluan shumën e planifikuar në buxhet me rreth 23 për qind.
Si rrjedhojë, deficiti buxhetor në pesë muajt e fundit e kaloi nivelin e krahasueshëm të vitit të kaluar me rreth 114 për qind dhe ishte pothuajse 50 për qind më i lartë se ai i planifikuari. Alarmi për rritje e borxhit public u dha qysh në fillim të vitit nga opozita e djeshme dhe nga ekspertët vendas dhe të hyaj kur u mor vendimi arbitrar nga qeveria për të hequr tavanin e borxhit. Rritja e borxhit erdhi që në muajt e parë në shifra të frikshme dhe pavarësisht se për momentin kjo është shifra e deklaruar nga Ministria e Financave, ai mendohet të jetë dhe më i lartë. Në zërat e ekspertëve të huaj qeverisë që do të formohet në shtator i është kërkuar që borxhi publik të mbahet në kontroll dhe të punohet për uljen e tij deri në norma të lejueshme që nuk cënojnë më tej ekonominë e vendit.
Financat fikin info-sistemin
Një tjjetër lajm që vjen nga Ministria e Financave është fikja e info-sistemit duke filluar që nga dita e djeshme deri më 30 korrik. Në këtë mënyrë qeveria nuk do të kryejë dot asnjë veprim financiar, për shkak të fikjes së sistemit kompjuterik që mundëson aktivitetin e financave në Republikën e Shqipërisë. Ministria e Financave kishte urdhëruar kryrjen e të gjitha veprimeve lidhur me pagat e punonjësve përpara kësaj periudhe, në mënyrë që të mos ketë asnjë ngërç në ekzekutimin e tyre. Nga ana tjetër, ministria gjithashtu urdhëroi që pagesat e domosdoshme të ISSH dhe ISKSH, si dhe ato të borxhit shtetëror, të ekzekutohen nga Banka e Shqipërisë me urdhër të ministrit të Financave. Nëpërmjet një urdhri të Ridvan Bodes vihen në dijeni institucionet buxhetore se nga data 12 deri 30 Korrik do të kryhet “procesi teknik i instalimit të versionit të ri të Sistemit Informatik Financiar të Qeverisë, kalimi nga versioni EBS11 në versionin EBSR12. Më tej, në urdhrin e tij specifikohet se, për këtë periudhë sistemi do të jetë i fikur dhe nuk do të kryhet asnjë proces në të. Për periudhën në të cilën sistemi do të jetë fikur, ISSH dhe ISKSH nga Llogaria Unike e Thesarit (TSA) në llogaritë respektive në Bankën Qendrore, si dhe pagesat e borxhit do të ekzekutohen nga Banka Qendrore me urdhër të ministrit të Financave, shkruhet në urdhrin e ministrit Bode, ku theksohet se rakordimi i tyre do të bëhet manualisht menjëherë pas përfundimit të instalimit të programit të ri. Gjithashtu, në urdhër nënvizohet se të gjitha veprimet e tjera, siç janë kontabilizimi i të ardhurave buxhetore të arkëtuara nga sistemi bankar, regjistrimi i vlerave të prokurimeve, regjistrimi i kontratave, regjistrimi i urdhër-shërbimeve, ekzekutimi i raporteve, proceset e rakordimet, si dhe çdo veprim tjetër, do të kryhen pasi sistemi të rifillojë funksionimin. Sipas urdhërit, i kërkohet administratës tatimore të mos aplikojë gjoba ndaj institucioneve shtetërore, të cilat për shkak të fikjes së sistemit vonojnë ekzekutimin e pagesave sipas përcaktimeve ligjore.
Eksportet blegtorale bien me 57 për qind
Prodhimet blegtorale po vuajnë eksportimin e tyre jashtë vendit. Ndryshe nga performanca pozitive e eksporteve të produkteve bujqësore, ato blegtorale kanë pësuar një rënie të konsiderueshme gjatë 3-mujorit të parë të këtij viti. Sipas shifrave zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, tregtia me jashtë e prodhimeve blegtorale ka rënë me 57 për qind ose në vlerë prej 239 milionë lekësh. Kështu, në total për vitin 2012 në këtë periudhë u realizuan 418 milionë lekë të ardhura, ndërsa këtë vit shifra ka arritur në rreth 179 milion lekë. Gjatë kësaj periudhe janë eksportuar 23 mijë krerë bagëti të ndryshme, të cilat kapin vlerën e 26.6 milionë lekëve, i vetmi zë në këtë sektor që rezulton me rritje. Ndërsa eksporti i zërit “të brendshme mishrash” ka pasur rënie për këtë 3-mujor, ku janë shitur vetëm 9 ton, nga 203 të një viti më parë dhe që kapin vlerën e 21.8 milionë lekëve nga rreth 190 milion. Po ashtu ka pasur rënie të ndjeshme të numrit të vezëve të eksportuar në rajon e më gjerë, nga rreth 14 mijë të një viti më parë kjo shifër ka shkuar në 4 mijë këtë vit, me një vlerë prej 35.7 milionë lekësh. Ndërsa eksporti i mjaltit ka rënë me 0.1 për qind, nga 3 ton që është shitur vitin e kaluar në 2 ton. Rënia e eksporteve blegtorale është një tregues negativ për zhvillimin ekonomik të vendit dhe konkretisht të zonave rurale, të cilët fushën e bujqësisë dhe blegtorisë e kanë mjetin e vetëm të jetësës.