Ministria e Financave heq kufirin për borxhin publik. Viti elektoral kalon kufirin e lejuar të 60 %
Deputetët e Kuvendit shqiptar para se të njihen me draft buxhetin për vitin 2013, do t’u duhet të njihen me një ndryshim të propozuar nga Ministria e Financave. Heqjen e kufirit të borxhit publik. Kjo është goditja më e fundit që vjen me miratimin e projek-buxhetit të ri për vitin 2013, duke thelluar krizën, e rritur investimet elektorale. Burime të gazetës “Dita” japin dhe arsyet pse do të hiqet limiti i lejuar 60 për qind, duke mos garantuar në të njëjtën kohë sa sa mund të shkojë ky borxh. Sipas tyre do të ketë 5 % te GDP-së investime duke rritur deficitin buxhetor në 3.4 për qind, e sipas tyre duke e bërë të detyrueshëm heqjen e limitit të borxhit. Nëse në draftin fillestar është qartësuar se do të ketë një rritje të borxhit në nivelin 62.6 për qind, heqja e limitit hedh hijen e dyshimit se ky borxh do të kapërcejë dhe këtë shifër.
Propozimi i qeverisë parashikon shfuqizimin e paragrafit të fundit të nenit 58 të ligjit për menaxhimin e sistemit buxhetor, ku përcaktohet se niveli i borxhit nuk duhet të jetë më i lartë se 60 për qind.
Në rast se drafti miratohet, atëherë qeveria nuk ka kufizime ligjore për rritjen e nivelit të borxhit publik por, vetëm mund të monitorohet në proces nga institucionet financiare ndërkombëtare. Ky ndryshim, është argumentuar nga qeveria si një domosdoshmëri që vjen si pasojë e projekt-buxhetit të vitit 2013, ku është përcaktuar rritja me 2.6 për qind e nivelit të borxhit mbi limitin ligjor 60 për qind. Gjatë Konferencës së Kryetarëve ku u miratua kalendari i shqyrtimit të projekt-buxhetit, u vendos që fillimisht të shqyrtohet ky propozim i qeverisë. Në mbledhjen e sotme të komisionit të ekonomisë pritet të ketë debatë të forta, pasi deputetët e opozitës e kanë kundërshtuar këtë propozim. Por miratimi i heqjes së kufirit ligjor të borxhit mund të bëhet me shumicë të thjeshtë nga mazhoranca, duke e lënë zërin opozitar të pa konkretizuar me votën kundër të tyre.
Institucionet ndërkombëtare si Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë ngritur zërin e tyre me forcë, duke kërkuar të ruhet limiti i borxhit publik, madje të ketë ulje të nivelit të tij. Por këto institucione mund vetëm të japin rekomandime dhe në një situatë të tillë zëri i tyre nuk është marrë në konsideratë.
Ishte fillimi i kësaj jave kur kryeministri Berisha miratoi variantin e projektbuxhetit që parashikon rritjen e nivelit të borxhit publik për të financuar investimet e rritura, duke mos përzgjedhur variantin tjetër që parashikonte ruajtjen e nivelit të borxhit publik dhe marrjen e masave shtrënguese për ekonomisë.
C’thotë neni 58 për borxhin dhe shfuqizimi i paragrafit të fundit
Kufinjtë e borxhit publik
Borxhi publik përbëhet nga borxhi shtetëror dhe borxhi vendor.
Në ligjin të buxhetit vjetor vendoset kufiri për:
a) borxhin e ri shtetëror, për t’u marrë në vitin buxhetor;
b) totalin e borxhit shtetëror;
c) garancitë e reja për t’u lëshuar gjatë vitit buxhetor;
ç) totalin e shumës së garancive.
Njësitë e qeverisjes vendore marrin hua dhe lëshojnë garanci në rastet kur:
a) raporti i tepricës operative, të llogaritur si diferenca e të ardhurave operative,
gjithsej (nga burimet e veta, taksat e ndara dhe transferta e pakushtëzuar) me
shpenzimet jo të kushtëzuara operative të njësisë së qeverisjes vendore, përfshirë
shërbimin e borxhit dhe kostos së shërbimit të borxhit, që duhet të paguhet në çdo vit
për borxhin afatgjatë, është jo më pak se 1,4:1;
b) raporti i stokut të borxhit ndaj të ardhurave operative, gjithsej, nga burimet e
veta, taksat e ndara dhe transferta e pakushtëzuar, është jo më shumë se 1,3:1;
c) kufiri maksimal vjetor i shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave mesatare të tri
viteve të mëparshme fiskale të njësisë së qeverisjes vendore nuk e kalon masën 20 për
qind.
Borxhi total publik, përfshirë garancitë, nuk duhet të tejkalojë limitin 60 për qind
të produktit të brendshëm bruto.
Opozita
Kodheli: Borxhi duhet të jetë 45 %
Opozita parlamentare ka shfaqur qëndrimin e saj kundër rritjes së nivelit të borxhit publik. Në seancë plenare, nënkryetarja e Komisionit parlamentar të Ekonomisë Mimi Kodheli ka deklaruar qëndrimin kundër ndaj nismës për tejkalimin e nivelit 60 për qind të borxhit publik. “Në kushtet ku ndodhet ekonomia e vendit borxhi publik duhet të jetë në nivelin 45 për qind, në mënyrë që të mos përbëjë rrezik për stabilitetin makroekonomik të vendit”, u shpreh Kodheli.
