Fitim Çaushi
90 vjetori i lindjes së shkrimtarit Jakov Xoxa, u bë në Apolloni, ku ishte improvizuar edhe një shtëpi muze, ku kishte banuar shkrimtari për vite, në mbledhjen e nektarit artistik që do të përbënin jo vetëm ngjarjet e romaneve të tij, por edhe karakteret e spikatura të botës myzeqare.
Intelektuali fisnik Nasho Jorgaqi, më kishte dhënë një ftesë dhe së bashku me Razi Brahimin, Moikomin dhe disa krijues të tjerë, udhëtova me një mikrobuz për në Apolloni. Rrugës Moikomi komunikonte me bashkëudhëtarët, që do të mirnin pjesë në takim, për tema të letërsisë dhe atje pashë dhe një herë se bagazhi i tij ishte ishte i thellë dhe tepër i qartë, pa fraza parazititare. Pashë se vlerësimi i krijuesve të tjerë për të, ishte i lartë.
Veprimtaria letrare do të bëhej në natyrë. Folën për vlerat e mëdha të Xoxës: Razi Brahimi, Agm Vinca, Nasho Jorgaqi etj. U ftua në skenën e improvizuar Moikomi. Me një vrull dhe energji djaloshare, gati si me vrap, u ngjit në skenë dhe pa u vonuar, pa lënë kohë që të tjerët të mendonin për të, me një shprehje ngazëllimi në fytyrë dhe me një fjalor tepër të zgjedhur nga shpirti i tij human, plot interpretime estetike, i ngriti shkrimtarit Xoxa një monument artistik, si rrallë kush deri atëhere.
E kisha takuar edhe më parë, por atë moment më doli para meje statura e një intelektuali erudit, e njeriut të kulturuar që di të vlerësojë kulturën e kombit të tij dhe krijuesit e vërtetë të kësaj kulture. Njëherazi mendova, se ky njeri do të mbetet përherë me këtë energji djaloshare dhe nuk do të ketë kurrë plakje…
E kisha takuar në vitin 2006, në orët e mbasdites, në redaksinë e një gazete tek e cila punonte për të nxjerë bukën e gojës, pasi ishte pushuar nga puna dhe e kishin lënë të braktisur. E përjetova keq atë gjendje të vështirë të tij mbi kompjuterin, duke nxituar të përfundonte shkrimin, se gazeta do të shkonte për botim. Çuditërisht në atë gjendje të lodhshme dhe poshtëruese për një intelektual që renditej në elitën e lartë kulturore të kombit, pati kohën të më uronte për botimin “Kënga që shtegton në shekuj”, dhe shtoi; “Shumë interesante kënga…Kam shkruar edhe unë për Lukën, nesër do të jap librin”!
U hutova, e ndieja veten ashtu siç isha, krejtësisht amator dhe komplekset e inferioritetit më shtypën më shumë. Që nga ai momnent isha shumë i detyruar ndaj tij. E ndiqja vazhdimisht në botimet dhe shkrimet e tij në gazeta, ishte për mua një burim kulturor i sigurt. Në informacionet e tij letrare, fantazia ime shkonte nga filozofët dhe mendimtarët e Europës, tek shkrimtarët dhe artistët e epokave, që hodhën dritën e diturisë mbi njerëzimin, e deri tek atdhetarët e shquar shqiptarë në fushën e kulturës dhe diturisë. Më dukej, se disa prej tyre, me këndvështrimin e veçantë estetik të Moikomit, i lexoja për herë të parë! Miti i tij ishte Naimi, De Rada dhe Migjeni. E takova në Xhulat, pranë Iriz Sullit të gjdhendur në rrapin shekullor të tharë nga mosha e lashtë.
-Edhe këtu erdhe! – i thashë me një kënaqësi të veçantë.
-Kjo është një vepër artistike shumë e rrallë – më tha përmes një menditimi të thellë – të gdhendësh një konstitucionalist popullor, të para dy shekujve, që ka shkruar kanunin e Labërisë, në një trung me rrënjët ende në tokë, duket se ky përfaqësues dhe puna e tij, janë pjesë e kësaj toke të lashtë që ka mbijetur përmes rrebesheve, si asnjë popull tjetër i Europës.
Foli për burrat e shquar të kombit, “ndonëse të panjohur në botën e jashtme, por mbrojtja e traditës dhe të drejtës zakonore prej tyre, e ndihmoi popullin në ruajtjen e origjnalitetit të mënyrës së jetesës, në ndryshim me çfarëdo pushues të huaj. Ata ditën ta veçonin kulturën e popullit tonë nga kultura e huaj që sillnin pushtimet. Këta përfaqësues të krahinave, kanë vlerën e madhe, se duke qenë pranë popullit e institucionalizuan traditën dhe të drejtën zakonore, duke iu kunërvënë ndikimeve asimiluese të pushtuesve. Rastisi që para disa vjetësh ta kritikoja në gazetën Dita për një shkrim të nxituar. Nga dritarja e shtëpisë botuese, prapa Ministrisë së Arsimit, ku po punonte librin “Lasgushi i panjohur”, më thirri. U kontraktova, mendova se do të ishte i zemëruar dhe do të shkarkonte mbi mua Rrufetë e Jupiterit. Ai, me një buzëqeshje tepër të çiltër, që dëshmonte për një botë të pasur shpirtërore, m’u drejtua: “Na kishte kritikur me Ksenon në gazetë, por s’ka gjë, se na kishte ngjitur në lartësinë e heronjve të kombit” përfundoi vërejtjen duke qeshur. Më ftoi për kafe dhe temat që parapëlqente ishin ato të kulturës kombëtare dhe doemos edhe aktualiteti, për të cilin ai ishte i brengosur. Më pyeti edhe për shokun e tij të klasës, për të cilin kisha botuar disa vërejtje mbi krijimtarinë e tij letrare. U ndava prej tij me një ndjenjë mirënjohje të thellë, përkundër meskinitetit të disa të tjerëve, që kanë shprehur pakënaqësi nga kritikat parimore, dhe kanë tentuar të hakmerren me forma të ndryshme. Aty pashë se Moikomi ishte njeri fisnik dhe model i polemikave parimore. Në kuadrin e 75 vjetorit të çlirimit të Atdheut, Moikomi u ngrit mbi konformizmin dhe frikën e shtresës së intelektualëve, që deri dje kishin punuar me parullat e Enver Hoxhës në gojë. Në Konferencën që organizoi Komiteti i Veteranëve, me një qartësi dhe vendosmëri karakteri, Moikomi shpalosi vlerat e Enver Hoxhës në udhëheqjen gjeniale të Luftës Antifashiste Nacioanlçlirimtare dhe theksoi, se pa drejtimin e tij, Lufta Antifashiste do të degjeneronte në luftë civile dhe tërësia territoriale e Shqipërisë në Konfefencën e Parisit, do të ishte e rrezikuar. Prej këtej respekti im për të u shumëfishua. Më kishte thënë, se edhe pse kishte bërë kimion, gjendart nën sqetull i kishin mbetur. Në çdo takim me të, mundohesha të ishja i rezervuar, të mos e lodhja, të fliste ai pëse dëshronte, edhe për të përfituar sa më shumë nga njohuritë e tij, që ishin të pafund. Kishte një pakënaqësi që e shqetësonte, lënien e inteligjncës jashtë vlerësimit. E kujtonte si një gjë të rrallë respektin e Rexhep Qoses, kur e ftoi në Prishtinë për një drekë: “Po ku të linte Qosja të paguaja në Prishtinë”! “Nuk ka mendimtarë sot Shqipëria” – artikuloi në një moment pesimizmi. Përse i duhen, iu përgjigja në linjën e tij. Mendimtarë ka bota plot, me kuintal i dërgon në Shqipëri, ata urdhërojnë dhe ushtarët, duhet të jenë të gashëm të zbatojnë urdhërat e tyre! Më pa me një nënqeshje të dhimbshme! Në muajin janar më fton te kafja e librit pranë Barakës së Nushajve. Më dhuroi disa libra të tij, midis tyre studimin e Vangjush Zikos për poezinë e Moikomit. “Këtë po ta dhuroj me porosi të autorit, i cili banon në Kanada”, më tha Moikomi. Librat ishin me dedikim dhe detyrimi im, ishte t’i shprehja një konsideratë të dyve. Vangjyshi kishte bërë një pune tepër serioze në studimin e tij dhe pas shënimeve që kisha mbajtur po përgatitesha t’ua sdërgoja Moikomit dhe autorit, S’pata kohë se në datën 2 Maj përmes imeilit, Moikomi më dërgon studimin për Leonardo da Vinçin së bashku me kopertinën e librit.
Ishte një detyrim i dyfishtë, që më obligonte një mirënjohje të veçantë për të. Shpejtova të përgatisja diçka edhe për punimin mbi Da Vinçin, por kush e mendonte, se duhej të nxitoja…Ai iku shpejt, duke më lënë borxhin e madh të vlerësimit të punës së tij kolosale në fushën e kulturës, borxh që u përket të gjithëve, sepse në formimin tonë kulturor, kemi edhe nga pak Moikom.
SHQIPTARËT HUMBËN NJË MODEL..
-Moikomi; model i intelektualit të angazhuar…
Nga Naun Kule
Humbëm njeriun-referencë, i cili, me gjithçka bënte dhe thoshte, me gjithçka shkroi e botoi në gjysmëshekulli të jetës së tij aq produktive, gjithçka realizoi e promovoi në veprën e vet disaplanëshe; si krijues dhe studjues, si politikan dhe deputet, si ministër dhe drejtues institucionesh të larta, madje si njeri dhe mik i të gjithëve, deri edhe si pensionist i thjeshtë ku e xeruan dyfytyrësit e qeverisjes shqiptare, mbeti po aq miqësor e dinjitar, i qetë në koshiencën e vet, sa të mëdyshte tek e dëgjoje.
Ajo që i mungon sot shoqërisë shqiptare është pikërisht ky; modeli i intelektualit të angazhuar, siç ishte miku ynë Moikom. Angazhim i gjithanshëm dhe i kudondodhur, me shkrime dhe botime në letërsi, publiçistikë e politikë, me kurajo dhe qartësi të habitëshme për çfarë u gabua dje dhe ç’mund të ndreq e nesërmja. Me frazën dhe fjalën e tij të troçtë dhe të saktë, me guzimin e intelektualit të pakapur nga shteti a politika, të cilëve u shërbeu si askush me dijen dhe ndershmërinë e tij, me kompetencë, vizionin dhe idealizmën e artistit që ngryste të sotmen duke punuar dhe projektuar një të nesërme më të mirë.
-Shkoi, njeriu i pengjeve të mëdha
Si njohës i thelluar i historisë së vendit dhe popullit të vet; i historisë së artit, letërsisë dhe arkeologjisë,(edhe asaj nënujore), Moikomin e shqetësonte fati, vepra apo vuajtja e secilit njeri, posaçërisht në çdo cep të tokës arbërore. Me një dhunti të paçmuar të kujtesës së tij të admirueshme, ai fliste për ngjarje dhe njerëz, për figura, libra dhe autorë, shumë nga të cilët i kishte takuar parë e dëgjuar, paçka se para disa vitesh…
Falë edhe kësaj kujtese, ishte kënaqësi ta dëgjoje tek fliste, citonte apo recitonte Migjenin, Lasgushin, Buzukun apo Jakov Xoxën, Kutelin, De Radën…
Njëri nga pengjet ishin zhvillimet e sotme të shoqërisë tonë në Shqipëri dhe në gjithë trojet shqptare. Ishte peng dhe merak pasuar nga zhgënjimet njeriut nismëtar dhe progresist për një qeverisje nga populli e për popullin që e dëshironte por s’e pa dot. I zhgënjyer për ecjet në vendnumëro në tri dekada të Shqipërisë drejt BE, nga prapësitë e të ashtuquajturve lidership shqiptarë, si klasa “parapolitike” e këtij vendi e më tej, e gjithë kombit.
Tjetër peng ishte ai i braktisjes së atdheut nga brezi i ri, nga fëmijtë dhe nipat tanë që po rriten larg Shqipërisë, larg gjuhës së nënës dhe trashigimisë shqiptare. Fliste me dhimbje e shqetësim për nënvlerësimet e shumta të organeve qeverisëse për projektet zhvillimore të kulturës dhe shkencës shqiptare. Dhe… fliste kësisoj një ishministër i kulturës së Shqipërisë, një akademik, krijues dhe studjues i spikatur, një ishdeputet dhe kulturolog me një karrierë të parreshtur mbi gjysmëshekullore…
-Një kurorë për Moikomin…
Në fillim javë, në mëngjezin e të hënës, kur lajmi-kob për ikjen e Moikomit ende s’qe shpërndarë kudo, më solli në vete një telefonatë nga Bashkia e Fierit. Kërkonin të prisja në Tiranë makinën me një kurorë-homazh për Moikomin..! Të tjerët do vinin pas…-Na njofto orarin dhe vendin e homazheve..!
E rëndësishme është se në një qytet diku larg,sapo dëgjon lajmin e kobshëm, ndjehet pjesë e kësaj dhimbjeje kombëtare. Ndjehet e nderuar të përcjellë me meritën përkatëse njerin nga dijetarët më progresistë e kombëtarist të këtij fillimshekulli. Po ç’e lidh studjuesin dhe krijuesin Moikom me Fierin, fierakët dhe gjithë Myzeqenë? Asgjë më shumë se sa ajo që e lidh me çdo pëllëmbë të tokës mëmë, me secilin bashkëkombas, kudoqoftë. Por Bashkia e Fierit, në këtë rast (por jo vetëm), nderon emrin e një kontrabutori të pashoq në progresin kombëtar, nderon kulturën dhe artin që krijoi ky njeri, nderon modelin dhe veprën e një intelektuali bashkëkohor,vepra e të cilit kthehet në referencë dhe pasuri kombëtare.
……Në përvjetorin e shkrimtarit Jakov Xoxa, Bashkia e Fierit përuroi edhe restaurimin e dhomës-muze të Jakovit, në manastirin e Apolonisë.
E gëzoi aq shumë mobilimi muzeal i dhomës, puna e specialistëve…
Shikonte mjetet e punës së shkrimtarit aty,çizmet e gjahut, enët e gatimit, biblioteka, librat…Ja, thoshte, përurimi i këtij muzeu në përvjetorin e shkrimtarit, është një vlerësim i veçantë që s’e bëjnë të gjithë…Por, kemi të pakta edhe simotrat Bashkisë së Fierit që investon dhe restauron vepra të tilla në nderim të krijuesve të mëdhenj siç është shkrimtari Jakov Xoxa…
………Titullin “Nderi i Myzeqesë” dhënë Moikom Zeqos nga Shoqata AK “Myzeqeja”
në janar të këtij viti (në 100 vjetorrin e Kongresit të Lushnjes), e përcolli me emocion të veçantë duke bërë një vlerësim historik për kryengjarjen e historisë shqiptare, Mbledhjen e kombtare të Lushnjes.
Nderimi për figura të tilla është nderim për dijen dhe kombtarizmën e secilit prej nesh. Duke renditur emrin e Moikom Zeqos me emrat emblematikë të krijuesve dhe artistëve myzeqarë si Jakov Xoxa, Vaçe Zela etj, risollëm një shëmbull, një model dhe kujtesë për gjithë intelektualët, krijuesit dhe secilin shqiptar, afër dhe larg Shqipërisë, për detyrimet e çdonjerit në rrjedhat zhvillimore të shoqërisë shqiptare.
Përsa i përket vet Moikomit, jetës dhe veprës së tij aq kombëtare dhe diturore, është rasti të kujtojmë bustin e Volterit në Akademinë franceze dhe shënimin për të:
“Ky, s’ka nevojë për ne. Ne, kemi nevojë për atë..!”
