Një pjesë e rritjes sonë ekonomike ka qenë bazuar gjatë dhjetë viteve të fundit mbi borxhin publik. Kujtojmë eurobondin, borxhin sindikal shumë të shtrenjtë të vitit 2009. Rritja e kufirit të borxhit nga qeveria shqiptare këto vitet e fundit është alarmante, pse kosto e pagesës së tij bëhet një barrë vështirësisht e përballueshme për ne si brez, madje edhe për fëmijët dhe nipërit tanë. Një qeveri që nuk ka shumë sovranitet dhe eksperiencë të mirëfilltë në politikën ekonomike, që nga pasionet politike zgjedhore tërhiqet si flutura nga zjarri, rrezikon të mos jetë më në gjendje të paguajë borxhet e grumbulluara. Veprimi më i papërgjegjshëm i qeverisë në këtë gjendje të vështirë të ekonomisë shqiptare është pikërisht shtimi i pragut të borxhit publik, të borxhit sovran të Shqipërisë. Shumë vetë mund të thonë se e rrisim borxhin ngaqë kemi rritje ekonomike. Por ka ardhur një kohë kur kjo rritje ekonomike po vjen me pikatore, aq sa edhe një INSTAT i bërë njësh me pasionet dhe interesat qeveritare nuk e zmadhon dot ndjeshëm. Një tregues shumë i rëndësishëm për të gjykuar mbi borxhin dhe aftësinë e shlyerjes së kostos së tij nga ana e qeverisë së shtetit huamarrës është kosto e borxhit për frymë. Tek ne ky tregues është rritur në mënyrë të frikshme gjatë tre viteve të fundit, duke përfunduar gjatë këtij viti në mbi një mijë e tetëqind euro për person. Në vitet 2008-2011 kemi një rritje shumë të lartë të borxhit. Në këtë periudhë filloi të ndihet kriza financiare botërore dhe ekonomia shqiptare pësoi tkurrje. Sot interesat për borxhin tonë publik, i cili është afro 6 miliardë euro janë mesatarisht 6 për qind. Përbëjnë rreth 17 për qind të të gjithë të ardhurave të buxhetit. Pra nga 100 lekë që nxjerrin shqiptarët në vit, një e pesta shkon për të paguar borxhet që si shtet u kemi të tjerëve. Në rast se ekonomia nuk rritet me 4-6 për qind në terma realë, do të jetë shumë e vështirë për ta paguar këtë borxh. Dhe kjo rritje duket shumë larg realitetit, shume fantaekonomi, që të na vijë vitin që vjen, pavarësisht entuziazmit foshnjarak(të paktën) të qeverisë sonë. Nga këto 5.8 miliardë që do të na i paguajnë edhe nipërit, ne kemi edhe një problem tjetër të madh. Shumica(57 perqind) e këtyre parave janë borxh i jashtëm. Borxhi i jashtëm është shumë i dëmshëm për vendet në zhvillim si ne. E kemi të vështirë ta paguajmë me monedhën vendase, duhet të largojmë një pjesë të valutës së çmuar, që ta paguajmë. Borxhi ynë i jashtëm përbëhet kryesisht nga hua të përfituara përmes marrëveshjeve dypalëshe ose shumëpalëshe të financimit nga ana e institucioneve financiare ndërkombëtare, si Banka Botërore, FMN, fonde dhe qeveri të ndryshme. Nga ana tjetër, vendi ynë ka borxhin publik më të lartë në krahasim me vendet e Ballkanit. Një problem tjetër i borxhit publik shqiptar është se pjesa më e madhe është borxh afatshkurtër, pra e marrë nga një qeveri që ka nevoja të vazhdueshme për para letër. Rritja e kufirit të borxhit publik në 62.6%, sidomos në prag të vitit elektoral, tregon keqmenaxhim të borxhit publik në Shqipëri. Banka Botërore e thotë qartë e shkoqur në një raport të saj publikuar dy ditë më parë. Ekonomitë e kombinuara të gjashtë vendeve të Evropës Juglindore do të tkurren me 0.6 për qind në fund të këtij viti dhe do të përballen me rreziqe të frikshme në vitin 2013. Rritja e pritshme është vetëm 1.6 për qind, thotë një raport i rregullt ekonomik i Bankës Botërore për Evropën Juglindore. Në këto kushte, të rritësh borxhin me mbi 2.6 përqind, sikurse veproi qeveria jonë, pra t’í shtosh mbi 290 milionë euro të tjera, është një atentat ndaj mirëqënies së sotme dhe të ardhshme të shqiptarëve. Rritja e stokut të borxhit publik, e shoqëruar me rritjen e kostove të borxhit publik në një situatë kur rritja ekonomike e vendit është shumë e ulët, vë në rrezik pagesat e ardhshme të kësteve të kësaj huaje kolosale.
