Çfarë ka ndodhur gjatë së dielës në gjithë botën? Një vështrim i shpejtë në mediat e ndryshme lidhur me ngjarjet kryesore.
SHBA
Engjëlli i “Victoria’s Secret”, Miranda Kerr, duket se nuk do të ketë një rinovim kontrate dy javë para ditëlindjes së saj të 30-të dhe duket se shkak për këtë është pikërisht mosha. Duke parë në të shkuarën, rezulton se mosha mesatare e tërheqjes së modeleve nga pasarelat e kompanisë së famshme të veshjeve intime është 28 vjeçe.
Guantanamo
Disa të burgosur u përleshën me gardianët e burgut të sigurisë së lartë në Guantanamo, ndërsa autoritetet u përpoqën të zhvendosnin me forcë të dënuarit, disa prej të cilëve prej ditësh në një grevë urie. Ndërhyrja e autoriteteve erdhi pasi të burgosurit bllokuan pamjen e kamerave të sigurisë dhe dritaret e burgut të bërë të famshëm
Francë
Një grabitës i armatosur ka mobilizuar policinë franceze në një kërkim të ethshëm në veri të vendit, pasi realizoi një arratisje spektakolare nga burgu. Redoine Faid realizoi disa shpërthimesh dhe mbajti peng katër gardianë, gjatë arratisjes së tij nga burgi i Sekuedinit, pranë qytetit të Lilës. Besohet se Faid është i armatosur dhe ende në zotërim eksplozivësh.
Kosovë
Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, vazhdon të këmbëngulë në marrjen e drejtimit të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik. Nëpërmjet kësaj ministrie ai pretendon të zbatojë planin ekonomik të prezantuar më 2011, ku përfshihet edhe e ardhmja e ndërmarrjes “Trepça“.
Belgjikë
Të paktën 5 të vdekur është bilanci i një aksidenti të ndodhur në Belgjikë. Viktimat janë shoferi i një autobusi dhe katër adoleshentë rusë e ukrainas. Aksidenti ndodhi në Ramsk, në afërsi të Anversës. Shkak i aksidentit mendohet të jetë bërë përgjumja e drejtuesit të autobusit në autostradë. Në të dyshohet se ishin rreth 40 adoleshentë.
Rusi
Rusia publikoi një listë prej 18 zyrtarësh amerikanë, të cilëve u ndalohet të hyjnë në vend, në një kundërpërgjigje të një akti të njëjtë të ndërmarrë të premten nga autoritetet amerikane. Në një deklaratë, Moska e konsideronte lëvizjen e SHBA-së si një shantazh ndaj Rusisë dhe një goditje për marrëdhëniet e të dy vendeve.
Venezuelë
Të dielën venezuelianët votuan për të zgjedhur presidentin pas vdekjes se Hugo Çavesit. Presidenti në detyrë, Nikolas Maduro, i përzgjedhur nga Çavez si pasardhesi i tij përballet me Henrik Kaprilesin, guvernator i Mirandas. Në zgjedhjet presidenciale të tetorit, Kapriles humbi përballë Çavesit. Në prag të zgjedhjeve ai akuzoi Maduron se kishte shkelur ligjet.
Greqi
“Shqipëria nuk na e ka nevojën”, shkruan në analizën e tij ish-zëvendëskryeministri dhe ministër i të gjitha qeverive greke të PASOK, Teodoros Pangalos në gazetën “To Vima” e së dielës. “Papunësia në Greqi arrin 24% dhe vendi është i 172-ti në botë, ndërkohë që Shqipëria shënon vetëm 13% të papunë dhe është në vendin e 133.
Lideri i së majtës italiane Pier Luixhi Bersani ka kundërshtuar sërish një koalicion të mundshëm me partinë e Silvio Berluskonit, edhe pas thirrjes së fundit të Kavalierit. “Ne duhet të theksojnë se nuk duam qeveri me Berluskonin, pasi kjo nuk do t’i zgjidhte problemet e vendit” tha Bersani, që kërkon një koalicion me drejtuesin e Lëvizjes 5 Yjet Bepe Grilo.
Palestinë
Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmud Abas, ka pranuar dorëheqjen e kryeministrit Salam Fajad, pavarësisht përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara, që ai të mbetet në këtë detyrë. Prej kohësh raportet ndërmjet Abasit e Fajadit ishin të tensionuara, kështu që Kryeministri dje paraqiti dorëheqjen
Siri
Aktivistët në Siri thonë se nga sulmet e djeshme ajrore të qeverisë, në pjesën veriperëndimore të këtij vendi, janë vrarë të paktën 20 persona. Sulmet ajrore u ndërmorën në qytetin Sarakeb në provincën Idlib. Videot amatore tregojnë një shtëllungë gjigande tymi të zi, ndërsa njerëzit nxitonin për të ndihmuar të plagosurit.