1. SHBA
Një grup shkencëtarësh dhe mjekësh të mbështetur nga qeveria e SHBA-së rekomanduan që qytetarët amerikanë nga mosha 15 deri 65 vjeç duhet të kryejnë analizën për virusin e SIDA-s. Ata thonë se 25% e 1 milionë amerikanëve të infektuar me HIV nuk e dinë se e mbartin këtë virus.
2. Angli
Ish-kreu i zyrës së komunikimit në kabinetin e kryeministrit Kameron, Endi Koulson, dhe ish-drejtoresha ekzekutive e një prej medieve britanike, Rebeka Bruks, u akuzuan për konspiracion dhe dhënie ryshfetesh punonjësve publikë me qëllim përfitimin e informacioneve sekrete.
3. Francë
Franca do t’i japë fund misionit të saj në Afganistan. 88 ushtarë francezë janë vrarë në këtë vend që nga fillimi i misionit. Nga 2200 ushtarë, rreth 700 do të kthehen në shtëpi në fund të këtij viti dhe një mijë të tjerë deri në verën e ardhshme. 500 ushtarë do të vazhdojnë të qëndrojnë në Kabul.
4. Brazil
Ish-portieri i famshëm i ekipit të Flamengos, Bruno Fernandes, po përballet me akuzat se ka rrëmbyer e më pas ekzekutuar të dashurën e tij modele, Eliza Samudio. Modelja e cila u zhduk në 2010-n, u gjet e masakruar në një fermë. Ajo ishte shtatzënë në atë kohë me Fernandesin
5. Itali
Kryeministri italian Mario Monti tha se Italia kishte arritur të shmangte një fatkeqësi të përgjithshme. “U përpoqëm të shuanim zjarrin brenda shtëpisë sonë, nuk kishim pse të ndiznim një vatër zjarri në Evropë. Reformat do të kenë një ndikim prej 4 pikësh në përqindjen e GDP-së”, tha ai.
6. Kroaci
Ish-kryeministri i Kroacisë, Ivo Sanader, është dënuar të martën nga Gjykata e Lartë në Zagreb me 10 vjet burg. Ai gjithashtu është detyruar që t’i paguajë shtetit 480 mijë euro. Sanader është dënuar për keqpërdorime të financave gjatë mandatit të tij si kryeministër.
7. Izrael
Luftimet ndërmjet Izraelit dhe Rripit të Gazës kanë hyrë në ditën e shtatë. Ushtria izraelite njoftoi se ka qëlluar më shumë se 100 zona kufitare 24 orët e fundit në Gaza. Një izraelit me precedentë penalë sulmoi rojen e ambasadës amerikane në Tel Aviv, por nuk bëhet fjalë për një sulm terrorist.
8. Siri
Rebelët në Siri kanë marrë nën kontroll një bazë ushtarake në periferi të Damaskut. Një video ka treguar rebelët teksa ecnin nëpër bazën e Batalionit të Mbrojtjes Ajrore. Megjithëse BE-ja e ka mbështetur koalicionin e ri opozitar, ajo ende nuk e ka njohur atë.
9. Indi
Largimi me rrëmujë nga një festival fetar në rajonin Bihar të Indisë ka vrarë 17 njerëz, ndërmjet tyre 9 fëmijë. Autoritetet policore thanë se ndërprerja e energjisë elektrike vuri në panik njerëzit që filluan të shtynin njëri-tjetrin. Të paktën 20 persona mbetën të plagosur në incident.
10. Pakistan
Gjykata e Lartë në Islamabad ka hedhur poshtë akuzat për blasfemi kundër vajzës së krishterë Rimsha Masih, e cila u arrestua në muajin gusht, nën dyshimet se kishte djegur shkrimet e shenjta të Islamit. Autoritetet akuzuan një imam lokal se kishte fshehur provat e blasfemisë në çantën e saj.
11. Kongo
Ka rënë në duart e rebelëve aeroporti i Gomas në rajonin verior të Kongos, në Kivu. Këtë e bëri të ditur një zëdhënës i Kombeve të Bashkuara. Më parë rebelët kërkuan nisjen e bisedimeve me qeverinë për çmilitarizimin e Gomës, por qeveria refuzoi prerazi marrëveshjet me ta.
12. Australi
Antropologia seksuale australiane Bela Elud Klejton publikoi një recetë, e cila ndihmon në ndezjen e pasionit në çift. Ndër këshillat e saj, në vend të parë është leximi i librave erotikë, në të dytin është fjetja zhveshur, ndërsa në vendin e tretë është konsumimi i afrozidiakëve si vera e kuqe etj.
