1. SHBA
Autoritet e policisë në Miami-Dade në shtetin e Floridas bënë të ditur se një vajzë 13-vjeçare është qëlluar për vdekje në autobusin e shkollës nga i dashuri i saj 15-vjeçar. Tetë studentët e tjerë që ndodheshin në autobus, duke përfshirë edhe motrën 7-vjeçare të viktimës, nuk u lënduan.
2. Gjermani
Shtëpia e ministrit gjerman të Financave, Jolfgang Shaubël është grabitur duke aguar mëngjesi i së mërkurës. Ngjarja ka ndodhur në vilën e tij në jugperëndim të Berlinit, ndërsa në momentin e grabitjes ministri nuk ka qenë në shtëpi. Hajdutët kanë marrë nga vila gjërat me vlerë.
3. Belgjikë
Takimi i eurogrupit në Bruksel zgjati deri në orën 5:00 të mëngjesit të së mërkurës, por përfundoi pa asnjë marrëveshje për dhënien e 44 miliardë eurove Greqisë, e cila ka të ardhura të mjaftueshme vetëm për muajin nëntor. Eurogrupi do të zhvillojë një tjetër mbledhje të hënën.
4. Itali
Kreu i Kishës Katolike apeloi për armëpushim në konfliktin mes Izraelit dhe grupit islamik Hamas në Rripin e Gazës. “Ndiej nevojën të deklaroj se urrejtja dhe dhuna nuk janë zgjidhje e problemit. Mbështes përpjekjet për sigurimin e një armëpushimi dhe për vijimin e negociatave”, tha Papa Benedikti XVI në Romë.
5. Serbi
Serbia vazhdon të këmbëngulë se misionet ndërkombëtare nën patronazhin e OKB-së duhet të ofrojnë siguri dhe të drejta të barabarta për të gjithë në Kosovë. Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, tha se është e nevojshme që UNMIK-u të ketë një rol më aktiv për sigurinë në pjesët e banuara nga serbët.
6. Jemen
Një aeroplan ushtarak u rrëzua të mërkurën në distriktin Hasba, në afërsi të kryeqytetit të Jemenit. Nga aksidenti mbetën të vrarë 10 anëtarët e ekuipazhit. “Aeroplani provoi të ulej në tokë, në një hapësirë të zbrazët, por për shkak të problemeve teknike, u rrëzua”, tha një zyrtar i aeroportit Sana.
7. Rripi i Gazës
Tre gazetarë palestinezë u vranë të mërkurën në qytetin e Gazës. Ushtria izraelite u shpreh se gazetarët ishin shënjestra e tyre, pasi ata kishin lidhje me ekstremistët terroristë. 6 palestinezë të tjerë u ekzekutuan nga militantët e Hamasit sepse dyshohej se ndihmonin ushtarët izraelitë.
8. Izrael
E ashtuquajtur Kubeja e Hekurt për mbrojtjen nga raketat, e ka kaluar me sukses provën e parë, duke ndaluar 389 raketa me rreze të shkurtër të Hamasit nga Gaza kundër qyteteve izraelite. Kubeja e Hekurt është prodhuar nga Sistemi i Mbrojtjes Rafael, një kompani shtetërore izraelite.
9. Siri
Në të gjithë Sirinë, vetëm të mërkurën kanë humbur jetën 100 persona, midis tyre 2 gra dhe 6 fëmijë. Në rajonin e Damaskut humbën jetën 43 persona, në atë të Alpeos 18, në Seguono 12, Idlib 8, Hasake 5, Homs 5, dhe në Dara u ekzekutuan 3 persona.
10. Kinë
Zhai Ksiaobing u arrestua pas postimit të një shakaje në “Tëitter” lidhur me Kongresin e Partisë Komuniste. Postimi sugjeronte që skenari i ardhshëm i filmit horror “Final Destination” duhej të bëhej në Sallën e Madhe Kineze. Sipas policisë, Zhai po hetohet për “shpërndarje të informacioneve terroriste”.
11. Australi
Australia ka rihapur një kamp përqendrimi në det, afër Naurus, teksa ka rikthyer një politikë të diskutueshme pas dhënies fund të politikës së njohur “Zgjidhja Paqësore” në 2008-n. Kjo lëvizje erdhi si kundërpërgjigje e rritjes së jashtëzakonshme të numrit të azilkërkuesve nga Sri Lanka.
12. Zelandë e Re
280 kilometra në jug të Auklandit shpërtheu vullkani Tongariro. Mbi kraterin e tij u ngrit një shtullungë e zezë tymi me lartësi rreth 2 kilometra. Vite më parë, disa skena të trilogjisë së famshme “Zoti i unazave” janë xhiruar në këtë vend. Erupsioni i vullkani në 1896-n zgjati plot 11 muaj.