1.Bahamas
Një amerikan ka mbetur i vrarë dhe 4 të tjerë janë plagosur, pas përplasjes së një helikopteri me një resort turistik në Bahamas. Një nga të mbijetuarit është edhe pronari i hotelit, Xhefri Sofer, i cili njihet për lidhjen e tij me top modelen e famshme australiane Ele Makferson.
2.Meksikë
Jo të gjithë e dinë se emri zyrtar i Meksikës është Shtetet e Bashkuara Meksikane, e me këtë rast presidenti i këtij vendi, Felipe Kalderon, po përpiqet ta ndryshojë emrin, duke e lënë thjeshtë Meksikë. Ndryshimi i emrit duhet të aprovohet në Kongres nga 31 rajonet përbërëse të vendit.
3.Brazil
Gjykatësi Joakim Barbosa u betua për të marrë përsipër udhëheqjen e Gjykatës Supreme braziliane. Ai është gjykatësi i parë me ngjyrë që mban këtë detyrë në Brazil. Në vitin 2003, Barbosa u bë gjyqtari i parë me ngjyrë i Gjykatës së Lartë. Më shumë se gjysma e 192 milionë brazilianëve i kanë paraardhësit afrikanë.
4.Angli
“Bigfoot”ose këmbëmadhi është parë nga disa kalimtarë afër parkut “Tunbridge Wells”në qytetin Kent. Dëshmitarët që e kanë parë, thonë se krijesa është e lartë mbi 2 metra e me sy të kuq. Të tjerë mendojnë se bëhet fjalë për një njeri të veshur me kostum që argëtohet duke terrorizuar njerëz.
5.Spanjë
Mbreti Huan Karlos i Spanjës iu nënshtrua një ndërhyrjeje tjetër kirurgjikale në mëlçi pasi bëri paraprakisht analizat në spitalin “Quiron San José”. Lajmi është bërë i ditur nga burime të familjes mbretërore. Para se të kthehej në pallat mbretwror, Huan Karlos siguroi se ndihej shumë mirë.
6.Qipro
Qipro është vendi i radhës në Eurozonë që kërkon një paketë financiare shpëtimi. Zyrtarët e vendit firmosën një kredi madhore me partnerët e Eurozonës dhe FMN-në. Në bazë të marrëveshjes, në arkat e shtetit-ishull me 1,2 milionë banorë do të shkojnë 16 miliardë euro.
7.Austri
Estibaliz Karranza do të vuajë dënimin me burgim të përjetshëmnë një qendër psikiatrike. Shitësja austriake e akulloreve u dënua sepse vrau bashkëshortin dhe të dashurin me një sharrë elektrike, fshehu trupat e tyre në pastiçeri, e më pas i varrosi në kantinë.
8.Rusi
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme në Rusi bëri të ditur se Federata Ruse e njeh Palestinën si një shtet të pavarur dhe e mbështet aplikimin e saj për të ndryshuar statusin. Përfaqësues palestinezë në OKB shpërndanë një draft-rezolutë për t’i dhënë Palestinës statusin e vëzhguesit.
9.Egjipt
Janë ngritur në protestë egjiptianët pasi presidenti Mohamed Morsi vendosi të përqendrojë edhe më shumë pushtetin e tij, pa marrë në konsideratë Parlamentin. Mediat vendase njoftojnë manifestuesit i kanë vënë flakën tri ndërtesave të Partisë për Liri dhe Drejtësi, të presidentit Morsi.
10.Guatemala
Persona të armatosur e të maskuar me uniforma policie hapën zjarr në një klinikë mjekësore, e si pasojë mbetën të vrarë 7 persona. Vrasësit ishin vënë në ndjekje të trafikanit të drogës, Jairo Orellana, i cili arriti t’i shpëtojë sulmit. 6 nga të ekzekutuarit ishin truprojat e Orellanës.
11.Rripi i Gazës
Ushtria izraelite ka ndërrmarë një aksion ushtarak paraditen e së premtes duke vrarë një palestinez dhe duke plagosur 7. Gjithashtu, ajo arrestoi 5 parlamentarë të Këshillit Legjislativ të Hamasit. Përfaqësues të këtij grupimi thanë se “Izraeli ka thyer marrëveshjen për armëpushim”.
12.Kinë
Në rajonin Rebkong të Tibetit 18-vjeçari, Lubum Gyal i vuri flakën vetes si pjesë e protestave kundër Kinës. Të nisura që nga shkurti i 2009-s, protestat e tibetianëve kanë kulmuar me 79 të vetësakrifikuar. I riu vdiq si pasojë e plagëve të rënda.