1. SHBA
Në Kaliforni është zbuluar ‘shtëpia e tmerreve’ pasi pronari i saj, 68-vjeçari Frederik Hengl ka therur të shoqen e për më shumë se një muaj është ushqyer me të. Policia gjeti në shtëpinë e Hengl pjesë të trupit të gruas duke zjerë në tri tenxhere dhe kokën e saj në frigorifer.
2. Brazil
Duhej të ishte dita më e bukur për Fabio Xheferson Dos Santos nga Rio de Zhaneiro, sepse po celebronte dasmën e tij, por, falë një aksidenti banal ajo u kthye në mort. I riu shkeli mbi një gotë të hedhur në tokë, u rrëzua dhe përplasi kokën duke pësuar vdekjen e menjëhershme.
3. Angli
Pak metra nga “Downing Street” në Londër, një shfaqje e pazakontë iu rezervua kalimtarëve sepse një 40-vjeçar lakuriq ishte ngjitur në majë të statujës së dukës së Kembrixhit “për të shijuar panoramën e qytetit”. Forcave të rendit iu deshën 3 orë për ta bindur burrin që të zbriste nga statuja.
4. Itali
Përfundon në pranga një pronar lokali në Venecia, pasi u zbulua se në koktejlet që servirte, hidhte brenda gjakun e tij. Frekuentuesit e lokalit që konsumonin pijet e pazakonta, ishin të vetëdijshëm për përbërjen e tyre, por dyshohet se ata janë gjithashtu edhe konsumues lëndësh narkotike.
5. Serbi
Kryetari i Partisë Demokratike të Serbisë, Vojisllav Koshtunica deklaroi se ‘vetëm disa ditë e ndajnë Serbinë nga vendosja e kufirit me Kosovën’. Sipas tij, është shumë e rëndësishme që serbët t’i kundërvihen me çdo kusht kësaj lëvizjeje, sepse vendosja e një kufiri do të sillte edhe kufij të tjerë.
6. Sierra Leone
Presidenti aktual i Siera Leones, Ernest Bai Koroma është rizgjedhur në krye të shtetit për të dytën herë me 57% të votave, ndërsa rivali i tij Julius Mada Bio arriti të merrte vetëm 37% të tyre. Që nga fundi i luftës në vitin 2002 këto janë zgjedhjet e treta elektorale që zhvillohen në këtë vend.
7. Kenia
Sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara, të paktën 412 persona janë vrarë dhe 256 të tjerë janë plagosur në Kenia gjatë vitit 2012. Bilanci i rëndë është pasojë e përleshjeve të klaneve të brendshme për kontrollin e burimeve natyrore në vend.
8. Iran
Ambasadori iranian në OKB, Mohamad Khazae, tha se marina amerikane vazhdimisht ka provokuar Iranin, duke shkelur hapësirën ajrore të tij. Vetëm gjatë dy muajve të fundit janë regjistruar tetë fluturime aeroplanësh amerikanë mbi Gjirin Persik dhe Detin e Omanit.
9. Rusi
Shkencëtari Valentin Danilov i arrestuar në vitin 2001 si spiun në favor të Kinës, u lirua pas 11 vitesh burgim. Ai u dënua me 14 vite burg për tradhti të lartë shtetërore. Vendimi u prit me protesta nga shkencëtarët, pasi informacioni për Kinën ishte hequr nga lista e informacioneve të klasifikuara sekrete që në vitin 1992.
10. Kinë
Një shpërthim i fuqishëm në një restorant shkaktoi vdekjen e 14 personave dhe plagosjen e 47 të tjerëve në provincën Jinzhong. Restoranti “hot-pot”, ku vetë klienti gatuan ushqimin e tij në sobën e gazit të vendosur në qendër të tavolinës, shpërtheu si pasojë e një rrjedhjeje gazi.
11. Tajlandë
Një demonstratë masive e udhëhequr nga një gjeneral në pension shpërtheu në Bangkok kundër qeverisë së Yinglak Shinauatra, motrës së ish-kryeministrit të rrëzuar, Taksin Shinauatrës. 10 mijë persona u mblodhën për të protestuar kundër korrupsionit dhe rënies ekonomike në vend.
12. Koreja e Veriut
Koreja e Veriut po zhvendos pjesë përbërëse të raketave balistike nga baza në kryeqytetin Penian drejt një baze në veri, në të cilën gjatë kohës së sundimit të Kim Jong Li janë kryer disa herë testime luftarake. Kjo lëvizje mund të paraprijë provokimet e reja për fqinjët kufitarë.