1. SHBA
Rrënojat e uraganit “Sendi” duket se kanë filluar të jenë një vend shumë i përshtatshëm për të fshehur trupat e vrasjeve të kryera. Të paktën dy trupa janë gjetur tani dhe frika e policisë është e madhe se mund të ketë të tjera. Ende nuk dihet nëse dy vrasjet e kryera janë të të njëjtit autor
2. Rumani
Këtë vit 1500 gra dhe burra do të marrin pjesë në përgatitjet ushtarake për festën e çlirimit të Rumanisë, më 1 dhjetor. Provat do të zhvillohen para Harkut të Triumfit më datat 26 dhe 28 nëntor. Rreth 100 000 euro janë investuar për paradën ushtarake që do të mbahet në vend.
3. Liban
Nëse Izraeli do të sulmojë Libanin, mbi të gjitha qytetet e shtetit hebre do të ketë mijëra raketa. Është ky kërcënimi i liderit të Hezbollahut, Sajed Hasan Nasrallah. “Mund të vrasim mijëra persona dhe të godasim kudo Izraelin, sepse Hezbollahu ka një arsenal më të fuqishëm se Hamasi”, përfundoi ai
4. Holanda
Qeveria e Holandës dhe UNICEF-i firmosën të dielën një donacion prej 5,7 milionë dollarësh për të mbështetur shërbimet në komunitet për Jemenin. Kjo shumë do të shërbejë për një popullsi prej 165 900 vetësh dhe për 41 zona rurale të tre qarqeve
5. Austri
Dënim me burgim të përjetshëm për gruan që vrau ish-bashkëshortin e më pas të dashurin. Ajo rrëfeu para gjykatës se si i kishte vrarë dhe më pas ndarë në pjesë dhe i kishte fshehur trupat në ngrirje të dy burrave. 34-vjeçarja Estibaliz Carranza duhet ta vuajë dënimin në spitalin psikiatrik të burgut
6. Nigeri
Të paktën pesë vetë vdiqën dhe dhjetëra u plagosën nga dy shpërthime në një kishë protestande. “Shpërthimi i parë nuk shkaktoi të plagosur. Pastaj disa besimtarë shkuan të shohin dëmet dhe atëherë pati një shpërthim të dytë, i cili ishte me pasoja”, u shprehën burime nga policia.
7. Serbi
Ish-Ministri serb i Bujqësisë, Sasha Dragin, u arrestua me akuzën e shpërdorimit të detyrës. Njëkohësisht u prangosën edhe shtatë ish-funksionarë e sipërmarrës të tjerë. Ish-ministri dyshohet se realizoi një shitje të paligjshme të pesticideve minerale, duke dëmtuar buxhetin e shtetit me vlerën e 4,5 milionë eurove
8. Spanjë
Krahina spanjolle e Katalunjës zhvilloi dje zgjedhjet rajonale, të cilat janë përqendruar tërësisht në çështjen e pavarësisë. Nacionalistët katalanas janë të vendosur që të mbajnë së shpejti një referendum, me sondazhet që tregojnë se në krahinën me kryeqendër Barcelonën ka një mbështetje të fuqishme pro-pavarësisë.
9. Bangladesh
Më shumë se 100 persona humbën jetën në një zjarr masiv që përfshiu një fabrikë tekstile në Bangladesh. Zjarri përfshiu fabrikën e ndodhur në afërsi të kryeqytetit Dhaka. Disa prej viktimave humbën jetën si rrjedhojë e hedhjes nga lartësia, në tentativë për t’i shpëtuar flakëve.
10. Egjipt
Bursa e Egjiptit ra me mbi 10% gjatë së dielës, ndërsa trazirat e dhunshme vazhdojnë në vend pasi presidenti Mohammed Mursi, nëpërmjet një dekreti, i akordoi vetes fuqi të reja të pakotenstueshme në drejtimin e shtetit. Dhjetëra mijëra protestues marshuan në Kajro kundër vendimit të Mursit
11. Afganistan
Në Kabul të Afganistanit, ditën e Hashures myslimanët sheite e shënuan me fshikullima kamzhiku.
Besimtaret kujtojnë në këtë mënyrë përvjetorin e vjekjes së nipit të profetit Muhamed, e konsideruar një nga ngjarjet më të dhimbshme në të gjithë historinë e islamit.
12. Kinë
Gjuajtësit e prodhuar në vend “J-15” u ngritën dhe u ulën për herë të parë nga “fortesa” e marinës kineze, një ish-aeroplanmbajtëse sovjetike, e rinovuar dhe e futur në punë nga Pekini. E hyrë në histori si aeroplanmbajtësja e parë kineze, “Liaoning” nuk pritet që të jetë për shumë kohë e vetmja.