Arabi Saudite
Nuk mjaftonte heqja e të drejtës së votës për gratë, as ndalimi i lëvizjes nëpër rrugë të pashoqëruara. Kontrolli i burrave sauditë mbi to arrin caqet, sepse përmes një dispozite ligjore është futur një sistem elektronik që sinjalizon me mesazhe burrat sa herë që gratë e tyre tentojnë të largohen nga vendi.
SHBA
Gjatë Luftës së Ftohtë, SHBA dhe Bashkimi Sovjetik ashpërsuan së tepërmi konkurrencën midis tyre. Informacioni që ka dalë në qarkullim këto ditë tregon për idenë absurde që patën amerikanët për të bombarduar hënën me një bombë atomike. Synimi ishte që t’u jepnin rusëve prova të forcës së tyre
Brazil
Po merr përmasat e luftës civile beteja midis policisë dhe grupimit kriminal “Primero comando da capital” në San Paolo. 15 persona u vranë (midis tyre një fëmijë 5 vjeç) në përleshjet e fundit me armë. Që nga qershori i këtij viti dhuna në këtë qytet ka shkaktuar 1600 viktima.
Norvegji
Autoritetet norvegjeze kanë shpërndarë imazhe të reja nga kamerat e survejimit gjatë masakrës që ndodhi në Oslo, më 22 korrik të 2011-s, ku nga sulmi i Andres Breivik vdiqën 77 persona. Më 24 gusht të 2012-s Breivik u dënua me 21 vjet burg. Ky është dënimi maksimal sipas ligjit norvegjez.
Angli
Një vajzë 11-vjeçare nga Bolton i Mançesterit humbi jetën nga një tumor në tru. Prindërit e saj para se të zbulonin tumorin që i shkaktonte çrregullime në ushqyerje, e fajësonin vajzën për stimulim të qëllimshëm të dobësimit. Vonë e kuptuan që gjendja e saj nuk ishte e vetëshkaktuar.
Spanjë
Partia proseparatiste në Katalunja të Spanjës “Aleanca e Konvergjencës dhe Bashkimit” ka dalë e para në zgjedhjet rajonale. Megjithëse ka fituar, ajo ka humbur një pjesë të mbështetjes dhe tashmë i duhet të gjejë partnerë koalicioni për të mbetur në pushtet.
Itali
Bashkia e Palma de Montekiaros vendos t’i bëjë një homazh Françesko Kaneparit për trimërinë e treguar gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke i vënë emrin e tij një rruge të qytetit. Por, përfaqësuesit e bashkisë pas aktit të nderimit zbuluan se 88-vjeçari jetonte ende dhe ishte në shëndet të plotë.
Kroaci
Gjatë vizitës së tij në Zagreb, komisioneri për zgjerim i BE-së, Shtefan Fyle tha se: “Kroacia është në rrugën e duhur në përkushtimin e saj për t’u angazhuar rreth çështjeve që kërkon Raporti Gjithëpërfshirës i Monitorimit”. Kroacia do të bëhet anëtare e BE-së vitin e ardhshëm.
Rusi
Para nisjes për në Paris, kryeministri rus Dimitri Medvedev kritikoi haptazi duke e përkufizuar “të papranueshme” mbështetjen që disa vende (me Francën në krye) u kanë dhënë rebelëve sirianë. “Vetë populli sirian duhet të vendosë për fatin e Bashar al Asad dhe regjimit të tij”, u shpreh Medvedev.
Izrael
Ministri i Mbrojtjes në Izrael, Ehud Barak, shpalli të hënën dorëheqjen nga jeta politike. Në një konferencë për shtyp, Barak theksoi se do të qëndrojë në detyrë edhe për tre muaj të tjerë, deri kur të formohet qeveria e re pas zgjedhjeve politike në janar.
Siri
Të dielën në mbrëmje, ushtria siriane bombardoi nga ajri një fushë futbolli në periferi të Damaskut. Si pasojë mbetën të vrarë 10 persona, nëntë prej të cilëve ishin fëmijë. Aktivistët për të drejtat e njeriut në vend shpërndanë imazhet e viktimave dhe copëzave të bombave rreth tyre.
Pakistan
Të paktën 13 persona kanë humbur jetën në qytetin pakistanez Lahore pasi konsumuan shurupin antigrip “Tyno”. Viktimat i përkasin grupmoshës 15-35 vjeç, ndërkohë që 4 persona të tjerë janë në gjendje të rëndë. Policia arrestoi farmacistin që ka tregtuar ilaçin.