1. SHBA
Presidenti i 41-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, 88-vjeçari Xhorxh Bush, u shtrua mbrëmjen e së enjtes në spital në Hjuston për shkak të një bronshiti. Sipas mediave, ish-presidenti është në gjendje të qëndrueshme shëndetësore. Bush ka qenë president nga viti 1989 deri në vitin 1993.
2. Kubë
Qeveria kolumbiane dhe kryengritësit e lëvizjes FARK u takuan në kryeqytetin e Kubës, Havana, për të arritur një marrëveshje paqeje. Negociatorët e FARK thanë se atmosfera e takimeve ishte shumë e mirë, por theksuan se nuk do të nxitohen në bisedimet për paqen që do të vazhdojnë deri më 5 dhjetor.
3. Angli
Rifilloi punën linja hekurudhore në tunelin nënujor La Mansh, pas një ndërprerje të shkurtër të shkaktuar nga rënia e një zjarri në afërsi të stacionit anglez në Dover. Zjarri kishte rënë në një nga trenat e mallrave të nisura për në Francë. Incidenti nuk shkaktoi dëme materiale serioze, as të lënduar.
4. Gjermani
“Efekti i falimentimit të Greqisë mund të shkaktojë një proces që do të sillte rënien e euros në BE”, tha ministri gjerman i Financave, Volfgang Skeubëll, në parlamentin gjerman Bundestag, duke u kërkuar kështu deputetëve që të votojnë paketën e tretë të ndihmave për Athinën.
5. Francë
Ish-kreu i FMN-së, Dominik Shtraus Kahn, pranoi që të paguante një dëmshpërblim për të mbyllur çështjen civile të ngritur kundër tij nga shërbyesja e një hoteli në Nju Jork për “tentativë përdhunimi”. Skandali shkatërroi tërësisht karrierën politike të Shtraus Kahnit.
6. Itali
Sipas një studimi në eurozonë, Italia është shteti që mban rekordin për shpërdorimin e ujit të pijshëm me 30% të tij. E dyta renditet Spanja me 22%, e treta Britania e Madhe me 19%, ndërsa në vendin e katërt është Suedia që çon dëm 17% të ujit të pijshëm.
7. Luksemburg
Presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, Mario Dragi, paralajmëroi se eurozona nuk do të dalë dot nga kriza deri në gjysmën e dytë të 2013-s. Sipas tij, shkurtimet në buxhetet kombëtare kanë dëmtuar rëndë rritjen ekonomike, duke shkaktuar një rekord papunësie të rinjve në eurozonë prej 36.5%.
8. Rusi
Llava e vullkanit që shpërtheu në Kamçatkë shkatërroi ndërtesat e ndodhura në një largësi prej 10 km. Godinat që u shkatërruan, janë ato të bazës së Institutit të vullkanologjisë dhe sizmiologjisë të Rusisë “Leningradskaja”, si dhe bazat e parkut natyror të Kamçatkës”. Nuk ka njoftime për viktima.
9. Egjipt
Presidenti egjiptian, Morsi, shpjegoi në televizionin shtetëror se pushteti që ka marrë më 22 nëntor me anë të dekretit shumë të kritikuar ishte një deklaratë kushtetuese. Këto të drejta kanë të bëjnë me një fazë të jashtëzakonshme dhe nuk do të jenë të vlefshme kur populli të ketë votuar kushtetutën.
10. Siri
Vazhdon situata e kaosit në Siri dhe viktimat më të fundit janë dhjetëra fëmijë. Rruga kryesore në kryeqytetin Damask është bllokuar dhe linjat telefonike janë jashtë funksionit. Sipas Nju Jork Tajms, presidenti Obama, por edhe i dërguari i OKB-së dhe Lidhjes Arabe po mendojnë për rrëzimin e Asadit.
11. Pakistan
Një fëmijë vdiq dhe 8 të rritur u plagosën pas shpërthimit të një bombe në provincën juglindore në Khost. Autoritetet policiore thanë se ngjarja ndodhi mbrëmjen e së enjtes dhe bomba ishte fshehur në një kanal të parkut “Rabbani Park”, përballë zyrës së guvernatorit të rajonit.
12. Tajlandë
Ish-trashëgimtari i fronit të Nepalit, Paras Shah, fitoi lirinë me kusht të premten, pas arrestimit të tij më 23 tetor për mbajtje droge. Ish-princit iu gjetën në dhomën e hotelit të lokalitetit turistik Phuket në Tajlandë, me 3 g marijuanë. Një kundravajtje e vogël, por që do t’i kushtojë një proces ish-princit.