1. SHBA
Vazhdon përballja midis administratës Obama dhe republikanëve në Kongres për planin mbi uljen e deficitit buxhetor për të parandaluar ngritjen e taksave dhe shkurtimin e shpenzimeve federale. Askush nuk jep garanci nëse mund të arrihet në marrëveshje para skadimit të afatit më 1 janar të 2013-s.
2. Meksikë
Shtatë kufoma njerëzish, të copëtuara dhe të paketuara në qese plastike, u zbuluan në ambientet e një godine biznesi në Meksiko Siti. Dy kufoma të tjera u gjetën në një pjesë tjetër të qytetit. Policia thotë se këto krime kanë të bëjnë me luftën midis karteleve të drogës.
3. Belgjikë
Në Antuerp një burrë është ndarë nga bashkëshortja sepse dikur ajo kishte qenë burrë. 64-vjeçari Jan tha se nuk kishte dyshuar kurrë për diçka të tillë. Zbulimi shokues erdhi pas 20 vitesh martesë, kur një kushëri i tij nga Indonezia, vend nga i cili ishte dhe gruaja në fjalë, zbuloi të vërtetën.
4. Slloveni
Kandidati i opozitës dhe ish-kryeministri i qendrës së majtë, Borut Pahor, fitoi zgjedhjet në Lubjanë. Ai u zgjodh në postin ceremonial të presidentit të Sllovenisë, pasi fitoi në raundin e dytë të zgjedhjeve me 67.4% të votave. Ndërsa presidenti në detyrë, Danilo Turk mori rreth 32% të votave.
5. Çeki
Sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton, mbërriti në Pragë të hënën. Klinton bisedoi me udhëheqësit çekë mbi tregtinë e energjisë. Ajo synon të nxisë mbështetjen çeke për zgjedhjen e kompanisë amerikane “Westinghouse” kundrejt asaj ruse për të ndërtuar një projekt të ri bërthamor në Temelin.
6. Maqedoni
Në Maqedoni kanë hyrë grupe ekstremistësh serbë për nxitjen e tensioneve ndëretnike. Këto grupe, të cilat kanë qenë përkrahëse të Millosheviçit, janë futur në Maqedoni nëpërmjet Kosovës dhe thuhet se po planifikojnë skenare të mundshme për ndarjen e Maqedonisë.
7.Turqi
Këshilli Suprem i Radio Televizionit “Rtuk” në Turqi i ka vendosur një gjobë prej 52.951 lirash turke televizionit turk që transmeton serialin vizatimor “The Simpsons”. Motivacioni i gjobës janë pjesët blasfemike ku “Zoti i ofron kafe Djallit”.
8. Egjipt
Në një tubim të madh në Kajro, mbështetësit e presidentit Mohamed Morsi mbështetën thirrjen e tij për një referendum më 15 dhjetor për të votuar një kushtetutë të re. Ndërsa grupet opozitare u zotuan për të luftuar kundër kushtetutës në fjalë, sepse minon liritë themelore të tyre.
9. Rusi
Marrëdhëniet mes Rusisë dhe SHBA-së kanë kaluar në plan të dytë për shkak të krizës në Lindjen e Mesme. Në 4 vitet e fundit, i ashtuquajturi “rifillim” në marrëdhëniet dypalëshe solli një pakt të rëndësishëm mbi kontrollin e armëve dhe rriti bashkëpunimin e tyre në çështjet mbi Afganistanin dhe Iranin.
10. Izrael
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, paralajmëroi se perspektiva e paqes do të pësojë një goditje fatale nëse Izraeli ndërton mijëra njësi të reja banimi për kolonët hebrenj në tokën, në të cilën palestinezët duan të ndërtojnë shtetin e së ardhmes.
11. Kinë
Një kamera sigurie filmoi vetëvrasjen e një gruaje, e cila i vuri flakën vetes në sytë e të fejuarit. Motivi ishte se ky i fundit refuzoi t’i jepte një hua për të shlyer një tjetër borxh që gruaja kishte marrë. I riu u përpoq t’ia shuante flakët me shkelma, por kur e pa se ishte e pamundur, ia mbathi.
12. Australi
Një fëmijë 9-vjeçar u mbërthye nga një krokodil në kohën që po notonte në lumin e Port Bredshau. Sipas policisë, i vogli po lahej bashkë me persona të tjerë, kur u kap nga kafsha dhe u tërhoq larg vendit të ngjarjes. Kërkimet për djalin nuk japin shpresa për gjetjen e tij të gjallë.