1. Meksikë
Pasagjerët e një metroje në qytetin Monterrei u ndeshën me një spektakël të vërtetë kur në metro hipi Luna Bela, një pornostare që iu dhuroi një shfaqje ‘striptize’ falas. Momentet e zhveshjes nudo dhe kërcimit nëpër prehërat e pasagjerëve ajo i filmoi dhe i publikoi në internet.
2. SHBA
Vdiq në moshën 116-vjeçare në shtetin amerikan të Gjeorgjisë, Bese Kuper, njeriu më i vjetër në botë. Sipas të birit, e moshuara pasi hëngri mëngjes dhe rregulloi flokët në floktore, vdiq pa vuajtur fare. Ajo ka cekur 3 shekuj gjatë jetës së saj.
3. Angli
Kujt do t’i ngjajë fëmija që Keit Midelton mban në bark? Artisti amerikan Xhon Mulins provoi të ndërtojë dy imazhe paraprake të pamjes së pasardhëses ose pasardhësit që do të lindë, pra një djalë dhe një vajzë, duke u mbështetur në karakteristikat fizike të Keitit dhe Uilliamit.
4. Mal i Zi
Në Budvë të Mali të Zi nisi të mërkurën punimet Samiti i katërt i presidentëve të shteteve të Ballkanit, me temën “Bashkëpunimi drejt zhvillimit, sfida dhe përgjigje”. Qëllimi i tij është dialogu mbi perspektivën e përbashkët euroatlantike, bashkëpunimin ekonomik, inkurajimin e investimeve rajonale etj.
5. Belgjikë
Ambasadori i Serbisë në NATO, Branisllav Milinkoviç, u vetëvra të martën në aeroportin ndërkombëtar të Brukselit. Mediat serbe raportojnë se Milinkoviç u hodh nga tarraca e parkingut të aeroportit para syve të ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Zoran Vujiç.
6. Turqi
Pas ndalimit në universitete dhe në shkolla të kurseve të Kuranit, qeveria e kryeministrit Rexhep Taip Erdogan shfuqizoi ndalimin e mbajtjes së velit islamik nga gratë në ngjarjet sportive. Veli i grave në të gjitha sportet u ndalua së pari nga një rregullore e vitit 1982.
7. Egjipt
Mijëra egjiptianë dolën sërish për të demonstruar të mërkurën kundër presidentit Mohamad Morsi, afër pallatit presidencial në Kajro. Protestuesit bënë thirrje për tërheqjen e tij, për shkak të projektkushtetutës, të hartuar nga aleatët e tij islamistë, që i jep autoritet thuajse të pakufizuar presidentit.
8. Zimbabve
Duket se në Zimbabve është gjetur zgjidhja kundër ‘pabesisë martesore’. Sipas një shamani vendas, urina e babuinit e spërkatur në pjesët intime të gruas ka efektin të magjepsë bashkëshortin pas saj, duke i zbehur interesin për gratë e tjera. Lëngu ‘magjik’ ka tërhequr në masë të madhe zonjat e borgjezisë afrikane.
9. Pakistan
Zyrtarët pakistanezë thonë se së paku tre ushtarë janë vrarë dhe nëntë të tjerë janë plagosur nga një sulm vetëvrasës me bombë. Sulmi ndodhi të mërkurën në pjesën veriperëndimore të Pakistanit, kur një makinë me dy vetë në të depërtoi brenda portës së një baze ushtarake në selinë e fisit Vaziristan.
10. Filipine
Shkon në 230 numri i të vdekurve nga tajfuni Bofa që goditi të martën jugun e Filipineve. Qindra persona të tjerë rezultojnë të zhdukur në ishujt Mindanao dhe Palavan. Sipas autoriteteve lokale, Bofa është tajfuni më i fuqishëm i këtij viti në Filipine dhe bilanci i dëmeve nuk është mbyllur ende.
11. Koreja e Veriut
Një agjenci lajmesh korenojugore raporton se Koreja e Veriut ka përfunduar ndërtimin në tri faza të raketave me rreze të gjatë veprimi. Shteti komunist planifikon nisjen e hedhjes së raketave midis datave 10 dhe 22 dhjetor, pavarësisht ndalimit nga rezolutat e Këshillit të Sigurimit në OKB.
12. Kinë
Vetëm ditën e mërkurë u shpërnda lajmi se Jao Defen, gruaja më e gjatë në botë, vdiq më 3 nëntor nga një tumor në gjendrën e hipofizës. 40-vjeçarja ishte konsideruar nga libri “Guiness” si gruaja e tretë më e gjatë në botë e të gjitha kohërave. Ajo kishte një gjatësi prej 2.36 metrash dhe peshonte 200 kg.