Bota në një ditë

anazapta

1. SHBA

Pasi organizoi grabitjen e një banke në Nebraska, 19-vjeçarja Hanah Sabata postoi një video në “Youtube”, në të cilën mburrej për vjedhjen që kishte kryer. Në video ajo mbante në duar 6 mijë dollarët që kishte arritur të vidhte. Pas kësaj, policia nuk e pati të vështirë ta arrestonte.

 

2. Angli

Ish-drejtuesi i një emisioni radiofonik në ‘BBC’, Stjuart Hall, 82 vjeç u arrestua në verilindje të Anglisë me akuzën e përdhunimit. Ende nuk janë bërë të ditura detajet. Hall arriti kulmin e suksesit të tij në vitet ’70 me kronikat sportive në “BBC Radio Five” dhe emisionin televiziv “It’s A Knockout”.

 

3. Holandë

Anija e mallrave “Baltic Ace” u mbyt në Detin e Veriut duke shkaktuar 4 të vdekur, 7 persona të humbur dhe 4 të tjerë të plagosur. Zëdhënësi i rojes bregdetare holandeze tha se shkaku i aksidentit ishte përplasja e“Ace Baltik” me një anije tregtare të Qipros, 100 km larg portit të Roterdamit.

 

4. Gjermani

Gjermania planifikon të dërgojë dy raketa“Patriot” në Turqi, me një ekuipazh prej 400 ushtarësh. Vendimi pason marrëveshjen e NATO-s për të vendosur sistemin mbrojtës me kërkesë të Ankarasë, e cila ka kërkuar mbrojtje nga raketat e Sirisë. Turqia ka mikpritur refugjatët sirianë që nga fillimi i kryengritjeve.

 

5. Itali

Një kamionçinë me katër fëmijë brenda u gjet e braktisur në një park në Masa Karara të Toskanës. Të pyetur nga policia fëmijët (më i madhi i të cilëve ishte 14 vjeç) treguan se nëna e tyre u detyrua t’i linte atje. Ajo shkoi në spital bashkë me tre fëmijët e saj më të vegjël për të sjellë në jetë fëmijën e saj të tetë.

 

6. Turqi

Sipas kanalit televiziv “CNN”, në juglindje të Turqisë janë vrarë 13 militantë kurdë, ndërsa 5 të tjerë janë arrestuar si rezultat i një operacioni antiterrorist në shkallë të gjerë vendi, në të cilin u përfshinë rreth 1.000 trupa të forcave të sigurisë turke.

 

7. Serbi

Historiania serbe, Latinka Peroviç, në një intervistë u shpreh se “Serbia po e humb aftësinë për të komunikuar me botën dhe kjo e përshpejton zhdukjen historike të popullit serb. S’duhet të presim nga Rusia të bëjë më shumë. Rusia nuk do të armiqësohet me tërë botën për shkak të miqësisë me Serbinë”.

 

8. Ukrainë

Pornostarja ukrainase, Anastasia Grisha, ka aplikuar për azil në Bashkimin Evropian sepse në vendin e saj nuk e lejojnë të ushtrojë profesionin që ka. Aktorja e la Ukrainën në 2010-n dhe qëndroi në Pragë për dy vjet, por edhe aty iu pezullua leja e qëndrimit, kështu që vendosi t’i drejtonte një apel BE-së.

 

9. Egjipt

Pas përleshjeve të ashpra mes islamikëve mbështetës të presidentit Mohamed Morsi dhe kundërshtarëve të tij, në mesnatën e së mërkurës tanqet dhe trupat e blinduara të ushtrisë egjiptiane dolën në mbrojtje të pallatit presidencial në Kajro. Tre persona vdiqën nga ballafaqimet e dhunshme.

 

10. Iran

Bilanci i tërmetit me magnitudë 5.5 ballë që goditi të mërkurën provincën e Khorasanit dhe Birjandit, pranë kufirit me Afganistanin, përllogaritet në të paktën 8 të vdekur, 12 të plagosur dhe shkatërrimi i pjesës më të madhe të ndërtesave rurale. Qindra banorë u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre.

 

11. Guatemalë

Themeluesi i antivirusit të njohur “McAfee”, është larguar nga Belizeja për në Guatemalë, ku ka kërkuar azil politik. Xhon Mekafe (McAfee) ka qenë në arrati në Belize që kur policia nisi hetimet mbi vrasjen e fqinjit të tij, biznesmenit  Gregori Foll, me të cilin “McAffe” kishte pasur disa grindje.

 

12. Zelanda e Re

Një tornado i fuqishëm goditi qytetin e Oklandit, duke shkaktuar tre të vdekur dhe shkatërrimin e më shumë se 150 shtëpive. Sipas shërbimeve të emergjencës, erërat e fenomenit të pazakontë për kryeqytetin e Zelandës së Re arritën mbi 110 km/h, duke shkulur pemë dhe çatitë e shumë shtëpive.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *