1. SHBA
Alesandra Ambrosia mund të jetë një modele shumë e njohur dhe e preferuar, por tregon gjithashtu që është edhe një nënë e mirë. Ajo është fotografuar ndërsa del për shëtitje me të bijën 4-vjeçare, për të cilën tregon shumë kujdes. 31-vjeçarja vijon të ketë një trup fantastik falë vullnetit të saj pavarësisht sjelljes në jetë të dy fëmijëve.
2. Çekia
Dhoma e Ulët e Parlamentit çek ka miratuar ligjin i cili legalizon përdorimin e marijuanës për qëllime mjekësore. Masa duhet të miratohet edhe nga Dhoma e Lartë e Parlamentit. Deputetët kanë thënë se marijuana fillimisht do të importohet, ndërsa më vonë kompanitë e regjistruara do të merren me kultivimin e saj.
3. Francë
Një valë e re dhune ka përfshirë ishullin francez të Korsikës, ku një person është vrarë në një atentat me armë zjarri dhe të paktën 17 shtëpi janë dëmtuar nga shpërthimi i një seri bombash. Shumica e shtëpive të sulmuara me bombë janë shtëpi pushimi që në momentin e shpërthimit ishin të pabanuara.
4. Afrika e Jugut
Presidenti i Afrikës së Jugut konfirmoi se Nelson Mandela gëzon shëndet të mirë, një ditë pasi 94-vjeçari u shtrua në spital për “testime”. Kreu i shtetit të parë afrikano-jugor pas rrëzimit të aparteidit, Mandela, konsiderohet një hero kombëtar në vendin e tij, për udhëheqjen që i bëri luftës për të drejta të barabarta.
5. Izrael
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu, deklaroi se nuk ka asnjë dyshim për qëllimin e “Hamasit”, që sipas tij nuk dëshiron paqe, por vetëm shkatërrimin e shtetit të Izraelit. Ky ishte komenti i tij në përgjigje të fjalimit të së shtunës të liderit politik të organizatës palestineze, Hamas Khaled, përpara masave në Gaza.
6. Venezuelë
Presidenti i Venezuelës, Hugo Çavez, në një deklaratë emocionale për popullin e tij, njoftoi se kanceri i është rikthyer dhe për herë të parë, la të kuptohej se këtë herë, ai mund të jetë i pakurueshëm. 58-vjeçari u rizgjodh për gjashtë vite të reja në drejtim të shtetit latin në muajin tetor.
7. Egjipt
Një zëdhënës i presidentit shprehet se referendumi mbi projekt-kushtetutën, që ka ngjallur shumë debate, do të mbahet sipas planit më 15 dhjetor. Presidenti egjiptian anuloi një vendim që ai mori muajin e kaluar për t’i dhënë vetes kompetenca të gjithanshme, në përpjekje për të ulur tensionet politike.
8. Australi
Dy folësit në radio, përgjegjës për telefonatën mashtruese në spitalin ku ishte shtruar Dukesha e Kornuellit janë ende në arrati. Miqtë thonë se ish-modelja Mel Greig është në gjendje të rëndë psikologjike dhe po ashtu edhe kolegu Majkëll Kristian. Vdekja e infermieres që u mashtrua prej tyre u quajt nga gazetarët e paparashikueshme.
9. Itali
“Kam bindjen se nuk mund të vazhdohej kështu dhe preferova që vendimin tim ta bëj të ditur menjëherë e kur tregjet ishin të mbyllura”. Kështu u shpreh kryeministri italian Mario Monti vendimin e tij për të dhënë dorëheqjen. Ai do ta lërë postin pas aprovimit të ligjit për stabilitetin.
10. Angli
Ish-bashkëshorti i saj ishte një nga muzikantët më të mëdhenj që ka ngjitur skenën. Por ndërkohë, në gjurmët e dashurisë së saj të fundit, Prishila Prisli interpretoi në një shfaqje për fëmijë në teatrin Nju Uimbelldon të Londrës. Ajo luajti rolin e mbretëreshës së ligë tek “Borëbardha dhe 7 xhuxhat”
11. Katar
Në Doha po zhvillohet Konferenca e klimës me pjesëmarrjen e 190 shteteve. Çështja më vendimtare ka të bëjë me financat. Pas pak javësh merr fund faza e parë e financimit të klimës. Për këtë fazë trevjeçare vendet e industrializuara kanë dhënë fjalën të japin gjithsej 30 miliardë euro.
12. Kroaci
Bora e madhe në Ballkan bllokoi edhe presidentin gjerman në Zagreb, pasi të gjitha fluturimet nga Zagrebi janë anuluar si pasojë e një stuhie. Meteorologët paralajmëruan se stuhia e borës pritet të shkojë drejt jugut, ku në Bosnje dhe Serbi pritet që bora të arrijë në 50 centimetra.