1. Meksikë
Nisi të hënën në qytetin Meksiko Siti, takimi dyditor i ministrave të Financave dhe guvernatorëve të bankave qendrore të njëzet ekonomive kryesore të botës. Samiti i G20-s ndodh në kohën kur janë rritur shqetësimet për shtrirjen globale të krizës evropiane të borxheve.
2. Koreja e Jugut
Korea e Jugut mbylli të hënën dy reaktorë bërthamorë, pasi një pjesë e siguresave të tyre nuk kishin certifikatën e duhur të sigurisë nga industria e energjisë bërthamore. Koreja e Jugut ka 23 reaktorë bërthamorë, të cilët sigurojnë 35% të energjisë elektrike të vendit. Mbyllja e dy prej tyre mund të sjellë probleme me energjinë.
3. Serbi
Presidenti serb, Tomislav Nikoliç, i ka shpëtuar një atentati në afërsi të autostradës Beograd-Nish. Kabineti i preidentit ka konfirmuar se mëngjesin e së premtes në autostradë ka pasur një aksident, por nuk dha asnjë hollësi tjetër. Raportet nga Beogradi flasin se ka qenë një aksion i organizuar dhe në të është përfshirë edhe një zyrtar i lartë i policisë serbe.
4. Greqi
Në orët e para të mëngjesit të së hënës, një tërmet me intesitet të barabartë 3.4 të shkallës Rihter ka goditur ishullin e Korfuzit. Ekspertët e Qendrës Sizmiologjike Evropiane u shprehën se epiqendra e tërmetit ishte rreth 46 kilometra në juglindje të ishullit dhe hipoqendra arrinte në 20 kilometra thellësi. Megjithë intensitetin e fortë të tërmetit nuk u regjistruan viktima apo dëme materiale.
5. Indi
Si pasojë e shirave të rrëmbyeshëm, numri i të vdekurve në Indinë lindore shkoi në 22. Koha e keqe provokoi përmbytje që detyruan dhjetëra mijëra persona të largohen nga shtëpitë e tyre e të strehohen në kampet e pritjes të ngritura në zonat më të larta të rajonit. Dëmet materiale deri tani përllogariten në 1500 shtëpi të shkatërruara dhe dëmtime të rënda në transportin publik.
6. Ukrainë
Sipas një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare të internetit të shërbimit sekret ukrainas thuhet se është arrestuar një grup personash, të cilët kanë kryer në mënyrë ilegale tregti veshkash. Dyshohet se grupi ka tregtuar veshkat e 7 ukrainasve me të ardhura të ulëta drejt klinikave mjekësore në Sri Lanka, Kosta Rika dhe Ekuador.
7. Itali
Për të dalë nga kriza, italianët po i kushtojnë rëndësi punësimeve në industrinë ‘e gjelbërt’ agrokulturore dhe mjedisore. Raporti “Green Itali 2012”, i krijuar nën patronazhin e Ministrisë së Mjedisit dhe Zhvillimit Ekonomik jep të dhënat e para, sipas të cilave 38.2% e punësimeve në Itali i përkasin sektorit të “të gjelbërt” të ekonomisë.
8. Francë
Ish-presidenti Nikolas Sarkozi do të merret ne pyetje këtë javë nga gjykata rreth përfshirjes së tij në rastin e financimit të partisë së tij nga ana e miliarderes Lilian Betenkur. Sipas radios “Europa 1”, gjykatësi është duke hetuar mbi mundësinë që trashëgimtarja miliardere e kompanisë “L’Oreal” të ketë financuar fushatën e Sarkozisë në vitin 2007.
9. Turqi
Televizioni privat turk NTV njoftoi se policia ka arrestuar të hënën një person që ka qëlluar tri herë me armë në drejtim të zyrës së kryeministrit turk, Rexhep Taip Erdogan, në Ankara. Incidenti ndodhi pas takimit të ministrave turq me Erdoganin në një nga mbledhjet e zakonshme të qeverisë.
10. Angli
Shkencëtarët britanikë në bashkëpunim me organizatën ‘British Academy of Sound Therapy’, pas shumë përpjekjeve arritën më në fund të kompozojnë melodinë ideale për relaksim”Weightless”, e cila rezulton edhe më çlodhëse se masazhi. Kjo melodi është testuar në 40 femra dhe secila prej tyre ka mbetur e mahnitur nga efekti i mrekullueshëm i saj.
11. Laos
Krerët e shteteve evropiane dhe aziatike u mblodhën pasditen e së hënës në Laos, në një takim që do të zgjasë dy ditë dhe do të trajtojë çështje të tregtisë midis dy rajoneve, përkatësisht krizën e borxheve në Evropë dhe ngadalësimin e ekonomisë në Kinë dhe Indi
12. Kinë
E nxitur nga një raporti i disa ditëve më parë i “New York Times”, Partia Komuniste Kineze ka nisur të premten një hetim mbi pasurinë e kryeministrit Uen Çiabao. Sipas gazetës, familja e Uenit ka grumbulluar në dhjetë vjet qeverisje një pasuri prej më shumë se 2.7 miliardë dollarësh. Ndërsa, gazeta e Hong Kongut, “South China Morning” shkruante se hetimi nisi nga një kërkesë e vetë kryeministrit.