1. Kubë
Operacioni i katërt i presidentit Hugo Çaves për kancerin ka dalë me sukses. Presidenti i Venezuelës u rikthye të premten nga Kuba në trajtimet mjekësore kundër kancerit. Ai u largua sërish nga Karakasi për në Havana mëngjesin e së hënës për të vazhduar kurimin.
2.SHBA
Shtetet e Bashkuara kanë lëshuar një anije pa pilot në orbitë. ‘X-37B’ ngjan me një anije kozmike, por më e vogël në përmasa dhe është nisur nga baza e Kepit Kanaveral, në Florida. Forcat Ajrore të SHBA-së nuk kanë pranuar të zbulojnë detyrat që do të kryejë anija në orbitë.
3.Angli
Infermierja Jasinta Saldanha që u vetëvar disa ditë më parë, pas telefonatës së rreme në spitalin “Mbreti Eduard”, ku ishte shtruar dukesha shtatzënë Keit Midelton, mësohet të ketë lënë një letër ku shpjegon motivin e gjestit të saj. Por përmbajtja e letrës nuk është zbardhur ende për publikun.
4. Itali
Papa Benedikti XVI ka shkruar mesazhin e tij të parë në faqen Tuiter: “Të dashur miq, jam i kënaqur të kontaktoj me ju përmes Tuiterit. Faleminderit për përgjigjet tuaja bujare. Ju bekoj të gjithëve nga zemra”. Fotografitë tregojnë Papën që përdorte një tabletë ‘iPad’-i për të dërguar bekimet e tij.
5.Franca
Ministria e Jashtme franceze tha se 100 shtete e kanë njohur koalicionin e ri opozitar të Sirisë si përfaqësues të vetëm e të ligjshëm të popullit sirian. Vendimi ndihmon së tepërmi forcat që luftojnë regjimin e Bashar al Asadit, të cilat janë kritikuar se nuk janë të organizuara dhe as përfaqësuese.
6.Serbi
Ministria e Brendshme serbe ka njoftuar se Miroslav Mishkoviç, biznesmeni më i pasur i Serbisë, djali i tij dhe 6 persona të tjerë janë arrestuar me akuzat për përvetësim në një marrëveshje privatizimi. Pasuria e Mishkoviçit në vitin 2007 llogaritej në më shumë se 2 miliardë euro.
7.Bjellorusi
Lideri i opozitës bjelloruse, Ales Bialiatski, i cili është dënuar një vit më parë me 4.5 vite burg për evazion fiskal, po mbahet në izolim në burgun e qytetit lindor të Babruiskut. Mbështetësit e Bialiatskit thonë se dënimi i tij ka motive politike.
8. Japoni
Një restorant me emrin “Tualeti modern” është më i veçanti ndër të gjithë, sepse në të mund të hash i ulur mbi ‘WC’. Nëse kërkoni peceta, mund të këputni nga rrotulla e varur në mur. E nëse keni etje, pijet në këtë restorant shërbehen në gota që kanë formën e ‘urinoreve’.
9.Iran
Nënkryetari i gjyqësorit iranian, Ebrahim Raisi, tha se Irani ka lëshuar aktakuza ndaj 18 zyrtarëve amerikanë me motivacionin e kryerjes së “veprave penale” kundër këtij vendi. Ai shtoi se Irani është i vendosur që të publikojë dokumente që inkriminojnë shtetasit amerikanë në sulme terroriste.
10.Afganistan
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Leon Paneta, udhëtoi të mërkurën në një vizitë të papritur në Afganistan. Gjatë saj ai bisedoi me presidentin Hamid Karzai, dhe komandantët ushtarakë. Paneta tha se presidenti amerikan do të vendosë në javët e ardhshme se sa trupa amerikane do të qëndrojnë në Afganistan.
11.Koreja e Veriut
Koreja e Veriut ka përmbushur me sukses për herë të parë misionin e hedhjes së një rakete me rreze të gjatë në orbitën e Tokës. Sipas raportimeve, ajo ndoqi me saktësi trajektoren që ishte planifikuar. Disa shtete, mes të cilave Koreja e Jugut, SHBA-ja dhe Rusija e kanë dënuar aktin e shtetit komunist.
12.Kinë
Një projekt që ka bashkuar shkencëtarë dhe arkeologë ka dhënë dëshmitë e para bindëse se varri i Xhinxhis Khanit, pushtuesit të famshëm mongol të shekullit të 13-të, ndodhet nën masivin malor Khenti, në veriperëndim të Mongolisë. Ky rajon ishte ndaluar të shkelej me vetë urdhrin e Kahnit.