1. SHBA
Krijuesi i programit të antivirusit “McAfee”, Xhon Mekafi është ekstraduar nga Guatemala për në SHBA. Autoritetet amerikane prej kohësh e kërkonin për shkak të lidhjes që mund të kishte me vrasjen e fqinjit të tij. Ai u arrestua më 5 dhjetor disa orë pasi që kërkoi azil në Guatemalë.
2. Angli
Rita Ora ka pritur në shtëpinë e saj në Angli lajmin e nominimit në kategoritë për artisten më të mirë femër dhe të këngës më të mirë për këngën “RIP” në spektaklin muzikor “World Music Awards” që do të mbahet në Majami të SHBA-së, më 22 dhjetor.
3. Francë
Fastfudi “McDonald” në Francë ka pushuar nga puna një nga punonjësit e tij me motivacionin se gjatë shërbimit kishte qëndruar në banjë më shumë se ç’duhej. Për këtë arsye Paskali 26-vjeçar vendosi të hedhë në gjyq kompaninë e madhe të fastfudit me pretendimin se pushimi nga puna ishte i padrejtë.
4. Belgjikë
Eurogrupi i dha rrugë të lirë të premten kalimit të paketës së dytë të ndihmave për Greqinë prej 34 miliardë eurosh ndihma. “Vendimi i sotëm për Greqinë do të largojë retë nga vendi”, tha komisioneri evropian Oli Rehn.
5. Ukrainë
Olga Dominika Oleinik dhe Valeria Lukianova kishin një ëndërr të përbashkët: atë të shndërrimit në “Barbi” të gjalla. Dhe ia kanë dalë mbanë pas një seri të gjatë ndërhyrjesh kirurgjikale. Dy modelet ukrainase-kukulla u takuan për të pozuar bashkë në një shërbim fotografik.
6. Maqedoni
Gjykata Evropiane për të Drejta të Njeriut urdhëroi të premten Maqedoninë që t’i paguajë 60 mijë euro dëmshpërblim një shtetasi gjerman, me prejardhje libaneze. Autoritetet maqedonase arrestuan në vitin 2003 Halid el Masrin, i cili për 6 muaj është torturuar nën pretendimin e gabuar se ishte terrorist.
7. Portugali
Një 20-vjeçare nga Panamaja është ndaluar në aeroportin e Barcelonës sepse kishte fshehur në protezat e gjoksit 1.4 kg kokainë. Agjentët e aeroportit e kapën ndërsa po ushtronin një kontroll rutinë mbi pasagjerët, kur vunë re se vajza mbante një fasho poshtë gjoksit.
8. Itali
Ilari Blazi dhe Françesko Toti së bashku më fëmijët e tyre do të zhvendosen në një shtëpi të re, e pikërisht në kullën “Eurosky”. Toti dhe Blazi janë të paduruar për të hyrë në folenë e re që ndodhet në qiellgërvishtësen më të lartë në Romë me 27 kate dhe 120 metra lartësi.
9. Siri
Një makinë-bombë ka shpërthyer në pjesën jugperëndimore të kryeqytetit Damask, si pasojë e të cilit janë vrarë 16 vetë dhe 20 të tjerë janë plagosur. Në mesin e viktimave ka edhe gra dhe fëmijë. Autoritetet shtetërore fajësojnë kryengritësit sirianë për sulmin duke i quajtur “terroristë”.
10. Afganistan
Një bombë shpërtheu të enjten pranë një baze të NATO-s në jug të Afganistanit, duke vrarë të paktën dy persona dhe duke plagosur 11 të tjerë. Sulmi ka pasur në shënjestër portën e një aeroporti ushtarak në Kandahar, pak orë pasi sekretari amerikan i Mbrojtjes vizitoi Kandaharin.
11. Japoni
Japonia lëshoi aeroplanët e vet luftarakë mbi ishujt që pretendohen nga Kina. Zëdhënësi i qeverisë japoneze, Osamu Fuxhimura, tha se 8 aeroplanë ‘F-15’ u ngritën në ajër pasi një aeroplan kinez kishte hyrë në hapësirën ajrore të ishullit, që japonezët e quajnë Senkaku.
12. Rusi
I ftohti në Rusi ka shënuar temperatura rekord të enjten, ku në rajonin Krasnojarsk temperaturat arritën në -48 gradë Celcius. Shkollat dhe pjesa më e madhe e administratës publike pezulluan aktivitetin e tyre.