1. Kanada
Policia ka vënë një pranga një shtetas, i cili ka arritur të vjedhë foto nudo nga kompjuteri i këngëtares Karli Rae Jepsen. Mësohet se Kristofer David Long, pasi ishte futur në kompjuterin e këngëtares dhe kishte marrë fotot, kishte tentuar t’ua shiste mediave për të fituar para. Ai rrezikon deri në 5 vjet burg.
2. SHBA
Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, ka pasur një problem shëndetësor, ndërsa mësohet se i ka rënë të fikët dhe ka përplasur kokën. Departamenti i Shtetit njoftoi gjatë së dielës se shefja e diplomacisë amerikane tashmë është në gjendje të mirë dhe po pushon në shtëpinë e saj.
3. Afrikë e Jugut
Orlando Blum ndodhet në Afrikën e Jugut duke xhiruar filmin e tij më të fundit “Zulu”. Por ndërkohë, mediat amerikane kanë deklaruar edhe divorcin e tij me modelen Miranda Kerr. Çifti u martua në 2010-n dhe kanë një djalë 2-vjeçar. Mësohet se modelja kohët e fundit është parë në publik pa unazën e martesës.
4. Serbi
Ministrja serbe e Integrimit, Suzana Grubjeshiç, ka deklaruar se vendi i saj mund të marrë datën për nisjen e negociatave të anëtarësimit në BE në qershor të vitit të ardhshëm. Kjo, sipas Grubjeshiç, mund të realizohet nëse Beogradi zyrtar vazhdon reformat dhe bisedimet me Prishtinën për normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe.
5. Greqi
Më shumë se 2000 protestues kanë marshuar në heshtje pasditen e së shtunës në rrugët e Athinës, në shenjë proteste ndaj fenomenit të racizmit gjithnjë e në rritje. Pikënisja ishte sheshi Sintagma para parlamentit, ku protestuesit hapën një pankartë gjigante ku shkruhej “Evropa është kundër neonazizmit”.
6. Poloni
Sezoni i ftohtë, që bën ngrohjen tejet të domosdoshme, zgjat nga 5 deri në 6 muaj dhe shpenzimi është i madh. Një inxhinier në pension, Vojçiexh Dervinski, ka gjetur një mënyrë që përmes një kamere të zbulohet se nga hyn i ftohti në shtëpi. Në këtë mënyrë secili mund të dijë se cilën “vrimë” të mbyllë për të kursyer energjinë.
7. Izrael
Ministri i Jashtëm izraelit, Avigdor Lieberman, dorëzoi zyrtarisht dorëheqjen e tij. Javën e kaluar, prokurori i përgjithshëm i Izraelit e akuzoi atë për shkelje të besimit, mashtim dhe pastrim parash. Lieberman mohon çdo akuzë dhe thotë se do të pastrojë emrin e tij dhe të kthehet në politikë.
8. Siri
Opozita ka formuar një grup për të ruajtuar rendin në institucionet qeveritare, nëse presidenti Bashar al-Assad bie nga pushteti. Ish-kryeministri Hijab u zgjodh në krye të ekzekutivit prej 7 anëtarësh, i cili do të menaxhojë me Asamblenë e Lirë Kombëtare, të njohur nga 114 vende si përfaqësuese legjitime e popullit sirian.
9. Korea e Veriut
Në Korenë e Veriut është shënuar përvjetori i parë të vdekjes së liderit shumëvjeçar, Kim Jong Il.
Ceremonia e përkujtimit së liderit Kim Jong Il është drejtuar nga djali i tij, lideri aktual Kim Jong Un, me pjesëmarrjen e mijëra zyrtarëve të tjerë.
10. Japoni
Kryeministri i Japonisë pranoi humbjen në zgjedhjet parlamentare të së dielës dhe tha se do të japë dorëheqjen nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike. Sondazhet treguan se Partia Liberal Demokratike ka fituar shumicë rreth 310 deputetë nga 480 deputetë që ka Dhoma e Ulët e Parlamentit.
11. Egjipt
84-vjeçari Mubarak pësoi një goditje në zemër që e la në gjendje kome në qershor dhe që prej atëherë vazhdon të ketë një shëndet delikat. Sipas agjencisë egjiptiane të lajmeve “MENA”, Mubarak është rrëzuar në tualetin e burgut, por dëmtimet e marra nuk janë problematike për jetën e tij.
12. Itali
Silvio Berluskoni ka vendosur t’i rikthehet politikës. Edhe pse një vendim i tillë është quajtur qesharake nga shumë krerë të opozitës, por edhe krerë të shteteve të tjera, ish-kryeministri italian ka qëndruar në të vetën. Ndërkohë, dje ka deklaruar se është fejuar dhe tashmë nuk ndihet më i vetëm.
