1.SHBA
U deshën 7 vjet dhe 6 fëmijë që Anxhelina Zholi dhe Bred Pit të vendosnin për ‘hapin e madh’ drejt martesës. “Gjithnjë e më shumë po marr presione nga fëmijët e mi, por mendoj edhe se ka ardhur momenti i duhur”, është shprehur Pit. Sipas revistës “In Touch”, çifti ka porositur unazat e martesës.
2.Uruguai
Një 18-vjeçar në Montevideo të Uruguait ka tentuar të imitojë tragjedinë e para disa ditëve në një shkollë fillore në Njutaun. I riu hapi zjarr brenda një klinike, por u bllokua pa arritur të shkaktojë viktima. Ai rrëfeu se më parë kishte hyrë në një shkollë për të kryer masakrën, por pasi nuk kishte parë shumë njerëz, kishte ardhur në klinikën në fjalë.
3.Kinë
Min Jonxhun, 36-vjeçari që theri të premten 23 fëmijë në një shkollë fillore, në rajonin Henan të Kinës, është shprehur se e kishte ndërmarrë aktin nën efektin e profecisë së fisit Maja mbi 21 dhjetorin. “Doja vetëm të përshpejtoja dhe lehtësoja fundin e atyre fëmijëve të pafajshëm”, tha ia.
4.Francë
Zherard Depardie duket se është alergjik ndaj taksave të qeverisë franceze që kohët e fundit janë rritur edhe më shumë. I irrituar, në letrën drejtuar gazetës “Journal du dimanche”, ai është shprehur se do të braktisë edhe kombësinë franceze dhe do të “kthejë pasaportën”.
5.Itali
Një bandë gjyshërish janë futur në një dyqan veshjesh të modës së lartë në Romë, në orën 4 të mëngjesit të së hënës, me qëllim që të vidhnin mallin që ndodhej në dyqan. Tre anëtarët e bandës të moshës 70, 78 dhe 55 vjeç, që kishin pasur precedentë të tjerë penalë, u vunë në pranga nga policia romane.
6.Iran
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Ramin Mehmanparast, kritikoi Bashkimin Evropian për dhënien e çmimit “Sakharov” për të drejtat e njeriut dy disidentëve të regjimit, Nasrin Sotoudeh dhe Jafar Panahi, për kurajën që kanë treguar në mbrojtjen e lirive themelore në Iran. Ai tha se ky çmim ka prapavija politike.
7.Afganistan
Dhjetë vajza të moshës 9-11 vjeç u vranë nga shpërthimi i një mine, të shkelur aksidentalisht nga njëra prej tyre. Ngjarja ndodhi në provincën Nangarhar, ku vajzat kishin dalë për të mbledhur dru. Guvernatori i distriktit tha se mina ishte një mbetje balistike e Ushtrisë Sovjetike, ndërsa për kreun e rajonit ajo është vendosur së fundmi nga talebanët.
8.Siri
Zv.presidenti Al Shara tha në një intervistë për gazetën “Al-Akhbar” se lufta në Siri nuk mund të fitohej as nga forcat qeveritare dhe as nga kryengritësit. Al Shara shtoi se duhet një “zgjidhje historike” ku të përfshihet formimi i një qeverie të Bashkimit Kombëtar me pjesëmarrjen e fuqive të huaja për t’i dhënë fund konfliktit.
9.Rumani
Presidenti rumun Basesku riemëroi rivalin e tij politik, Viktor Ponta, në postin e kryeministrit. Ai e ndërmori këtë hap në dobi të stabilitetit të qeverisë, për shkak të tensioneve të vazhdueshme mes dy politikanëve. Në korrik, koalicioni i Pontës votoi për largimin e Baseskut, por referendumi dështoi për shkak të pjesëmarrjes së ulët.
10.Maqedoni
Partitë në Maqedoni kanë kundërshtuar njëzëri mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Ato në pushtet VMRO-DPMNE dhe BDI u shprehën se nuk janë për zgjedhje të parakohshme dhe partitë opozitare jozyrtarisht janë shprehur se nuk duan ballafaqimin në zgjedhje të parakohshme.
11.Greqi
Anëtarët e partisë neo-naziste greke “Agimi i Artë” kanë shkaktuar sërish një episod dhune. Ata kanë sulmuar deputetin e majtë, Dimitri Stratuli, gjatë pushimit të një ndeshjeje futbolli, ku ishin të pranishëm. Stratouli u dërgua në spital, por nuk ka dëmtime serioze.
12.Australi
Një nëpunëse publike në Australi u aksidentua ndërsa po kryente marrëdhënie seksuale gjatë një udhëtimi pune. Pas një beteje ligjore 5-vjeçare me një shoqëri sigurimesh, gruaja, emri i së cilës nuk bëhet i ditur, arriti të fitojë të drejtën për një dëmshpërblim, sepse ishte lënduar gjatë orarit të punës.