Bota në një ditë

anazapta

1.SHBA

Sipas “The Sun”, Rihana është kontaktuar nga ideatori i spektaklit të talenteve “X-factor”, për të marrë pjesë në të si pjesëtare e jurisë. Nuk dihet ende vendimi i këngëtares, por kjo është një ngjarje pozitive për të, pasi në jetën personale nuk po i ecën. Dashurisë së jetës së saj, Kris Braun, nuk i shqiten mikeshat e shumta.

 

2. Francë

Një tragjedi familjare ka ndodhur në Salon de Provence të Francës, ku një burrë ka ekzekutuar gruan dhe dy vajzat e tij dhe më pas është vetëvrarë. Në rindërtimin e ngjarjes, burimet policore njoftuan se burri së pari kishte therur bashkëshorten, më pas vajzat dhe në fund ishte vetëvarur.

 

3. Itali

Një 22-vjeçar nga Milanoja është gjendur përballë një propozimi ‘të pahijshëm’, kur shoku i tij 50-vjeçar që i kishte huazuar 6 mijë euro, i kërkoi t’ia shlyente të hollat në këmbim të raporteve intime. I riu ‘iu hodh përsipër’, por për ta goditur me thikë. Si pasojë ai u arrestua, ndërsa miku i tij u dërgua në spital.

 

4. Angli

Duke ndjekur shembullin e prindërve të tij, Romeo, djali i dytë i David dhe Viktoria Bekamit është bërë modeli kryesor i fushatës publicitare të markës së veshjeve “Burnerry”, për linjën pranverë-verë 2013. Shpërblimi monetar i ‘yllit’ të vogël ka mbetur i fshehtë, por, duke pasur parasysh markën, besohet se do të jetë i lartë.

 

5. Egjipt

Prokurori i Përgjithshëm egjiptian, Talat Abdullah, i cili u emërua në këtë post nga presidenti Mohamed Morsi para një muaji, paraqiti dorëheqjen. Vendimi i Abdullah erdhi pas protestës së qindra prokurorëve publikë. Sipas tyre, vetëm Këshilli i Lartë Gjyqësor mund të emërojë një prokuror të përgjithshëm.

6. Mal i Zi

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Rasmusen, gjatë takimit që pati në Bruksel me ministrin e Jashtëm të Malit të Zi, Igor Lukshiç, deklaroi se Mali i Zi është një shembull pozitiv për shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe se përparimi i tij mund të shërbejë si nxitje për ato vende që synojnë anëtarësimin në NATO.

 

7. Rusi

Departamenti i shtypit i Ministrisë së Mbrojtjes ruse njoftoi se luftanijet e flotës së Baltikut dolën nga baza kryesore në qytezën e Balltijskut dhe morën kursin drejt Detit Mesdhe. Ky grup anijesh do të zëvendësojë anijet e flotës së Detit të Zi, të cilat janë të angazhuara në zbatimin e detyrave në Mesdheun Lindor.

 

8. Zvicër

Modelet e aristokracisë evropiane janë mbledhur në Gastad të Zvicrës për të marrë pjesë në një ‘festë dëbore me 5 yje’. Mes koktejeve, garave me ski dhe darkave në hotelet luksoze, është e pamundur mos të të bien në sy me elegancën e tyre. Fituesja sa i përket hireve dhe veshjes është Anxhela Martini, bën të ditur faqja e internetit “Mediaset”.

9.Irak

Televizioni shtetëror në Irak njoftoi se presidenti Jalal Talabani pësoi një trompozë në tru. Zyra e presidentit nëpërmjet një kumtese në faqen e saj zyrtare shprehet se Talabani ishte dërguar në spital për shkak të një “emergjence shëndetësore”, pa specifikuar shkakun e përkeqësimit të shëndetit të tij.

 

10. Arabi Saudite

“Princess Nora bint Abdul Rahman University”, universiteti më i madh i femrave në botë, me 50 mijë studente e që ndodhet në Riad, lëshoi një dekret që i ndalon ato të vijnë në mësim me pantallona. Burime nga universiteti thanë se ndalimi erdhi si pasojë e sjelljes së shthurur të studenteve të Fakultetit të Arteve.

 

11. Pakistan

Katër infermiere të fushatës së UNICEF-it kundër poliomelitit u qëlluan për vdekje në qytetin më të madh të Pakistanit, Karaçi. Punonjëset u qëlluan në tre zona të ndryshme të qytetit, thuajse në të njëjtën kohë. Besohet se vrasjet janë vepër e militantëve talebanë, që edhe më parë kanë kërcënuar punonjëset e organizatave ndërkombëtare.

 

12. Kinë

Portretet e famshme të Mao Ce Dunit të realizuara nga artisti amerikan, Endi Uarhol, nuk do të jenë pjesë e ekspozitës që do të prezantohet në Kinë. Në ekspozitë do të jenë më shumë se 300 piktura, fotografi dhe filma, pjesë e të cilave qenë edhe 10 portretet e udhëheqësit të madh, që autoritet kineze vendosën të përjashtojnë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *