1.SHBA
Adele është shpallur artistja e vitit nga shoqata ndërkombëtare e mediave “Associated Press Entertainer”. Nuk ka publikuar një album të ri, as ka zhvilluar ndonjë tur botëror spektaklesh, e megjithatë është votuar si artistja që ka pasur më shumë ndikim në kulturën ndërkombëtare gjatë vitit 2012.
2.Meksikë
Ashtu siç ndodh në filma, bosi i drogës, Kristofor Jimenes, i shtruar në spitalin “Medica Sur “ në kryeqytetin meksikan, është ekzekutuar orët e para të së premtes me armë zjarri nga dy vrasës që ishin veshur si infermierë. 42-vjeçari Jimenes ishte shefi i bandës “Los Rojos” që drejtonte trafikun e drogës në jug të vendit.
3. Spanjë
Protesta kundër masave shtrënguese në Spanjë u shndërrua në një procesion funebër ditën e premte, kur autoritetet miratuan ligjin për buxhetin 2013. Ligji synon reduktime të shpenzimeve dhe masave të tjera të kursimit që kapin shifrën 39 miliardë euro për të ulur deficitin e përgjithshëm me 4.5%
4.Angli
Një milion dosje të tjera sekrete do të shpërndahen nga ‘Wikileaks’ në vitin 2013. E ka pohuar vetë themeluesi i kësaj faqeje Zhulian Asanzh, duke folur nga ballkoni i ambasadës së Ekuadorit në Londër, në të cilën është strehuar. Asanzh tha se dokumentet e reja bëjnë fjalë për ‘vende nga e gjithë bota’
5.Ukrainë
Si pasojë e temperaturave që shënojnë -25 gradë Celcius, 61 persona kanë humbur jetën në Ukrainë. Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë tha se 43 persona kanë vdekur nga të ftohtit në rrugë, 9 janë gjetur pa jetë në shtëpitë e tyre, ndërsa 9 të tjerë kanë humbur jetën në spital
6.Pakistan
Burimet zyrtare në Pakistan njoftuan të premten për vrasjen e komandantit taliban, Maulvi Abas.
Shpërthimi në provincën e Vaziristanit i mori jetën edhe tre personave, duke përfshirë djalin e Abasit. Forcat e sigurisë rrethuan zonën ku ndodhi sulmi, i cili kishte si shënjestër komandantin Abas.
7.Somali
Të paktën 55 persona janë mbytur pas përmbysjes së një varke në brigjet e Somalisë, u bë e ditur nga agjencia e refugjatëve të OKB-së. UNHCR tha se varka e mbipopulluar hasi vështirësi menjëherë pasi u largua nga porti i Bosasos në verilindje të Somalisë. Varka që kishte mbi të somalezë dhe etiopianë, ishte nisur drejt Jemenit.
8.Belgjikë
Aktivistet ukrainase protestuan për dhunën e ushtruar ndaj grave përballë selisë të Këshillit të Europës në Bruksel, në kohën që po zhvillohej samiti midis BE-së dhe Rusisë. Ato manifesuan me gjoks të zbuluar, duke përdorur trupat e tyre për të përcjellë mesazhet e protestës, e cila zgjati pak pasi gratë u ndaluan nga policia belge.
9. Argjentinë
Dy persona humbën jetën dhe dy të tjerë u plagosën gjatë një grabitjeje në një supermarket në Rozario. Episode të ngjashme kanë ndodhur edhe në pjesë të tjera të vendit. Hajdutët kanë hyrë në veprim pasi në vend u ndërpre energjia elektrike, si pasojë e profecisë për fundin e botës.
10.Japoni
Japonia ka vendosur të tërheqë kontigjentin e saj ushtarak nga misioni “kaskat blu” në kufirin midis Sirisë dhe Izraelit, për shkak të prishjes të kushteve të sigurisë. Shefi i kabinetit qeveritar, Osamu Fuxhimura, specifikoi se brenda muajit do të rikthehen në Japoni 47 njësitë ushtarake që ndodhen në Golan.
11.Kinë
Tri anije patrullimi kineze u futën në ujërat territoriale të Senkakut, ishulli që pretendohet njëkohësisht nga Kina dhe Japonia, e që aktualisht është nën kontrollin e kësaj të fundit. Roja bregdetare raportoi se kjo është përpjekja e parë e kinezëve që pas zgjedhjeve elektorale të së dielës së kaluar në Japoni.
12.Australi
Dona Sim nga Kuinslend u terrorizua kur pa në garderobën e saj 7 nëpërka. Djali i saj 3-vjeçar, Keli, pasi i kishte gjetur në kopështin e shtëpisë, i mblodhi në një kuti dhe i fshehu në dollapin e së ëmës. Gjarpërinjtë, që i përkisnin llojit të dytë më vdekjeprurës në botë, nuk e cenuan gruan.
