1.Britani e Madhe
Zgjedhja e klubit të vajzave të kanotazhit nga universiteti “Warwick” në Britaninë e Madhe ka ngjallur një lumë kritikash. Atletet kanë qenë protagoniste të kalendarit nudo për qëllime bamirësie në luftën kundër kancerit. Sportistet e mbrojtën zgjedhjen e tyre, duke thënë se në vitin 2003 djemtë e klubit të kanotazhit kishin bërë një kalendar të ngjashëm dhe s’kishte pasur skandal.
2. Francë
Franca ka vendosur që të ndërpresë ndihmat financiare për emigrantët, duke përfshirë këtu edhe romët që vijnë nga Rumania. Kjo kërkesë është parashtruar nga BE-ja. Sipas ministrit të Punëve të Brendshme, Manuel Vals “ ndihma financiare për emigrantët në vitet e ardhshme do të zvogëlohet me 83%, në mënyrë që të zvoglohen shpenzimet buxhetore.
3. Ukrainë
Një helikopter ukrainas, i cili i përkiste Ministrisë së Brendshme, është përplasur në qendër të vendit, të mërkurën duke lënë të vdekur të pesë personat që ndodheshin në të. Autoritet zyrtare thanë se helikopteri ‘Mi-8’ u përplas në tokë, pak pasi ishte ngritur nga aeroporti i qytetit Oleksandria, në rajonin Kirovograd.
4.Austri
Vjena, kryeqyteti i Austrisë është shpallur sërish një prej kryeqyteteve më të suksesshme në botë. Një studim i OKB-së, i titulluar “kryeqytetet e botës 2012/2013″renditi Vjenën ndër 70 kryeqytete si qyteti me zhvillimin më të madh. Kryeqyteti i Austrisë është renditur përpara qyteteve të tjera me një cilësi të lartë jetese, si Zyrihu, Torontoja dhe Brukseli.
5. Rusi
Disa protestues janë arrestuar para Parlamentit të Rusisë në Moskë, pikërisht në kohën kur vazhdojnë përgatitjet për votimin e projektligjit që nuk lejon adoptimin e fëmijëve rusë nga shtetasit amerikanë. Kritikët e legjislacionit thonë se jetimët shndërrohen kështu në viktima, duke mos lejuar që këta fëmijë të kenë një jetë më të mirë në Rusi.
6. Serbi
Qeveria e Beogradit ka planifikuar që në fillim të 2013-s të dërgojë delegatë në vendet që ende nuk e kanë njohur Kosovën, për të forcuar politikën kundër njohjes dhe në qendër të vëmendjes janë shtetet si Indonezia dhe Egjipti. Këtë ide e ka promovuar kryeministri serb Ivica Daçiç dhe ministri i Punëve të Jashtme.
7.Kazakistan
Nje aksident i rëndë ajror ndodhi ditën e mërkurë në Kazakistan. Avioni ushtarak që mbante zyrtarë të lartë të sigurisë së vendit është rrëzuar në jug të vendit, ku më shumë se 20 njerëz humbën jetën. Njëzet e shtatë persona gjendeshin në aeroplanin e aksidentuar, midis tyre ishin shtatë pjestarë të ekuipazhit dhe 20 oficerë ushtarakë.
8. Japoni
Dhoma e Ulët e Parlamentit në Japoni ka konfirmuar të mërkurën, Shinzo Aben në postin e kryeministrit të ri të këtij vendi. Shinzo e udhëhoqi Partinë Liberale Demokrate në fitore në zgjedhjet e 16 dhjetorit, duke i dhënë fund periudhës trivjeçare të qeverisjes së Partisë Demokratike në Japoni.
9.Spanjë
Policia në Spanjë ka shkatërruar një rrjet të trafikimit të drogës, duke arrestuar më shumë se 35 persona dhe duke sekuestruar 11 tonë hashash. Pjesa më e madhe e lëndës narkotike mbahej në magazina, të cilat ndodheshin në provincën qendrore Toledo dhe që ruheshin nga njerëz të armatosur.
10. Afganistan
Një makinë bombë ka shpërthyer jashtë një baze ushtarake amerikane në qytetin Khost, në lindje të Afganistanit, duke vrarë tri persona e duke plagosur 6 të tjerë. Viktimat janë një roje sigurie dhe dy shoferë kamionësh, të cilët në kohën e sulmit po bënin furnizimet. Të plagosurit janë të gjithë civilë, sulmi u mor përsipër nga talibanët.
11.Siri
Shefi i policisë ushtarake siriane, Abdul Aziz Jasem al Shalal, ka dezertuar nga regjimi i presidentit Bashar al Asad dhe ka ikur në Turqi. Ai është shfaqur në një video dhe është shprehur se do t’i bashkohet revolucionit të popullit. Dhjetëra gjeneralë kanë dezertuar nga regjimi i Sirisë, qëkur ka nisur kryengritja popullore në mars të vitit 2011.
12. Kinë
Kina hapi zyrtarisht linjën më të gjatë në botë të trenave me shpejtësi të lartë. Linja hekurudhore lidh kryeqytetin Pekin me kryeqendrën ekonomike dhe financiare jugore, Guangzhou. Me një gjatësi 2298 km, kjo hekurudhë ka trena me shpejtësi maksimale që arrijnë mbi 300 kilometër në orë duke shkurtuar kohën e udhëtimit.
