Bota në një ditë

anazapta

1.Angli

Meteorologët britanikë kanë parashikuar që viti 2013 do të ketë temperaturat më të larta që nga viti 1850. Ata kanë theksuar se rritja e temperaturave globale do të jenë rreth 0.6% më të larta se mesatarja. Ekspertët kanë theksuar se kanë munguar masat e nevojshme në pjesën më të madhe të vendeve për të reduktuar ngrohjen globale.

2.Spanjë

Punonjësit e transportit publik në Spanjë vazhduan ditën e dytë të grevës të nisur të shtunën, pjesërisht për shkak të eliminimit të pagës shtesë për Krishtlindje, si dhe për shkak të uljes së pagave të tyre. Ky ishte një vendim i qeverisë, që u mor korrikun e kaluar. Ndërkohë që pagat e punonjësve të transportit u ulën, çmimi i biletave të metrosë u rrit me 30% .

3.Gjermani

Gjatë këtij viti në Gjermani do të organizohen aktivitete të shumta me rastin e 200-vjetorit të lindjes së kompozitorit Riçard Vagner. Shumëkush mund të përjetojë veprat e kompozitorit të famshëm në ngjarje të ndryshme kulturore e një ndër to do të jetë festivali në nder të tij në Bajrojt, që do të zhvillohet në verë.

4. SHBA

Aktorja Pamela Anderson ka mbetur e lënduar, pasi është rrëzuar duke bërë patinazh gjatë xhirimeve të serialit “Dancing On Ice”. Ish-ylli i serisë “Baywatch” është duke mësuar patinazh me qëllim që të realizojë sa më mirë rolin e saj, por nga rënia në akull disa pjesë të trupit të saj janë mavijosur dhe aktores do t’i duhet të bëjë disa ditë pushim.

5. Greqi

Në festimet e ditës së ujit të bekuar, kryeministri grek Antonis Samaras ndodhej në Pire, nga ku i dërgoi një porosi optimizmi popullit të tij. “Ne do të kemi sukses. Fuqia e popullit grek dhe mbi të gjitha optimizmi dhe uniteti, na kanë frymëzuar, na kanë dhënë prosperitetin e mirëqenien, dhe ne do t’ia japim përsëri”, tha kryeministri grek.

6. Turqi

Aeroplani i kompanisë turke ‘ULS’, i cili transportonte 1.5 tonë ar, ndodhet i bllokuar që nga e marta në aeroportin ndërkombëtar të Stambollit. Sipas mediave, avioni është bllokuar për shkak se autoritetet turke theksojnë se nuk ka dokumentacion të rregullt. Supozohet se ari ishte një ndihmë e Ganës ndaj Iranit, i cili gjendet nën sanksionet ndërkombëtare.

7. Serbi

Pas ndalimit  për të hyrë në Kosovë me rastin e Krishtlindjeve ortodokse, presidenti serb Tomislav Nikoliç deklaroi të dielën se “EULEX edhe një herë tregoi se nuk është neutral, e për këtë ai do të detyrohet ta ndryshojë qëndrimin e vet ndaj këtij misioni, por edhe ndaj Brukselit”. Edhe ish-sekretari shtetëror i Serbisë për Kosovën, Oliver Ivanovç, tha se përgjegjësia bie mbi EULEX-in.

8. Itali

Adriano Çelentano festoi të dielën 75-vjetorin e lindjes dhe për fansat publikoi në blogun e tij një video ku tregohet prova e një filmi të realizuar gati gjysmë shekulli më parë. Në të tregohet talenti i tij si aktor, por edhe dashuria e madhe për të shoqen, sepse megjithëse e kaloi me sukses provimin nuk e luajti filmin për shkak se e shoqja Klaudia ishte shtatëzënë.

9.Kolumbi

Pas orgjive të shfrenuara me prostituta gjatë festës së Krishtlindjeve, ambasadori i Hondurasit në Kolumbi, Karlos Rodriges Andino ka dhënë dorëheqjen. Në Honduras është formuar një komision për të hetuar rastin e truprojes së tij, i cili, në ndërtesën e misionit organizoi kremtimin me prostituta. Femrat dhe të ftuar të tjerë, pas festës grabitën ambasadën.

10.Venezuelë

Nënpresidenti i Venezuelës, Nikolas Maduro tha se Hugo Çavez nuk do të jetë në gjendje të bëjë betimin si president javën e ardhshme para Asamblesë. Sipas Kushtetutës së këtij vendi, presidenti duhet të bëjë betimin e tij ditën e enjte, më 10 janar, por nëse ai nuk është i aftë, betimi mund të shtyhet dhe të bëhet më vonë, para Gjykatës së Lartë.

11.Indi

Është krijuar frikë për rikthimin e luftës mes Pakistanit dhe Indisë. Ushtarët e dy vendeve kanë shkëmbyer zjarr në rajonin e diskutuar të Kashmirit, përgjatë asaj që quhet “vija e kontrollit”. Pakistani akuzoi Indinë se trupat e saj sulmuan një postë ushtarake në Haji Pir në zonën e Kashmirit të administruar nga Islamabadi.

12.Sudan

Bashkimi afrikan bëri të ditur se Omar Hasan el Bashir, presidenti i Sudanit dhe Salva Kir i Sudanit të Jugut kanë rënë dakord gjatë një takimi në Adis Abeba, për të përcaktuar sa më shpejt një zonë të demilitarizuar përgjatë kufirit midis dy shteteve. Takimi dyditor kishte si synim zbutjen e tensioneve që gati i çuan vendet në një luftë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *