Një djalë trevjeçar i pret flokët e tij shumë të gjatë për herë të parë, në mënyrë që me to të bëhen paruke për fëmijët me kancer. Për flokët e Elias është arritur të fitohet një sponsorizim prej 1 000 paundësh. Pasi pa veten me flokë të shkurtra, i vogli që shpesh ngatërrohej me vajzë, u shpreh para pasqyrës: “Më pëlqejnë shumë!
Afrikë e Jugut
Me miliona afrikanojugorë u lutën për shëndetin e heroit të tyre kombëtar, Nelson Mandela, ndërsa kishat në të gjithë vendin përfshijnë lutjet për 94-vjeçarin në meshën e tyre të Pashkëve. Me qindra mijëra persona u grumbulluan në kishën e “Regina Mundi” në Soveto, një simbol i luftës kundër aparteidit, mbizotërimit të pakicës së bardhë ndaj shumicës me ngjyrë.
Francë
Pesë fëmijë humbën jetën në një zjarr që përfshiu një banesë në Francën Veriore, informoi të dielën “Agence France Presse”. Fatkeqësia ndodhi në Sen-Kuentin, një qytezë e ndodhur 130 kilometra në verilindje të Parisit. Viktimat ishin motra e vëllezër. Babai i fëmijëve ishte gjithashtu i pranishëm në banesë, por arriti të shpëtonte me djegie të lehta.
Itali
Presidenti i Italisë, Xhorxho Napolitano, mori një vendim të papritur pas dështimit liderit të majtë, Pier Luixhi Bersani për krijimin e qeverisë. Kreu i shtetit vendosi krijimin e dy grupeve pune që do të kenë për detyrë gjetjen e propozimeve programatike të mbështetura nga partitë rreth të cilave do të krijohet më pas qeveria.
Kroaci
Pas disa rastesh pedofilie që tronditën vendin, Kroacia ashpërsoi ligjet që dënojnë marrëdhëniet seksuale dhe ngacmimin e të miturve. Ndryshimi i Kodit Penal, i cili hyri në fuqi të dielën, është i vlefshëm për të gjithë rastet e regjistruara që prej janarit, rrit në mënyrë të ndjeshme dënimin që është çuar deri në 40 vjet burgim.
Qipro
Qiproja vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes edhe pas largimit të rrezikut nga falimentimi. Masat e imponuara nga BE dhe FMN për lëvrimin e ndihmave ka bërë që ata klientë që në depozitat e tyre kanë më shumë se 100 mijë euro, të humbasin rreth 60 për qind të kursimeve të tyre. Banka njoftoi se 37.5% e depozitave mbi 100 mijë euro do të transformohen në aksione
SHBA
Një grup shkencëtarësh në Sinsinati të Ohajos janë duke u kujdesur për një gorillë dymuajshe. I gjithë grupi i punës është duke u marrë me rritjen dhe zhvillimin e Gledisit, që është shumë e vogël e megjithatë i mendon shumë prej tyre si prindër të saj. Të veshur me xhupa të leshtë, shkencëtarët e trajtojnë Gledisin si fëmijë.
Maqedoni
Ka pasur përplasje mes dy partive shqiptare lidhur me mbështetjen e njëra-tjetrës në zgjedhjet vendore. BDI akuzoi kandidatin e PDSH-së se i ka nxitur maqedonasit që të votojnë kundër tyre duke deklaruar se nëse kandidati i BDI-së vinte në pushtet do të nxiste urrejtjen ndëretnike. Një gjë e tillë është mohuar nga kandidati i PDSH-së, Sadi Bexheti
Kosovë
“Kam punuar edhe në vendet afrikane, ku korrupsioni është në lartësinë më të madhe në botë, por nuk e kam pasur kaq të vështirë sa në Kosovë për të bërë biznes”, u shpreh një biznesmen austriak i cili donte të investonte në Kosovë. Ai tha se nga institucionet ka neglizhencë dhe pengesë që u krijon probleme bizneseve të huaja.
Serbi
Nëntë fëmijë u plagosën ndërsa luanin në një karusel ditën e diel. Mediat serbe bënë të ditur se aksidenti ndodhi në qytetin e Sokobanjës. Një vajzë 7 vjeçe pati një dëmtim shumë të rëndë në kokë dhe iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale. Nxënësit ndodheshin në qytet në një ekskursion me shkollën
Venezuelë
Opozitarët janë trashëgimtarë të Hitlerit sepse po bëjnë një fushatë intolerance duke kritikuar praninë e doktorëve kubanë në Venezuelë dhe artistëve lokalë që po mbështesin fushatën e Maduros. Një gjë e tillë u deklarua nga vetë zv.presidenti Maduro, i cili drejton vendin pas vdekjes së Hugo Çavezit më 5 mars. Rivali i tij Kapriles u mposht nga Çavezi në tetor.
Korea e Veriut
Do të riforcojmë arsenalin tonë bërthamor në anë cilësore dhe sasiore. Kjo është deklarata më e fundit e dhënë nga drejtuesi i Koresë së Veriut duke vazhduar kështu sfidën e tij ndaj Shteteve të Bashkuara, si dhe fqinjit, Koresë së Jugut. Kim Jong ka kërcënuar edhe bazat ushtarake të SHBA-së të vendosura në Japoni.