1. Kanada
Duke folur në një takim të Forumit Ekonomik Botëror, kryeministri kanadez Stefan Harper u shpreh se prirja e vendeve drejt mbrojtjes së ekonomisë vetjake nga secili shtet, do ta shtyjë botën drejt një recesioni të zgjatur. Sipas tij, ‘katastrofa ekonomike’ mund të mënjanohet nëse lehtësohen kushtet e eksporteve dhe importeve.
2. Malavi
Sipas shoqatës ndërkomëtare të të drejtave të njeriut “Human Rights Ëatch” në Malavi, republikën jugore të Afrikës, do të pezullohet ligji kundër homoseksualitetit. Deri më tani akti seksual midis personave të së njëjtës gjini konsiderohej krim në këtë shtet dhe dënohej me 14 vjet heqje lirie dhe punë të detyruar.
3. SHBA
Për herë të parë një sëmundje njerëzore është riprodhuar në një qark kompjuterik. Bëhet fjalë për edemën pulmonare, që shkakton grumbullimin e lëngjeve dhe gjakut në lobet e mushkërive. Rezultati u shpall nga Universiteti i Harvardit. Shkencëtarët po studiojnë efektet e një ilaçi kimioterapik dhe parandalimin.
4. Gjermani
Suficiti tregtar i Gjermanisë i regjistruar në shtator u rrit me 16.9 miliardë euro në krahasim me 16.3 miliardë që ishte në gusht. Kjo u njoftua nga zyra e statistikave ‘Destatis’, ku u deklarua se gjatë këtyre muajve, përfshirë edhe tetorin, eksportet arritën shifrën e në 91.7 miliardë euro, ndërsa importet 74.9 miliardë.
5. Guatemalë
Në orët e para të ditës së enjte, qytetet San Markos dhe San Kristobal në Guatemalë u goditën nga tërmeti me magnitudë 7.4 ballë , i cili i mori jetën e të paktën 50 personave, ndërkohë që dhjetëra të tjerë janë zhdukur nën rrënojat e banesave të shkatërruara si pasojë e lëkundjeve të forta.
6. Austri
Një parti e krijuar nga një miliarder austro-kanadez gjashtë javë më parë hyri në Parlamentin Austriak pa pasur nevojën që të priste zhvillimin e zgjedhjeve. 80-vjeçari Frank Stronak krijoi forcën e tij politike në muajin shtator dhe bindi pesë deputetë të një partie të vogël të krahut të djathtë që të kalonin në forcën e tij.
7. Rusi
Zyra e shtypit e presidencës ruse njoftoi se presidenti Vladimir Putin i dërgoi një ftesë homologut të tij të saporizgjedhur në krye të SHBA-së, Barak Obamës, që të vizitojë Rusinë vitin e ardhshëm. ”Fitorja e presidentit amerikan do të ketë ndikim pozitiv në marrëdhëniet ruso-amerikane”, deklaroi Putin.
8. Greqi
Disa orë pasi parlamenti grek votoi me 153 vota pro paketën për shkurtimin e shpenzimeve dhe rritjen e taksa, transporti u paralizua në Athinë, ndërsa metrotë, hekurudhat dhe taksitë vijuan një protestë 24-orëshe duke shkaktuar një kaos të paparë. Ndërkohë shifrat zyrtare për papunësinë vijojnë të rriten.
9. Afganistan
Tetëmbëdhjetë të vdekur është bilanci i sulmeve të reja që u regjistruan ditën e enjte në Afganistan. Një bombë e vendosur në një makinë që po shkonte në një dasmë shpërtheu në jug të Helmandit, duke shkaktuar 10 viktima. Ndërsa, në Kandahar një kamikaz shkaktoi vdekjen e tre policëve, një tjetër në Kabul vrau 5 ushtarë.
10. Argjentinë
Mijëra njerëz përdorën rrjetet sociale për t’u mobilizuar në protestën më të madhe antiqeveritare të dekadës së fundit. Shkak përveç zemërimit për rritjen e inflacionit dhe shtimin e krimit të organizuar, është dhe fakti që presidentja De Kirshner duket se do të mbajë ‘pafundësisht’ pushtetin, duke ndryshuar Kushtetuën.
11. Siri
“Dua të jetoj dhe të vdes në Siri” tha presidenti sirian Bashar al Asad në intervistën e fundit, dhënë një televizioni rus. “Nuk jam palaço, por sirian dhe prandaj duhet të jetoj dhe të vdes në vendin tim”, deklaroi ai. Gjithashtu, u shpreh kundër ndërhyrjeve të ndërkombëtarëve në Siri, sepse kjo mund të sillte pasoja të rënda globale’.’
12. Kinë
U çel të enjten Kongresi i 18-të i Partisë Komuniste Kineze. Në të do të përcaktohet brezi i ri i udhëheqjes së Kinës. Presidenti i vendit e njëkohësisht kryetari i PKK-së, Hu Çintao, do të zëvendësohet nga Shi Çinping. Hu tha se Kina duhet të vijojë me reformat në strukturat politike, por pa kopjuar sistemin perëndimor