Izrael
Kisha e Varrit të Shenjtë në Jeruzalem, simbol i vendit të ringjalljes së Krishtit, rrezikon të mbyllë dyert e saj për shkak se në 15 vitet e fundit ka akumuluar një borxh prej 1.8 milionë eurosh. Sipas së përditshmes izraelite Maariv, nëse nuk trajtohet me kujdesin e duhur, situata e borxhit të kishës mund të sjellë një krizë ndërkombëtare.
SHBA – Sipas një sondazhi paraprak të kryer nga “Wall Street Journal”, të dhënat tregojnë se presidenti Barak Obama udhëheq me 6 pikë në Ohajo dhe me 2 në Florida. Nga studimi paraprak del se në Ohajo Obama dominon me 51% të votuesve kundrejt 45% të Mit Romneit, ndërsa në Florida presidenti prin me 49% të tyre ndaj sfiduesit të tij që ka 47%.
Paraguaj
Aktivistë dhe ish-të burgosur politikë në Pagaruaj u hodhën në një protestë masive kundër vendimit për të riatdhesuar eshtrat e ish-diktatorit Alfredo Stroshner, të cilat ndodhen në Brazil. Sipas të dhënave zyrtare gjatë viteve të sundimit të tij 1964-1989, më shumë se 400 persona u pushkatuan dhe mbi 20 mijë të tjerë u burgosën.
Rumani
Arrestohen 33 zyrtarë të qeverisë nën dyshimet se me pastrimin e parave dhe mashtrime i kanë shkaktuar shtetit një dëm prej 22 milionë eurosh. Në mesin e të arrestuarve janë zyrtarë të Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Bujqësisë, të Senatit, si dhe zëvendësdrejtori i Bankës për Zhvillim të Rumanisë. Të dhënat flasin për 40 llogari bankare.
Zvicër
Gjykata zvicerane në Baden ka ngritur kallëzim penal kundër partisë ultranacionaliste zvicerane SVP pas publikimit të disa parullave fyese dhe raciste kundër emigrantëve që banojnë në Zvicër. Në faqen e saj zyrtare të internetit, SVP ka shkruar parullat “Jugosllavë të fëlliqur”, “Turq derra” etj.
Poloni
Trupat e pesë foshnjave të vdekura janë gjetur në një fermën të Polonisë, fshatin Hipolitovo. Prokuroria polake njoftoi se një 41-vjeçare u arrestua nën dyshimin se ka mbytur pesë foshnjat e saj të porsalindura. E dyshuara e ve ka lindur tetë foshnja prej vitit 1998 deri në 2012-n dhe vetëm 2 prej tyre janë në jetë.
Iran
Agjencia Mher bën të ditur se Irani ka ndërtuar avionin e parë në botë të telekomanduar për “ngritje dhe ulje vertikale” pa pasur nevojë për pilot. “Avioni i ri ka një teknologji tepër të avancuar dhe është i pari në botë i këtij lloji”, tha një ekspert përgjegjës për ndërtimin. Prezantimi i avionit do të bëhet me rastin e 34-vjetorit të Revolucionit.
Gjermani
“Kriza në Evropë do të zgjasë edhe të paktën pesë vjet”. Kjo është deklarata e dhënë nga Angela Merkel në kongresin rajonal të partisë së saj, të zhvilluar dje. “Ata që mendojnë se 2-3 vjet mjaftojnë për të kthyer pllakën, gabohet rëndë”, vijoi ajo duke thënë se sido që të jetë, Evropë është në rrugë të mbarë.
Itali
Është rrahur me grushta dhe shqelma deri sa ka vdekur. Ngjarja ku ndërroi jetë një 34-vjeçar filipin është filmuar në rrugë nga shumë kalimtarë, por askush nuk ka lëvizur as gishtin për ta ndihmuar. Edhe vetë karabinierët, pas arrestimit të tre autorëve, u shprehën se dhuna e ushtruar ndaj viktimës, ishte e paprecedentë.
Spanjë
Arrin në katër numri i viktimave të Hallouinit në Madrid. Një 17-vjeçare ndërroi jetë të shtunën pas plagëve të marra në mbrëmjen e së enjtes. Një turmë e madhe e mbledhur për festën doli nga kontrolli duke shkaktuar shumë të plagosur. Nga spitali bëhet e ditur se edhe një tjetër adoleshente rrezikon jetën.
Vietnam
Këngëtarja italiane Laura Pauzini po shënon një rekord në klasifikimet muzikore të Vietnamit me këngën e saj “It’s not goodbye”, versioni anglisht i këngës shumë të njohur “In assenza di te”. Kjo këngë ka dalë në Itali në vitin 1998, kohë në të cilën u prezantua edhe në Shqipëri.
Britani
Politikanë, fermerë dhe krerë të industrive të ujit priten të takohen në juglindje të vendit për të diskutuar lidhur me thatësirën që ka prekur vendin. Pjesëmarrësit u shprehën se fakti që pritet një dimër shumë i thatë do të sjellë probleme tek fermerët e si pasojë duhen marrë masa.